"Paraja rrëfen" vjen dhe në Shkodër

5 Mars 2026, 13:22Kulturë TEMA
"Paraja rrëfen" vjen dhe në Shkodër

“Paraja rrëfen” ishte eventi që u çel të martën në ambientet e kinemasë “Republika” në Shkodër, duke sjellë për publikun një ekspozitë të veçantë me monedha e kartëmonedha të rralla, dokumente arkivore dhe objekte origjinale që pasqyrojnë rrugëtimin financiar të Shqipërisë ndër një shekull.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore e qendrore, studiues, pedagogë, nxënës, si dhe qytetarë të interesuar për historinë ekonomike dhe institucionale të vendit.

Në fjalën e saj përshëndetëse, zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, theksoi rëndësinë simbolike të ndalesës së ekspozitës në Shkodër, duke e cilësuar qytetin si një nyje të rëndësishme të kujtesës kombëtare, të traditës tregtare dhe të qytetërimit urban shqiptar.

Ajo nënvizoi se historia e parasë nuk është vetëm histori e institucioneve financiare, por edhe histori e njerëzve, e shkëmbimeve, e besimit, e krizave dhe e ndërtimit të shtetit. Ekspozita “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë” është konceptuar si një udhëtim në kohë, përmes të cilit publiku mund të lexojë historinë e Shqipërisë nëpërmjet zhvillimit të sistemit monetar dhe të bankës qendrore.

Ajo përfshin dokumente arkivore, fotografi, kartëmonedha dhe monedha origjinale, materiale ligjore dhe dëshmi historike që nisin nga fundi i shekullit XIX, me vizionin e Rilindjes Kombëtare për një bankë shqiptare, për të vijuar me përpjekjet e para shtetformuese pas Pavarësisë, themelimin e Bankës Kombëtare të Shqipnis në vitin 1925, periudhat e luftës, ekonominë e centralizuar, tranzicionin e viteve ’90 dhe rolin e Bankës së Shqipërisë si bankë qendrore moderne.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet figurave historike dhe personaliteteve që kanë kontribuuar në zhvillimin e sistemit financiar shqiptar, si dhe transformimeve politike e ekonomike që kanë gjetur reflektim në monedhë dhe kartëmonedhë ndër dekada.

Në përfundim të fjalës së saj, Ahmetaj theksoi se kjo ekspozitë është një akt kujtese institucionale dhe një ftesë për dialog publik, duke e konsideruar paranë jo vetëm si mjet shkëmbimi, por si dëshmi historike që mbart gjurmët e pushtetit, krizës, reformës, identitetit dhe shpresës kombëtare.

Në emër të Bankës së Shqipërisë, ajo shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin me autoritetet vendore dhe të gjithë kontribuuesit në realizimin e këtij projekti, duke ftuar qytetarët e Shkodrës dhe më gjerë ta vizitojnë ekspozitën dhe të njihen nga afër me një shekull histori monetare shqiptare.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në datat 3-7 mars dhe është e përshtatshme për të gjitha grup-moshat, me fokus të veçantë në edukimin financiar dhe historik të të rinjve.

Ekspozita organizohet nga Muzeu i Bankës së Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, në kuadër të 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë. A.K./TemA

Lini një Përgjigje