Vepra më lart e titulluar, “Bashçarshija” nga Agron Polovina, paraqet zemrën historike të Sarajevës në një interpretim ekspresiv dhe plot gjallëri.
Stili i Polovinës është qartësisht impresionist-ekspresiv: ngjyrat janë të pasura, peneli i lirë dhe forma më tepër e ndjerë sesa e përkufizuar. Piktura nuk synon realizmin fotografik, por emocionin dhe frymën e Bashçarshisë – një vend ku historia, kultura dhe jeta e përditshme bashkëjetojnë në harmoni.
Agron Polovina i përket grupit të piktorëve shqiptarë të formuar në Akademinë Shqiptare të Arteve, në Tiranë, në atelienë e grafikës (1983). Ai ka drejtuar më parë Galerinë e Arteve Edward Lear, Departamentin e Grafikës së Liceut Artistik dhe Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Bashkisë, të gjitha në Berat.
Tablotë e Polovinës kanë ritëm dhe magji, ato karakterizohen nga një dizonancë koloristike ekspresive. Aftësia për të gjetur dhe paraqitur imazhet e figurave legjendare, jetën e përditshme të qytetit, lojës gjithmonë e më misterioze të harmonisë së ngjyrave, është prirja e përditshme në krijimtarinë e artistit.
Piktori qëndron shpesh mbi një “urë” të ndërtuar prej tij prej 10 vjetësh, ndërmjet abstraktes dhe reales, në raportin ndërmjet imazhit e hijes dhe paraqitjes së figurës në tri përmasa.
Duke qëndruar në këtë “urë” Polovina me kujdes vëzhgon prurjet e fantazisë së tij dhe realizon veprat, duke mbajtur një ekuilibër të brishtë ndërmjet ekspresionizmit dhe abstraksionit, dadaizmit dhe realizmit; duke respektuar trashëgiminë e artistëve të traditës. /mapo/
Lini një Përgjigje