Pak përpara se të ndahej nga jeta në vitin 2016, Umberto Eko kishte përgatitur për botim një vëllim me ese të titulluar “Pape Satán Aleppe: Cronache di una società liquida.” Ishte një dhuratë e fundit për lexuesit, që përmbante ese të botuara përgjatë viteve në rubrikën “La bustina di Minerva” të revistës së përjavshme italiane “L’espresso.” Esetë marrin shtysë nga konceptualizimi i asaj që sociologu dhe fiolozofi polak Zigmund Bauman (Zygmunt Bauman) pati emërtuar si shoqëri likuide ne librin e tij “Moderniteti Likuid,” botuar në vitin 2000.
Në esenë e mëposhtme të botuar në vitin 2002, Eko analizon dëshirën e qenieve njerëzore për t’u bërë të njohur. Duke nisur me dëshirën e natyrshme për famë përmes zotësive dhe talenteve (reale ose të ekzagjeruara), Eko analizon zbehjen graduale të dallimit mes të qenit ‘i njohur’ dhe ‘i përfolur’ në shoqërinë moderne. Ai merr shtysë fillimisht nga dëshira e njerëzve për t’u parë nga kamera, qoftë edhe pas shpinës së dikujt që po intervistohet, apo për të marrë pjesë në programe televizive vetëm për famë dhe jo për të treguar ndonjë aftësi të veçantë. Duke qenë se periudha në të cilën eseja është shkruar i përket fillimeve të aksesit publik në internet, Eko bën edhe një parashikim të zëvendësimit të dëshirës për popullaritet lokal me atë të audiencës globale, duke mos qenë shumë larg të vërtetës që po dëshmojmë
Përshëndete Kamerën!
Teksa ndërgjegjësohem për ngrohjen globale dhe zhdukjen e stinëve si pranvera e vjeshta, dhe këtë ma konfirmojnë artikuj të shkruar nga persona me autoritet, pyes veten se si do të reagojë nipi im, i cili ende nuk ka mbushur dy vjeç, kur të dëgjojë fjalën “pranverë,” apo kur në shkollë të lexojë poezi për melankolinë e vjeshtës. Si do të reagojë ai në të ardhmen ndaj “Katër Stinëve” të Vivaldit? Ndoshta ai do të jetojë në një tjetër botë, me të cilën do të jetë plotësisht i mësuar dhe pranvera nuk ka për t’i munguar. Tek e fundit, si fëmijë, as unë nuk i kam parë e përjetuar dinosaurët e, prapëseprapë mund t’i përfytyroja. Ndoshta pranvera s’është veçse nostalgjia e një të moshuari, si ajo për netët e kaluara duke luajtur kukafshehti në strehët kundërajrore.
Do të mundet vallë ky fëmijë i së ardhmes ta quajë normale jetesën në një botë ku virtyti kryesor do të jetë që të shihesh nga të tjerët; vlerë kjo, më e rëndësishme edhe se sa seksi apo paratë? Një botë ku njerëzit do të jenë gati të bëjnë gjithçka që të shihen në televizion ose çfarëdo mediumi që mund ta ketë zëvendësuar televizionin gjer atëherë, vetëm e vetëm që të jenë të njohur dhe të mos vegjetojnë nën peshën e frikshme e të papërballueshme të anonimitetit. Një botë ku gjithmonë e më shumë nëna të respektueshme do të jenë gati të rrëfejnë edhe historitë më të pahijshme familjare nëpër emisione historish prekëse, vetëm e vetëm që të nesërmen t’i njohin tek dyqani i lagjes dhe t’iu kërkojnë autografë? Një botë ku vajzat e reja do të thonë se duan të bëhen aktore, siç thonë edhe sot, por jo për t’u bërë Marlene Ditrih (Marlene Dietrich) apo Greta Garbo e radhës, as për të performuar Shekspirin apo për të kënduar si Xhozefin Bejkër (Josephine Baker), veshur vetëm me banane në skenën e Folies Bergère por, vetëm për të qenë një ‘quiz girl’ në televizion, thjesht për spektakël, pa asnjë lloj talenti.
