Parku Arkeologjik i Antigonesë, një nga destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë historike në jug të vendit, po njeh një rritje të numrit të vizitorëve këtë sezon turistik.
Sipas drejtuesit të parkut, Shkëlqim Guçe, ky sezon turistik ka sjellë një rritje vjetore të dukshme të numrit të vizitorëve, rreth 20% më shumë krahasuar me një vit më parë, duke e kthyer parkun në një pikë tërheqëse jo vetëm për turistët vendas, por edhe për të huajt.
“Falë promovimit që po i bëhet Parkut Arkeologjik pothuajse nga të gjitha institucionet, sidomos nga Drejtoria Rajonale nëpërmjet rrjeteve sociale, ka një vizitueshmëri më të lartë krahasuar me vitin 2024. Rreth 20% më shumë.
Kjo për arsye sepse është përmirësuar edhe mënyra e menaxhimit të parkut arkeologjik, falë edhe punës sistematike që kemi bërë nga viti në vit. Ky park që dominon jo vetëm Luginën e Drinos por në Shqipërinë e jugut në tërësi, është si destinacion shumë i rëndësishëm për vizitorët. Kanë dominuar vizitorët francezë në këtë stinë. Vizitueshmëria vazhdon të jetë normale”, deklaroi Guçe.
Antigonea po vazhdon të fitojë vëmendjen e vizitorëve falë vlerave historike dhe potencialit turistik që ofron. Rritja e vizitorëve këtë sezon është një tregues se parku ka mundësi të mëdha zhvillimi, ndërsa sfida mbetet promovimi i mëtejshëm i këtij destinacioni unik.
- RTSH-
Lini një Përgjigje