Po intelektualët kush do t'i shpëtojë?

13 Qershor 2025, 20:52Kulturë Ardian Vehbiu

Te një ese botuar në Tema (A do të na shpëtojnë intelektualët?), Altin Gjeta argumenton se nuk mund të presim shumë prej intelektualëve në politikë, meqë këta (1) kanë prirje siç duket profesionale për t’u bërë pjesë e strukturave sunduese dhe (2) kanë prirje të qëndrojnë larg risqeve që paraqet sipërmarrja private, prandaj pushteti është strehë e natyrshme e tyre. Veçanërisht në Shqipëri, thotë ai, kërkimi i shpëtimit tek intelektualët u bazuaka në premisa të gabuara, meqë “Shqipëria nuk ka një shtresë intelektuale gjenuine”, sa kohë që ka trashëguar “inteligjencën e regjimit komunist”, dhe nga ana tjetër, “ata profesionistë që prodhojnë mendim art dhe shkencë kanë zgjedhur të ikin apo të mos flasin”. Prandaj “intelektualët tanë janë pjesë e problemit”.

Meritë e këtij shkrimi është problemi që ngre; por jo shumë më tepër. Autori e merr si të dhënë primare “intelektualin”, edhe pse ky nuk është se lind i tillë dhe as emërohet ashtu nga pushteti – por ka nevojë për kushte të caktuara që të ekzistojë dhe të riprodhojë veten. Prandaj edhe duhet dhe pastaj mbajtur me kujdes parasysh një përkufizim i intelektualit që ta dallojë këtë edhe nga politikani, edhe nga profesionisti i dijes.

Nëse pranojmë tani – me marrëveshje – se intelektual është ai njeri i mësuar që prodhon mendim kritik në publik dhe i bën pyetje pushtetit, atëherë do të pranojmë edhe se shoqëria sot i ka reduktuar rrethanat ku intelektuali mund të shfaqet – meqë edhe mendimi kritik edhe pyetjet për pushtetin kanë nevojë për platforma, të cilat sot po bëhen përditë e më pak relevante (platforma të tilla ku, për shembull, mendimi kritik të mos ngatërrohet me “kriticizmin”). Përndryshe, nuk mund të quash platforma të mendimit intelektual talk show-t argëtuese dhe kohë-vrasëse që organizohen përnatë nga televizionet komerciale, dhe as mediat sociale si Facebook-u.

Ideja se intelektualët duhet të vijnë/të ftohen në pushtet qarkullon prej kohësh, por më shumë ngaqë e ushqejnë pushtetarët vetë; përndryshe, intelektualët do të kënaqeshin me pushtetin intelektual, nëse këtë e arrijnë dhe e mbajnë. Natyrisht, një post ministri ose drejtori nuk i shërben intelektualit, përveçse për t’iu shmangur përgjegjësisë para publikut të vet, edhe kur nuk i shërben për të blerë një shtëpi në Palasë; meqë nga politikanët, në çdo rast, është gjithnjë e udhës të kërkosh profesionalizëm dhe integritet moral, por jo ndriçime të mendjes.

Epokën e sotme, të paktën në Shqipëri, unë madje do ta quaja si anti-intelektuale, sa kohë që autoriteti i institucioneve të dijes, i shkencës vetë dhe i traditës mund të nëpërkëmbet nga çdo fantazist ambicioz, me talent populist. Lulëzimi i anti-dijes, nën maskën komike të antikonformizmit, ka efekt të dyfishtë, meqë jo vetëm ua lëkund statusin intelektualëve, por edhe i detyron këta që të vihen në mbrojtje të traditës, në vend që ta çojnë këtë përpara duke e marrë edhe në pyetje; dhe vini re se kjo nuk lidhet me atë që vijnë apo nuk vijnë në pushtet “intelektualët”, sepse këta nuk e ushtrojnë dot më vokacionin e tyre edhe pa qenë në pushtet, dhe jo më nga kolltuku i autoritetit administrativ, ku mezi do të gjenin fuqinë për t’u zhvendosur nga një gosti me mish te gostia tjetër me peshk.

Një pjesë e publikut sot konsideron “intelektualë” disa individë që marrin përsipër të flasin shpesh dhe mbarë e mbrapsht për gjëra “kombëtare”, të frymëzuar nga paranoja, mania e persekutimit dhe deliri i madhështisë; njerëz që, zakonisht pa ndonjë kredencial akademik, merren me historinë e gjuhës, me historinë dhe parahistorinë e popullit shqiptar dhe të kulturës së tij, me mbishkrimet e lashta dhe origjinat e popujve të Ballkanit, me gjuhën që fliste Homeri, me origjinën e grekëve e kështu me radhë. Të gjithë i njohim këta individë, që kujtojnë se po i kundërvihen dijes së vjetruar dhe të korruptuar duke vënë në vend padrejtësi të panumërta në kacafytje me agjenturat serbe, greke dhe ndonjëherë edhe bullgare (ose të paktën hiqen sikur), paçka se në fakt kërkojnë të ndikojnë në publik dhe, ndonjëri prej tyre, edhe ndërrim të establishmentit akademik. I sheh në televizione mbrëmjeve, edhe duke artikuluar absurditete të fuqishme, të cilat konsumohen lirisht nga shikues tashmë dihatës.

Edhe pse duken sikur, për nga pasioni dhe qasja, këta duan të vazhdojnë traditën iluministe të të Rilindjes kombëtare, në të vërtetë nuk janë veçse zombie, që vazhdojnë – me fantazitë dhe halucinacionet e tyre – beteja të kamotshme (si ato kundër Perandorisë Osmane, mundësisht për të rimarrë Konstandinopojën), duke “u përleshur” me zombiet e anës përtej, me te cilët janë në marrëdhënie transfuzioni reciprok. Me këmbënguljen e tyre gati prej insekti, e kanë shndërruar historinë kombëtare në një përrallë që tani prodhon mërzi, kur nuk prodhon ekstremizëm.

Që të jetë i pranishëm në sferën publike, intelektuali – ai i mirëfillti – nuk mjafton që të artikulohet, me shkrim a me gojë; ka nevojë edhe për një ekosistem, të cilin nuk e krijon dot ai vetë; dhe këtu e kam fjalën sidomos për tekste, artikulime dhe pozicione të së tjerëve, të cilat ai do t’i çojë më tej, do t’i kritikojë a do t’i hedhë poshtë, gjithnjë në dialog me to dhe autorët e tyre. Me fjalë të tjera, ka nevojë për një atmosferë dialogu intelektual të pandërprerë, e cila mbahet në këmbë me vullnetin e mirë të publikut, të mass mediave, të pushtetit dhe të operatorëve të kulturës. Edhe sot, kur dëgjon shumë që të ankohen se “nuk ka intelektualë”, në fakt ajo që mungon është atmosfera e nevojshme për lulëzimin dhe riprodhimin e diskursit dhe dialogut intelektual.

Për këtë arsye, një mënyrë tashmë e sprovuar për ta zhvlerësuar këtë diskurs dhe për ta shtyrë në periferi të vëmendjes publike është përmbytja e mass mediave nga ligjërimi politik dhe ligjëruesit përkatës, të cilët i gjen çdo mbrëmje, në kanalet kryesore TV, duke i folur njëri-tjetrit për të argëtuar publikun (“unë të dëgjova ty dhe nuk të ndërpreva, tani mos më ndërpre ti mua”), por pa përftuar as dije as vetëdije. Një varfëri e tillë e mendimit dhe e fjalës nuk ka ekzistuar as në totalitarizëm, ku shpesh ndrydhja e lirisë së fjalës publike kompensohej me artikulimin ndonjëherë mbresëlënës të ligjërimit privat dhe gjysmë-privat. Përkundrazi, banalizimi i sotëm i debateve dhe personalizimi i kundërvënieve shënjojnë katastrofën e mendimit origjinal, fjalës që guxon dhe argumentit që të grish edhe kur të sfidon. Në një kohë që në politikë demokracia është degraduar në numërim mekanik votash dhe diktaturën monotone dhe kaba të një pakice brenda shumicës, në sferën e ideve dhe të kulturës po u njihet haptazi primati masave me celular në dorë, që popullojnë sheshet e zhurmshme të rrjeteve sociale, prej të cilave pritet që të vendosin me votë për çështje të historisë, të gjuhësisë, të dijes e ndonjëherë edhe të shkencës (si vaksinat).

Por shumë nga ata që ankohen se nuk ka (më) intelektualë si dikur, në fakt janë duke kërkuar pavetëdijshëm dy figura të tjera, që tradicionalisht kanë udhëhequr mendjet e shqiptarëve: klerikun dhe mësuesin, si mishërime tipike të njeriut të mësuar. Edhe atë ndikim tradicional që kishin klerikët në jetën sociale, e humbën dora-dorës, gjatë viteve të totalitarizmit, për t’i hapur vend dhunshëm ndikimit të komisarëve dhe të agjitatorëve; ndërsa fati i hidhur i mësuesit, si personazh publik, do të vendosej pas 1990-ës, kur profesioni dhe prestigji i tij u deklasuan. Humbja e klerikëve dhe e mësuesve e la shoqërinë shqiptare intelektualisht jetime; dhe injeksionet nga jashtë, në formë grantesh dhe idesh, nuk kanë mjaftuar as mund të mjaftonin për t’i mbajtur në këmbë intelektualët; pa folur pastaj për litanitë e vampirëve të kombëtarizmit, që një natë u ngrysën poetë dhe u gdhinë të nesërmen ideologë.

