PIKTURA E DITËS nga Mapo/ "Ikja e Shtërgut" e Anastas Kostandinit: Homazh figurativ ndaj novelës së Kadaresë, edhe si nderim për Lasgush Poradecin

4 Mars 2026, 17:12Kulturë TEMA
PIKTURA E DITËS nga Mapo/ "Ikja e Shtërgut" e Anastas

"Ikja e Shtërgut", Anastas Kostandini (TASO), vaj në kanavacë, 150 x 99 cm, 2021

Piktura “Ikja e Shtërgut” e piktorit të njohur Anastas Kostandini është një homazh figurativ ndaj novelës së Ismail Kadare me të njëjtin titull, kushtuar Lasgush Poradecit. Realizuar në teknikën vaj, me përmasa 150 x 99 cm, në vitin 2021, tabloja përpiqet të përkthejë në gjuhën e ngjyrës dhe formës dialogun e heshtur mes dy gjenive të letërsisë shqipe.

Vetë Kostandini ka treguar se kjo vepër lindi si një nderim i thellë për Kadarenë dhe për raportin e tij shpirtëror me Poradecin. Ai kujton vizitën e shkrimtarit në shtëpinë e tij në Pogradec për të parë tablonë, një takim i ngrohtë e intim, ku biseda u përqendrua te letërsia, arti dhe figura e Lasgushit. Sipas piktorit, “Ikja e Shtërgut” është një mrekulli letrare që i ka bërë dhuratë jo vetëm letërsisë shqiptare, por edhe vetë qytetit të Pogradecit, duke zbuluar një afri të jashtëzakonshme karakteresh dhe gjenialiteti mes dy krijuesve.

Kjo pikturë është bërë pjesë e albumit luksoz “100 Imazhe – Veprat e Kadaresë në Artin Figurativ Shqiptar”, botuar nga UET Press më 28 janar 2026, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh. Po ashtu, në vitin 2025, në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të Kadaresë (1 korrik 2024), UET Press botoi albumin “100 Portrete – Kadare në Artin Figurativ”, ku shkrimtari vjen i portretizuar nga penelat e piktorëve të shquar shqiptarë si Kilica, Dilo, Fushekati, Dine, Ahmeti e të tjerë.

Të dy albumet janë pjesë e projektit 5-vjeçar të UET Press “Kadare në Artet e Tjera”, i cili synon të sjellë, përmes dokumentimit dhe hulumtimit shkencor, ndikimin që shkrimtari dhe letërsia e tij kanë pasur në artet shqiptare që nga fillimet e krijimtarisë së tij e deri më sot. /Mapo.al/

Lini një Përgjigje