Përshkrimi aq sugjestiv i anjeve feakase tek “Odiseja” (librat 6-8) ka ngjallur jo pak kureshti dhe diskutim.
Jemi në ishullin e Skerisë (Σχερία ose Σχερίη), a të Feakísë, atdheu i popullit të feakasve dhe vendi ku mbërriti Odiseu fill para se të kthehej në Itakë.
Me gjithë disa trazira që ia krijoi edhe këtë herë në det Poseidoni, Odiseu arrin të dalë në breg dhe atje ndeshet ballë për ballë me Nausikën, vajzën e mbretit Alkinó.
Do të na kujtohet skena kur ai përpiqet të mbulohet me degë e me gjethe, për të mos i dalë vajzës përpara lakuriq; por ndoshta këtë skenë na e sugjeron filmi...
Më në fund, lundërthyeri arrin të futet në pallatin mbretëror dhe atje i bie në këmbë mbretëreshës, për t’i kërkuar mikpritje dhe ndihmë.
E presin mirë, i shtrojnë një gosti dhe Alkinou i premton se do ta shpjerë në Itakë me një nga anijet e tij të mrekullishme, të cilat janë shumë më të avancuara se anijet që kishin përdorur grekët gjatë luftës së Trojës.
Më thuaj emrin që të ka dhënë babai dhe nëna, dhe me të cilin je njohur mes fqinjëve dhe bashkëqytetarëve të tu, i thotë Alkinoi; më thuaj edhe vendin nga vjen, shtetin dhe qytetin (give me your data), në mënyrë që anijet tona ta formësojnë synimin e tyre sipas këtyre dhe të të shpien atje. Sepse feakasit, vazhdon ai, nuk kanë pilotë; anijet e tyre nuk kanë timon, si ato të vendeve të tjera, por anijet vetë e kuptojnë se çfarë kemi ne në mendje dhe çfarë duam; i njohin të gjitha qytetet dhe shtetet anembanë botës, dhe mund ta kapërcejnë detin me lehtësi, edhe kur ky është i mbuluar me mjegull dhe re, prandaj nuk ka asnjë rrezik për t’u mbytur a për t’u lënduar.
Si me i pasë thënë Odiseut: “po të thërras një Uber.” Ky përshkrim të lë gojëhapur. Anijet feakase janë pothuajse “të vetëndijshme” (sentient) dhe ia lexojnë mendimet dhe dëshirat udhëtarit; kanë të depozituar, në kujtesën e tyre, hartat e globit dhe e gjejnë rrugën si të ishin të pajisura me gjeolokacion dhe me Google Maps; dhe janë “të programuara” që ta gjejnë vetë rrugën për ku janë nisur.[1]
Edhe Athina i përshkruan kështu anijet e feakasve: “[ato] rrëshqasin në ujë si mendimi, ose një zog në ajër.” (Kënga 7)
Studiuesi Emanuel Mikrojanakis këtë mekanizëm të teknologjisë moderne, sidomos ushtarake, e ka quajtur “autagreton” (një fjalë edhe kjo homerike); ai lejon përshtatjen e kontrollit ndaj situatave të ndryshme dhe iniciativën për veprim autonom – dhe është superior ndaj automaton-it thjesht vetëveprues.[2]
Dhe ja si e përshkruan poema nisjen e anijes, që do të shpjerë Odiseun në Itakë:
Anija u hodh përpara, si një koçi katër-kuajshe, kur kuajt e ndiejnë kamzhikun. Bashi iu përkul, si qafa e një hamshori, dhe një rrym i madh uji blu të errët i shkumoi prapa. Ashtu vazhdoi, e paturbulluar, dhe as edhe një fajkua, më i shpejti i shpendëve, nuk do ta kish ndjekur dot.
Përshkrimi i përket një kulture të organizuar rreth kalit, i cili në kontekstin grek arkaik ofron metaforën universale për çdo teknologji transporti; edhe anija feakase merr trajtat e një kali magjik, që çan ujërat e detit. Mrekulli të tilla teknologjike do t’i presë lexuesi nga perënditë; pallatin e Alkinout, në Skeri, e ruajnë dy qen roje automatë, që i ka sendërgjuar Efesti – njëri prej ari, tjetri prej argjendi dhe që janë të pavdekshëm dhe që nuk plaken kurrë. Por për anijet e feakasve nuk thuhet gjëkundi se janë krijime të Perëndive.
Përndryshe, Homeri i përmend shpesh automatët, si makina që lëvizin vetvetiu, duke shfrytëzuar energjinë e vet të brendshme, si qenie të gjalla. Veç qenve që ruajnë pallatin e Alkinout, në Iliadë lexojmë si Efesti po ndërton njëzet trekëmbësh (tripodë), që lëviznin me rrota prej ari, për t’u shërbyer zotave në Olimp. Edhe gjyrykët e farkës së tij punojnë automatikisht, me komandën e tij, si të ishin automatë të një uzine ultramoderne. Gjetiu, Efesti ndërton dy robotë mitikë, makina vetëlëvizëse, që arsyetojnë, flasin dhe manovrojnë me fuqi të madhe. [3]
Mbase poemat homerike rreken të përmendin, në mënyrën e tyre, teknologji që dikur ishin në dispozicion të njeriut por që pastaj u harruan; i tillë do të ketë qenë edhe i mirënjohuri mekanizëm i Antikythera-s, modeli më i lashtë i një kompjuteri analog.
Sot teknologjia ka arritur të realizojë mjete lundrimi dhe fluturimi autonome, që përdorin sistemet e gjeolokacionit dhe inteligjencën artificiale për t’u orientuar gjatë udhëtimit; përndryshe, një pasagjeri naiv edhe avioni modern që fluturon me “autopilot” do t’i dukej sikur lexon mendjet dhe dëshirat e udhëtarëve. Përshkrimi homerik i anijeve të bën të mendosh edhe për një ndërfaqe njeri-makinë, të një niveli teknologjik që sot ende nuk është arritur.
Le të shtoj edhe se anijet kozmike “të vetëndijshme” (sentient) kanë qenë prej dekadash një topos i fantashkencës; të pajisura me inteligjencë artificiale, ato strehojnë, mbrojnë, këshillojnë dhe shërojnë ekipazhet e tyre; teksa edhe komunikojnë mes tyre dhe me inteligjenca të tjera jo-njerëzore. Këtu mund të përfshihet edhe toposi i një esence njerëzore të integruar në “mendjen” prej silikoni të anijes – një organizëm kibernetik ose cyborg; ose, anasjelltas, një identitet njerëzor çfarëdo, i kopjuar dhe i ngarkuar (uploaded) në harduerin e anijes.
E megjithatë, hipoteza e një teknologjie tejet të avancuar, por më pas të harruar, nuk është e vetmja e mundshme. Anije si ato të feakasve, që e gjejnë vetë rrugën duke u orientuar sipas informacionit që kanë, dhe nuk kanë nevojë as për timon as për pilot, mund të jenë edhe thjesht sendërgjime të dëshirës më elementare të kujt udhëton në det: ku do të kishte më mirë, se një anije që ua kupton detarëve dhe udhëtarëve synimet që kanë dhe i çon në destinacion pa andralla?[4]
Nëse e shohim teknologjinë si një sistem kompleks veglash dhe zgjidhjesh praktike, për të lehtësuar punën e njeriut dhe për të kompensuar mangësitë e tij të natyrshme, mund edhe ta konsiderojmë çdo makinë e makineri si realizim konkret të një dëshire: nga luga, që realizon dëshirën për ta marrë ushqimin e lëngshëm nga pjata, te soba, që na lejon të gatuajmë.
Edhe Kali i Trojës, kjo lodër dhuratë djallëzore, që përdoret si makinë lufte, mishëron në fakt dëshirën e rrethuesve për të depërtuar në muret e qytetit. Nuk është vegël a makinë që drejtpërdrejt vret, si shpata shtiza dhe katapulta, por një model, një pseudo-statujë, një vepër arti që synon të mashtrojë, duke shfrytëzuar kontrastin mes dukjes dhe thelbit, brendashkruar kodit shenjor të epokës.
Ai “kalë” mundëson futjen e ushtrisë në qytet, njëlloj siç mundësuan anijet – vite më parë – ardhjen e ushtrive të rrethimit.[5]
Me ndihmën e dëshirës dhe të imagjinatës, hiperbola mbase i realizon më shpejt e më lehtë mrekullitë teknologjike – sidomos kur kësaj i beson edhe rrëfimtari vetë.
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me Midjourney dhe Flux. Botohet me leje te TemA.
[1] Megjithatë, pak më herët në këtë këngë, Alkinou jep urdhër që të bëhet gati, për Odisenë, një anije – të zgjidhen 52 burrat më të fuqishëm, më të mirët e Feakasve, për ta vozitur. Më tutje, Alkinou i thotë Uliksit: “do ta shohësh vetë sa më të mira janë anijet e mia nga ato të së tjerëve, dhe çfarë rremtarësh të shkëlqyer janë detarët e mi.” Kjo sikur e lë të hapur dyshimin se, kur ia përshkroi anijet feakase Odiseut pak më herët, Alkinou ia pat lejuar vetes ca zbukurime pa zarar – para një bashkëfolësi edhe ai mjeshtër i gënjeshtrës.
[2] The ships of Phaeacia and their Technology as described by Homer (bazuar në përmbledhjen “Science and Technology in Homeric Epics“, edited by S.A. Paipetis Springer, 2008.)
[3] Robotics and Artificial Intelligence in the Homeric Epics ((bazuar në përmbledhjen “Science and Technology in Homeric Epics“, edited by S.A. Paipetis Springer, 2008.)
[4] Këto anije do t’i ngjanin më shumë kalit, gomarit a devesë, se biçikletës a makinës së zakonshme; sepse kali e gomari mund ta gjejnë vetë rrugën për në shtëpi.
[5] Këtu duhet shënuar edhe teza e një arkeologu italian, Francesco Tiboni, se Kali i Trojës paska qenë, në fakt, anije. Keqkuptimi, siç ndodh në raste të tilla, i detyrohet një gabimi në përkthim, meqë hippos, siç e quanin kalin në greqishten e vjetër, ishte në fakt një lloj anijeje – fenikase – që quhej “Hippos.” Te Plini plak gjendet një shpjegim për emrin: këtë model anijesh e pat shpikur një mjeshtër i quajtur Hippus. Ndoshta për shkak të homonimisë, këto anije përdornin një kokë kali si zbukurim të bashit. Kam shkruar për këtë hipotezë këtu.
Lini një Përgjigje