Orkestra Simfonike, koncert nën tingujt e Çajkovskit dhe Korsakovit

19 Qershor 2025, 13:24Kulturë TEMA
Orkestra Simfonike, koncert nën tingujt e Çajkovskit dhe Korsakovit

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar sjell për publikun artdashës një koncert të jashtëzakonshëm në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti do të zhvillohet nën drejtimin e dirigjentes së njohur italiane Beatrice Venezi, një emër i njohur në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike .

Në program do të interpretohen dy vepra madhështore të repertorit romantik: Suita nga baleti “Liqeni i Mjellmave” e gjeniut rus Pyotr Ilyich Tchaikovsky (lex. Pjotër Iljiç Çajkovski), i njohur për ndjeshmërinë melodike dhe fuqinë dramatike të kompozimeve të tij, si dhe “Sheherazade” e Nikolai Rimsky-Korsakov, mjeshtrit të orkestracionit dhe fabulave orientale, e cila sjell në skenë një udhëtim të pasur imagjinar përmes legjendave të Lindjes së Mesme.

Është hera ime e parë në Shqipëri dhe hera e parë që punoj me këtë orkestër. Jemi tashmë në ditën e dytë të punës dhe duhet të them se është një program shumë sfidues, kjo muzikë komplekse ruse, për ta thënë kështu. Kemi një pjesë të parë të lidhur me Çajkovskin, me suitën nga “Liqeni i Mjellmave”, dhe një pjesë të dytë të lidhur me Rimsky-Korsakovin, me “Sheherazaden”. Këto janë dy kryevepra absolute të letërsisë muzikore ruse, me shumë sfida teknike për t’u interpretuar, por edhe kërkesa muzikore për të qenë shprehës. Është një sfidë e bukur dhe jam e lumtur që po e përballoj me këtë orkestër të mrekullueshme”, u shpreh dirigjentja Venezi.

Solot e violinës do të interpretohen nga violinistja Laura Llozi, e cila do t’i japë jetë rrëfimeve muzikore të Sheherazades me virtuozitetin e saj.

Të dyja veprat kanë përgjegjësi të madhe, pasi kanë shumë solo të bukura. Mendoj që është një ndër koncertet më të bukura të këtij sezoni artistik të Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar”, tha violinistja Llozi.

Për të gjithë artdashësit, koncerti do të mbahet në datën 21 qershor, transmeton rtsh.

Lini një Përgjigje