Do të duhet atëherë që dikush në të ardhmen t’i spiegojë këtij fëmije në shkollë, krahas mësimeve për mbretërit e Romës dhe rënien e Berluskonit, apo për filma si “C'era una volta la Fiat”; se si qeniet njerëzore, qysh nga antikiteti, kanë dashur gjithmonë të njihen nga të tjerët rreth tyre. Se si disa përpiqeshin të ishin bashkëbisedues interesantë tek bari i lagjes, ndërsa të tjerë kërkonin të shkëlqenin në futboll ose si qitës të zotë në festivalet e zonës, apo të mburreshin për peshkun e madh që mund të kishin kapur. Se si vajzat donin të binin në sy për kapelën e bukur që kishin mbajtur veshur në ceremoninë e së dielës në kishë; gjyshet donin të njiheshin si kuzhineret apo rrobaqepëset më të mira të fshatit. Dhe mos e dhëntë zoti të mos ketë qenë kështu, sepse për t’u bërë të njohur, njerëzit duhet të tërheqin vëmendjen e Tjetrit dhe sa më të njohur të jenë, aq më të dashur e të admiruar bëhen për Tjetrin – dhe, nëse në vend të vetëm një Tjetri admirohen nga qindra ose mijëra të Tjerë, akoma më mirë.
Kështu, në kohën e lëivizjeve të mëdha e të pandalshme, kur njerëzit lënë fshatrat dhe humbasin sensin e shtëpisë dhe Tjetri është thjesht dikush me të cilin komunikojnë përmes internetit, do të jetë e natyrshme për qeniet njerëzore të kërkojnë të bëhen të njohur në mënyra të tjera. Dhe kështu, sheshi i fshatit nis e zëvendësohet nga audienca globale e transmetimeve televizive, apo gjithçka që do të vijë më pas.
Por, ndoshta edhe mësuesit e ardhshëm dhe ata që mund t’i zëvendësojnë, nuk do të mund të kujtojnë se në të shkuarën kishte një dallim të qartë mes të qenit i njohur dhe të qenit i përfolur. Dikur çdokush donte të ishte i njohur si harkëtari më i zoti ose valltari më i mirë por, askush nuk donte të përflitej si brinari më i madh i fshatit, si impotent apo si kurvë. Përkundrazi, kurva do të pretendonte se qe kërcimtare, ndërsa impotenti do të sajonte histori aventurash seksuale të ekzagjeruara. Nëse bota e së ardhmes do t’i përngjajë ndopak asaj çfarë është duke ndodhur, dallimi mes të qenit i njohur dhe i përfolur do të zhduket. Njerëzit do të bëjnë gjithçka “për t’u parë,” dhe “për t’u përfolur.” Nuk do të ketë më dallim mes famës së një imunologu të rëndësishëm dhe asaj të një të riu që vret nënën e tij; mes dashnorit të zjarrtë dhe burrit që fiton kampionatin botëror për penisin më të shkurtër; mes atij që trajton lebrozët në afrikë dhe dikujt që nuk paguan taksat. Në këtë drejtim, gjithçka do të vlejë për sa kohë ndihmon që të shihesh nga të tjerët dhe të nesërmen të njihesh nga shitësi i lagjes ose sportelisti i bankës.
Do të doja të pyesja cilindo që mendon se po tregohem apokaliptik se përse sot, njerëzit kur gjenden pas shpinës së dikujt që po intervistohet, kërkojnë me patjetër të shihen teksa përshëndesin me dorë kamerën, ose përse marrin pjesë në një ‘quiz show,’ duke e ditur që nuk ka për t’iu ndryshuar jetën, ashtu sikurse një dallëndyshe e vetme nuk sjell pranverën. Po ç’rëndësi ka? Do të bëhen gjithsesi të njohur.
Megjithatë, nuk po tregohem apokaliptik. Ndoshta, fëmija të cilit iu referova do të bëhet ndjekës i ndonjë sekti të ri, synimi i të cilit do të jetë fshehja nga sytë e botës, mërgimi në shkretëtirë, tërheqja në ndonjë manastir, apo dinjiteti i heshtjes. Në fund të fundit, kjo ka ndodhur një herë, në mbyllje të një epoke kur perandorët nisën të caktonin kuajt si senatorë. (Përkthyer për TemA nga Bjorn Runa)
Jo ore, tash jane bere aq shume televizione dhe gazatare, sa eshte e veshtire ta kalosh rrugen prej tyre duke te lutur per te folur diqka para kamerave. Edhe pensionistet jane ngopur me ta.