Sot në rrafshin e epërm të shoqërisë shqiptare gjen ata që kanë vërtet pushtetin dhe paranë e madhe, përfshi edhe oligarkët dhe personazhet me lidhje të forta me botën kriminale, që nuk duan t’ia dinë as për intelekt as për intelektualë; ndërsa në rrafshin poshtë tij mblidhen viktimat e folklorit kombëtarist, të organizuar rreth kulteve me natyrë historike. Duke pasur sot pushteti politik natyrë populiste, të paktën në marrëdhënie me konstituencën e vet, çdo lloj veprimtarie mirëfilli intelektuale do të shihet vetvetiu si armiqësore, sa kohë që vë në dyshim mitet simpliste, të reja dhe të vjetra, rreth të cilave organizohet arsyeja patriotike; në një kohë që opozita, e cila në fakt shërben si një nga kolonat ku mbështetet pushteti, vrapon të përqafojë çdo lloj kauze kritike ndaj realitetit, me shpresë se mund ta përdorë kundër “qeverisë”.

Të vjen të besosh që sot në Shqipëri intelektualë nuk ka më – edhe pse ka dhe me siguri do të ketë njerëz të dijshëm e të urtë, me integritet moral dhe të gatshëm për t’i shërbyer publikut, që në rrethana normale do të funksiononin si intelektualë. Periudha fill pas përmbysjeve të vitit 1990, kur u duk sikur mendimi i lirë, intelektual, po i jepte tonin ligjërimit publik dhe po mundësonte një gjykim kritik gjithëpërfshirës të vetëdijes kombëtare është zëvendësuar tashmë nga një aktivizëm i llojit performativ, kur mendimit ia ka lënë vendin veprimi dhe debatit të argumentuar eventi televiziv argëtues; çfarë edhe ia hap rrugën fashizmit. Prandaj më kumbon në mendje Migjeni kur thotë se “Në vendin tonë/ kudo valojnë/ flamujt e një melankolie/ të trishtueshme… …dhe askush s’mund të thotë/ se këtu rron/ një popull që ndërton/ diçka te re.”

(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Leonardo.ai. Botohet me leje te TemA.

3 Komente

  1. P
    Pa e lexuar

    I shpeton Vampiri.

    Përgjigjjuni
    1. L
      LIONEL MESSI

      Se pari, si autori i shkrimit, ashtu edhe i kritikuari prej tij ( Altin Gjeta ), duket se nuk e kane te qarte permbajtjen dhe as funksionin e fjales intelektual. Ky Gjeta duket qarte qe i perket asaj kategorie shoqerore qe " jane qire ne koke " keto 35 vjet dhe qe besojne se " inteligjenca e regjimit komunist " nuk kishte inteloektuale ". Intelektual nuk te ben as regjimi dhe as fakti qe mban " qendrime kritike ". Sot, me shume se kurre, permbajtja dhe roli i intelektualit po zvogelohen dhimbshem pasi popujt po i marrin " dijet " dhe " orientimet " nga mediat sociale ( apo qofte edhe nga TV ) ku dominon komercializmi dhe budallalleku fshataresk, ku numri pambarimisht i madh i budallenjve, injoranteve dhe ekzibicionisteve konkurojne kush e kush te jape me shume mend e gjykime, qe, ne fakt, nuk jane gje tjeter vecse corientim dhebudallallepsje e publikut, vecanerisht e rinise.

      Përgjigjjuni
      1. L
        LIONEL MESSI

        Se pari, si autori i shkrimit, ashtu edhe i kritikuari prej tij ( Altin Gjeta ), duket se nuk e kane te qarte permbajtjen dhe as funksionin e fjales intelektual. Ky Gjeta duket qarte qe i perket asaj kategorie shoqerore qe " jane qire ne koke " keto 35 vjet dhe qe besojne se " inteligjenca e regjimit komunist " nuk kishte inteloektuale ". Intelektual nuk te ben as regjimi dhe as fakti qe mban " qendrime kritike ". Sot, me shume se kurre, permbajtja dhe roli i intelektualit po zvogelohen dhimbshem pasi popujt po i marrin " dijet " dhe " orientimet " nga mediat sociale ( apo qofte edhe nga TV ) ku dominon komercializmi dhe budallalleku fshataresk, ku numri pambarimisht i madh i budallenjve, injoranteve dhe ekzibicionisteve konkurojne kush e kush te jape me shume mend e gjykime, qe, ne fakt, nuk jane gje tjeter vecse corientim dhebudallallepsje e publikut, vecanerisht e rinise.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje