Pëllumb Kulla bëhet nostalgjikë në ditlindjen e djalit: Kush e ngriti Flamurin, o bir ?

6 Dhjetor 2024, 16:52Kulturë TEMA

 

Pëllumb Kulla bëhet nostalgjikë në ditlindjen e djalit: Kush

Sot, në Ditlindjen tënde Flladi, biri im, m’u gjend nëpër duar, rastësisht, kjo fotografi.

Dhe më kujtoi bukurinë e një stafete që njerëzimi e ka përcjellë miliarda herë.

Kështu siç po i mbani ju fëmijët tuaj, ju mbanim dikur ne, juve.

Tani ti, i ke kaluar të pesëdhjetat, por unë të sjell ndërmend të mitur, në kopshtin e fëmijëve, përballë shkollës industriale, në Fier… Unë lija provat dhe nxitoja të të merrja ty nga kopshti. Ti ishe më i rritur se jot bijë, që ke në krahët e tu. Të merrja për dore dhe të dy i drejtoheshim shtëpisë, ku na priste mami Xhuli për drekë. Duke ecur, ti më tregoje tërë ndodhitë e asaj dite në kopësht. Ishin të shumtë tregimet e tu që më kënaqnin.

Duke parë këtë foto, m’u kujtua njëri prej tyre.

“Sot,“ po më rrëfeje ti në një ditë fundnëntori si kjo, “edukatorja na tregonte se si para shumë e shumë vitesh, u ngrit flamuri në Vlorë… E ajo na pyeti njërin pas tjetrit, se cili qe ai burri i madh që e ngriti… Mësuesja nuk ishte e kënaqur nga përgjigjet…”

“Nga përgjigjet tuaja?’ të pyeta unë.

“Tonat,” the ti, “por edhe tuajat ishin ato. Ajo po kuptonte se si e qysh na e kishit mësuar ju, prindërit. Nuk ishte e kënaqur se në grupin tone, ca thoshin që flamurin e ngriti Ismail Qemali… Ca përgjigjeshin: Qemal Stafa.”

Unë ndalova ecjen dhe të pyeta: “Po ti, o bir? Ti, si u përgjigje?”

Ti nuk ma dhe menjëherë përgjigjen. Dukeshe ca në hall. Më pe drejt e në sy mua, që po prisja dhe belbëzove i pasigurtë:

            “Unë… unë thashë: Qemali! Vetëm Qemali, thashë unë!”

Dhelpëri e vockël! Nuk e di se përse sot më erdhi ndërmend ky kujtim i këndshëm.

Sot, në këtë moshë, besoj duhet ta dish, Flladi im, se cili nga Qemalët…

Gjithsesi, unë të dua shumë… Sido që ta dish!..

 

2 Komente

  1. J
    Jugu

    Po cfare eshte kjo o Pullumb? Cdo te thuash e cdo te molloisesh? Djali te mesoj vajzen e tij ne SHBA se kush e ngriti flamurin se vendit te tij ja beri naften bashk me ty. Tani nga large na argeton me fejtonet e tua ashtu sic na argetoje me fejtonet e kohes se Dulles, por ato te pakten kishin ca krip.

    Përgjigjjuni
    1. E
      Edhe 100 Fllad kingu i Nderuari P:Kulla

      Te dy femijet i kane si Yje ,cifti Artisteve tane. Rrofsh i Madhi Pellumb e Xhuli Kulla ,shendet e jet gezofshi bashke me ata dy yjet tuaja Femijet .

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje