Poetë në perëndim (V)

25 Janar 2026, 17:37Kulturë Ardian Vehbiu

Stilin e Majakovskit e kanë quajtur “deklamativ” – ligjërimi i tij poetik i flet drejtpërdrejt lexuesit, e angazhon në dialog, nyjëtohet si pyetje-përgjigje; është shpesh dramatik, polemik dhe argumentativ; dhe ka shumëçka të përbashkët me stilin oratorik të një agjitatori a tribuni, që kërkon të bëjë për vete një masë dëgjuesish, duke e angazhuar maksimalisht dhe, shpesh, duke u ndeshur me të. Amerikanët e sotëm mbase do të gjenin ngjashmëri mes tij dhe një predikuesi në një mega-church.

Viktor Shklovsky tregon se “Majakovski ëndërronte për një radiostacion për poetët, ku të përcillej metoda e tij e recitimit dhe të transmetohej vargu [i tij] i ri, plot gjallëri.”[1]

Dhe, në realitet, ai u rrit dhe u imponua si poet – më parë futurist dhe më pas si zëri poetik i revolucionit – duke i interpretuar vargjet e tij, në krye në kafetë ku mbidhej avant-garda, në apartamente private dhe në teatro të vogla, më pas në salla publike dhe klube të punëtorëve, e më tej në fabrika dhe podiume mitingjesh, duke mbledhur ndonjëherë me mijëra njerëz. Nuk ngurronte që të performonte në parqe, në sheshe, apo edhe në stacione hekurudhore, gjatë turneve kulturore.

 

I shqiptonte vargjet me zë basi të fortë, të shkoqur, dhe në mënyrë perkusive; nuk lexonte, por thjesht deklamonte, duke përdorur gjestikulacionin si pikësim – i ndihmuar edhe nga figura e tij prej gjigandi, që e impresiononte publikun deri edhe fizikisht me figurën e tij shpatullgjërë dhe trupin prej boksieri (Kornei Çukovski e pat përshkruar njëherë si Guliveri mes liliputëve). Stili i tij i deklamimit ishte një me personazhin që kish ndërtuar, të profetit urban revolucionar, me nuanca profetike; çfarë e shndërronte poezinë e deklamuar në një manifest performativ, gati teatral.

Kjo strukturë prozodike dhe “skenike” e deklamimit përthyhej edhe në tipografinë e vargut të tij, duke filluar nga i mirënjohuri “varg i thyer” – i njohur edhe si shkallë (лестница), ku rreshti i vargut thyhej në shkallare zbritëse, me shkëputje që u përgjigjeshin ndërprerjeve të frymës dhe të ritmit. Tipografia e poezisë së Majakovskit, si një lloj koreografie e performancës, rimerrte strukturën deklamative të vargut – jo vetëm nëpërmjet “shkallës”, por edhe përftesave të tjera vizuale që ndërhynin në prozodi. Për ndonjë studiues, paraqitja grafike e poemave kish trashëguar shumëçka nga teknikat e dizajnit të posterit dhe të pllakatit, çfarë shpjegohet edhe me praktikat artistike krijuese të Majakovskit vetë, si propagandist dhe krijues i dekorit politik publik.

Ndërveprimin deklamativ, teatral të poetit me publikun në vitet e Revolucionit të Tetorit nuk e ndan dot nga aktivizimi vendimtar i masave – ose ndonjëherë i turmave – në jetën politike të Rusisë, në një epokë kur mass mediat ende nuk ishin normalizuar; Majakovski, dhe poetët e tjerë që recitonin në skenë, nuk përdornin mikrofon dhe altoparlantë dhe mbështeteshin vetëm në projeksionin e zërit; çfarë e bënte zërin e fortë dhe kumbues kusht për t’u imponuar si “poet” karismatik. Ata që merrnin pjesë në evente të tilla flasin për zërin e lartë, bubullues dhe gjestikulacionin e gjallë të Majakovskit, që ishte pjesë esenciale e qenies së tij skenike.

Nga Majakovski, Kadareja mësoi e trashëgoi disa teknika tipografike të organizimit të vargut, duke filluar nga “thyerja” ose “shkalla” – por duke u ruajtur vetëm disa nga funksionet që kishin pasur, në poetikën ruse të fillimshekullit. Kadareja e përdorte stilin deklamativ të ligjërimit majakovskian në disa nga veprat e fillimviteve 1960, por ai vetë nuk e kish zakon të deklamonte poezinë e vet në publik; nuk ishte pjesë e virtytit dhe talentit të tij artistik dhe as ekzistonte, në praktikën poetike të atyre viteve në Shqipëri, ndonjë traditë që poetët të recitonin vargjet e veta.

Në vargun kadarejan, deklamativiteti ishte përftesë intertekstuale. Ndryshe pat ndodhur me poetin sovjetik Jevtushenko (1933-2017), i përçmuar deri në urrejtje nga establishmenti kulturor i Tiranës dhe Kadareja vetë, por që shumë kritikë dhe studiues e mbajnë si trashëgimtarin më të drejtpërdrejtë të Majakovskit në poezinë dhe në kulturën sovjetike. Edhe Jevtushenkoja e adoptoi vargun e thyer të Majakovskit dhe shkroi poema të destinuara për t’u recituar me zë para një turme mijëra-vetësh; madje ishte një nga ata poetë që e morën në dorë sheshin Majakovski në Moskë, ku ngrihej edhe statuja e atij poeti, dhe e përdorën si skenë urbane të paautorizuar, duke deklamuar vargje për një publik studentësh dhe punëtorësh. Por kjo e Jevtushenkos ishte performancë jo vetëm e vargut si armë për të komunikuar me masat dhe për të sjellë a nxitur ndryshime sociale, por edhe e vetë Majakovskit, si statujë intertekstuale, që kish nevojë të çlirohej nga kanonizimi stalinist. Për Jevtushenkon, ishte indiferenca e burokracisë sovjetike që e çoi Majakovskin në vetëvrasje; dhe, po të mos kish ndodhur kjo, Majakovski me shumë gjasë do të kish përfunduar në gulagun stalinist, viktimë e spastrimeve të viteve 1936-1938.

Çuditërisht, ka ekzistuar – në historinë e letrave shqipe – një traditë e deklamimit të vargjeve në publik mes poetëve që shkruanin me alfabet arab, dhe që njihen edhe si “bejtexhinj”; por kjo traditë ishte pjesë e një paradigme tjetër kulturore. Përndryshe, recitimi publik i vargjeve në kulturën shqipe të shekullit XX ndodhte më shumë në mjedise ku shumë nga pjesëmarrësit ishin analfabetë dhe poezinë mund ta perceptonin dhe shijonin vetëm të deklamuar (të recituar); pa përmendur praktikën folklorike të improvizimit të vargjeve nga poetët popullorë dhe, më në fund, këngën.

Kjo nuk do të thotë, megjithatë, që teknikat tipografike intertekstuale, si vargu i thyer, në poetët shqip të viteve 1960 – duke filluar nga Kadareja – të mos përdoreshin nga recituesit e poezive të tij, të shumtë sidomos mes nxënësve të shkollave dhe në mbrëmjet letrare.

Ja një ilustrim i vargut të thyer kadarejan, nga poema “Shqiponjat fluturojnë lart”:

Poetë në perëndim (V)

Thyerjet shërbejnë si udhëzime për recituesin imagjinar, duke i treguar si ta organizojë frymën dhe theksin dhe ku t’i vendosë pauzat; por edhe për lexuesin, duke theksuar fjalë ose togfjalësha – edhe pse Kadareja nuk ishte poet performativ, si Majakovski, dhe as dilte në skenë për t’i deklamuar vargjet e veta, kjo poemë dhe të tjera të ngjashme do të jenë shkruar me prozodinë e deklamimit në mendje, për çka ndihmonte edhe intertekstualiteti.

Në fund të viteve 1950, kur po dilte në skenën e kulturës shqiptare një brez i shkolluar në masë në universitetet e Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të tjera të Evropës Lindore, po krijoheshin edhe rrethanat për një “revolucion të ligjërimit poetik”. Në gjendjen që kish trashëguar nga Rilindja dhe vitet e Pavarësisë, poezia shqipe nuk e përballonte dot nevojën për modernitet, duke mbetur e ngecur në shabllonët dhe klishetë romantike të shekullit XIX. I vetmi poet i paraluftës, që mund të shërbente si model për modernizimin e vargut, mbetej Migjeni.

Para se të shkonte në Moskë, për të studiuar në Institutin Gorki, Kadareja nuk ishte shkëputur nga tradita pastorale, gjysmë-folklorike, që mbizotëronte në krijimtarinë poetike në Shqipëri. Vetëm ekspozimi ndaj një mënyre të re të së bërit poezi do t’ia tregonte atij rrugën për të ndjekur, për ta sjellë risinë përmbysëse në poezinë shqipe. Dhe Majakovski ishte ai poet që u imponua ndaj modeleve të tjera – nga Khlebnikovi te Esenini, nga simbolistët te akmeistët – për shkak të artit të tij të pashembullt.

Që Kadareja e pat përkthyer “Re me pantallona” qëkur ishte në Moskë, kjo flet shumë për shijen, orientimin dhe programin e tij poetik. Që nga Majakovski pat zgjedhur të përkthejë pikërisht këtë vepër jo dhe aq të angazhuar politikisht as mirëfilli “bolshevike”, edhe kjo ndihmon për të kuptuar se Kadareja nuk kish aq pasion për realizmin socialist dhe bolshevizmin, sa ç’kish pasion për artin ikonoklast, futurizmin dhe revolucionin modernist.

Veç kësaj, poezia shqipe deri në fund të viteve 1950 nuk ishte shkëputur dot nga temat pastorale, romantike dhe idealizimi i fshatit, të cilat shërbenin si sfond dhe kontekst i tetërrokëshit agjitativ folklorik të baladës partizane. Në Moskë Kadareja pati mundësi të njihet nga afër dhe në hollësi me poezinë urbane, që e merrte materialin dhe frymëzimin nga jeta në qytet dhe marrëdhëniet e subjektit me qytetin vetë. Dhe ky qytet, në veprën poetike kadarejane, erdhi jo vetëm si imazh i “ndërtimit” të socializmit dhe i peizazhit industrial që po e mbulonte edhe Shqipërinë si batanije, por edhe si vendi ekzistencial ku do të ndeshej e vjetra me të renë, gjatë pjesës së dytë të shekullit XX; në një betejë skenarin e së cilës e pat shkruar futurizmi.

Është ky qytet imagjinar, ky metropol arketipal, që shpaloset në vargjet edhe të Majakovskit edhe të Kadaresë, të cilët i gjej të dy të dyzuar mes dëshirës për t’iu futur muzeve dhe kishave me kazmë dhe traktor, dhe tundimit tjetër, po aq të fortë, për t’u gjunjëzuar para kësaj katedraleje kaq madhështore të modernitetit. Eseja që lexuat është një orvatje imja për ta ftilluar këtë marrëdhënie të mbajtur gjallë nga intertekstualiteti.

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.

Lini një Përgjigje