
Pasi lexova tri librat e Ervin Hatibit, dy me poezi dhe një me publicistikë, si me porosi dhe një intervistë e tija prej disa faqesh në ExLibris, ku më tërhoqi ky reagim: “Në një farë mënyre, përherë kam qenë përballë, thjesht andej perdes. Unë jam mësuar që kalama të mos ma konsiderojnë praninë, që fill sa botova librin e parë e pastaj asgjë vite me radhë e kështu dhe pas librit tjetër, e tjetrit, periodikisht.” Duket qartë ankesa e një autori i lënë në hije, duke mos qenë korrekt me të vërtetën.
Për librin e tij të parë ka shkruar Ismail Kadare, ku përshëndet dhe “aradhën e re” të poetëve. Ky pagëzim ngjan me një ngritje sipari dhe jo fshehje pas perdes. Me sa duket ai e vuan mungesën e mëtejme të vëmendjes, shprehur dhe tek ky titull poezie: “Në një dhomë ndodhej dikur një njeri që nuk shihej nga askush”. Pasuar nga vargjet: “Kush ngriti lart veten me nderime/Iu lehtësua rruga për mëkate, lajthime.” Njësoj si t`i ngrohësh sytë me reklama, ku “pas çdo shtylle fshihen puthje studentore”.
Në librat e tij s`mund të mos bjenë në sy disa poezi thuajse me të njëjtin titull: “Edhe njëherë mbi çmimin e bananeve”, sikurse libri me shkrime gazete “republick of albanania”, duke më kujtuar vizitën në ekspozitën Moma të Nju Jorkut ku në një faqe muri të pavionit të artit modern abstrakt ishte vendosur një banane. Frymëzimin ai s`e merr nga realitet sublime, të llojit epik, edhe një procesverbal i futur në një dosje apo patatja e nxit të shkruajë. “Kryeqyteti shtrihet tamam mbi rrënojat e një çerdhe fëmijësh, ish-shtëpi e rilindasit vjershëtor Hil Mosi. Mbase duke patur parasysh pikërisht simbolikën që mbartte ky truall u zgjodh aty nga viti `80 për të mbartur kryeqytetin. Ndërtimet i udhëhoqi një vajzë e re shqiptare, e cila fillimisht projektoi hamamin, kafenenë, dhe një tyrbe për shpirtin e të atit të saj, që hoxhë i rëndësishëm që shtypte paranë, shpërndante karafila të magjepsur e vazhdimisht shkruante pamflete mjaft popullore për kohën.”-shkruan ai, duke preferuar që në vend të kalasë të vihet hamami, në vend të pallatit mbretëror një çerdhe fëmijësh dhe në vend të shtetarëve e politikanëve institucioneve e selive, zgjedh një tyrbe e një hoxhë, duke shtruar pyetje të tilla: “Nano kryeministër mund të ketë një ditë dëshirën surrealiste por të sinqertë, të shkoj për pelegrinazh në Mekë?”, “Sa burra të politikës agjeruan këtë muaj?” Sikurse zgjedh të rrëfejë dhe këtë histori nga fëmijëria e tij ku si “pionier i Enverit” e zgjedhin t`u jepte lule udhëheqjes së kohës: “U duhesha për kolor” ngaqë fëmijtë flokëverdhë ishin në pakicë, ironizon ai. Desh ta hiqnin nga lista, “nga klasa e pestë në klasë e të deklasuarëve”, por, me këmbënguljen e së ëmës nëpër zyra, vihen në punë telefonat dhe vjen urdhëri t`u bashkohet shokëve. “Kisha mbetur si i hutuar me lulet e mia...Kur ja midis tallazisë plot me fëmijë shallakuq...shquaj nga larg konturet e një gruaje të veshur me të zeza, mbetur ca larg grumbullit. Ishte Nexhmije Hoxha, një grua të cilës atë vit sapo i kishte vdekur burri...Ajo i mori lulet dhe tha zëulët diçka që duhej të ishte falenderim. U ndjeva i realizuar, i mirë.” Nuk denjon t`ia përmend emrin burrit të së vesë së diktatorit, por në shkrime ndesh emrat e Kadri Hazbiut, Llambai Ziçishtit, etj.
Në një gazetë më parë, Rita Petro, si botuese shprehet: “Kam filluar të mendoj një plan konkret që do e kem gati në janar besoj. Ideja fillestare që më lindi është se kemi nevojë të fokusohemi tek poezia e viteve `90, veçanrisht të atyre poetëve të rinj që u rebeluan të parët gjatë këtyre viteve dhe krijuan një art larg skemave të socrealizmit.” Më bëri përshtyje “poet rebelë”, kur “aradha e re” është përshëndetur nga Ismail Kadare me promovimin e Ervin Hatibit. Gjithsesi, angazhimi i një botuesje, për të promovuar autorë të rinj të viteve `90, domethënë këtu e 35 viteve më parë, kur asnjëri prej tyre s`është më i ri, të duket disi paradoksale, por në letërsi asnjëherë s`është vonë, nëse duhet vënë në vend një padrejtësi. Në shkrimi me titull: “Në kërkim të avangardës së humbur” Ervin Hatibi vë në dukje: “Mendoj se gjithsesi një lloj sekti apo tribuje poetësh e jo vetëm, populloi nevojën për ndryshim radikal në shkrim në fillimet e hapjes së Shqipërisë.”, duke mos fshehur dhe një lloj mosbesimi se haka s`ka për të shkuar tek i zoti: “Me sytë përdhe, na duhet ftohtë t`u japim dorën si në ceremoni pajtimesh gjaqesh atyre që nuk shohin hiç avangardë këtu, dhe vendin bosh ia japin Lasgushit & Migjenit apo Gaspër Palit apo triumviratit poetiko-industrial të viteve `60 (Kadare-Agolli-Arapi.)”
Në librin “Perdja” Kundera shkruan si me porosi dhe për hallin në fjalë: “Pikasoja ishte njëzet e gjashtë vjeç kur pikturoi tablonë e vetë kubiste: shumë piktorë të tjerë nga e mbarë bota iu bashkuan atij dhe e ndoqën...Kur të rinjtë hidhen në sulm kundër ideve të njohura, formateve të konsoliduara, atyre u pëlqen ta bëjnë në grup...Në një solidaritet gazmor, surrealistët e përshëndetën më 1924 vdekjen e Anatole France-it përmes një pamflei nekrologjik idiot që do të mbahet mend gjatë: “Sivëllezërit e tu kufomë nuk i kemi qejf!...Qoftë e bekuar dita kur ta varroset dredhia, tradicionalizmi, patriotizmi, oportunizmi, skepticizmi, realizmi dhe zemërftohtësia!...Ky që sapo cofti...i ardhtë radha dhe u bëftë hi!”..., por ngutem të shtoj se ata të të rinj, që shurruan mbi kufomën e një shkrimtari të madh, nuk rreshtën prapëseprapë së qëni poetë të vërtetë, poetë të denjë për t`u admiruar.”-e përmbyll Kundera. Falen të gjitha, nëse panteonit i shtohen dhe emrat të denjë. “Madje vjen çasti kur Pikasoja plaket. Është vetëm, i braktisur nga miqtë, i braktisur dhe nga historia e pikturës, e cila ndërkohë ka marrë drejtim tjetër...duke e ditur se e reja nuk gjendet vetëm përpara autostradës së madhe, por edhe në të majtë, në të djathtë, lart, poshtë, përpara, në të gjithë drejtimet e mundëshme të kësaj bote të paimitueshme që i përket veç atij. (Në të vërtetë, askush nuk do ta imitojë Pikason: të rinjtë imitojnë të rinjtë; pleqtë nuk i imitojnë pleqtë).” Kundera i referohet dhe një shembulli të dytë, Sartrit, i cili mërinë dhe xhelozinë për Kamyn, pasi ai mori çmimin Nobel, do e shpreh me tallje: “një fshatar i veshur si për ditë feste”. Ndërkohë jep dhe një shembull të tretë, nisur nga një anketë, se cilët ishin 12 librat që bënë Francën. Nga “Të mjerët” e Hugoit deri tek “Kujtimet” e De Golit. “Shumë pak nga ajo që ne e quajmë letërsi moderne, asgjë fare nga poezia moderne.” Mendojeni: kjo ndodh në Francën ku kanë lindur të gjitha rrymat letrare, të cilat vijnë tek ne pasi kanë dalë nga qarkullimi...
Respekte Vinit! Mos t kete merak punen e hakës se tek i zoti shkon gjithnjë...ku tjetër
Në fushën e artit të gjitha vuajtjet e krijuesve vijnë nga egoizmi dhe asnjë sëmundje nuk shërohet pa gjetur e luftuar shkakun. Egoizmi edhe njeriun e madh e ul në përmasat e miut.