Ura e Golikut po dëmtohet nga kërkuesit e arit

25 Janar 2026, 13:29Kulturë TEMA
Ura e Golikut po dëmtohet nga kërkuesit e arit

Ura e Golikut, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, e ndërtuar në fund të shekullit XVII po përballet sot me rrezikun real të shkatërrimit. Një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në zonën e Mokrës, e lidhur historikisht me degëzimin e rrugës antike Egnatia, po dëmtohet vazhdimisht nga gërmimet e paligjshme.

Prej vitesh, ura bie pre e kërkuesve të arit dhe materialeve arkeologjike, që ndërhyjnë në mënyrë të përsëritur në strukturën dhe trupin e saj, duke cenuar seriozisht qëndrueshmërinë e monumentit.

Dëmtime të tilla janë konstatuar edhe së fundmi, por autorët mbeten të paidentifikuar, pasi gërmimet kryhen gjatë orëve të natës.

Pasojat janë të dukshme, zgavra në themele, çarje në trupin e urës dhe shembje të pjesshme të materialit lidhës, dëmtime që përbëjnë rrezik serioz.

“Janë bërë punime, dhe rreziku është rritur ndjeshëm. Gërmojnë zakonisht natën se ditën nuk i lë njeri për të gjetur flori”

“Kërkoj nga institucionet shtetërore mbarëvajtjen e kësaj ure. Në radhe të parë po shkatërrohet nga dora e njerëzve plus dhe nga shirat dhe kjo urë vite më përpara ka shërbyer për shkëmbime të ndryshme.”

Përveç ndërhyrjeve kriminale, edhe faktorët atmosferikë kanë luajtur rolin e tyre. Mbi 300 vite ekspozim ndaj reshjeve, ngricave dhe erozionit kanë përshpejtuar degradimin e urës, duke e bërë sot emergjente ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.

Në këto kushte, banorët dhe drejtuesit vendorë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës, përmes një projekti serioz restaurimi dhe rehabilitimi.

“Unë vij përherë që e shikoj dhe këtë vit më duket më e shkatërruar, dhe nëse nuk vihet dorë nga institucionet shtetërore kjo urë rrezikon realisht shkatërrimin”, deklaroi kryeplaku.

Problemi nuk është i izoluar ashtu si Ura e Golikut, edhe varret monumentale të Selcës, vetëm pak kilometra më tutje një tjetër sit arkeologjik me rëndësi të jashtëzakonshme vuajnë nga nivele sigurie dhe ruajtjeje pothuajse zero.

Kjo situatë i ka lehtësuar grabitësit, të cilët gërmojnë pa asnjë pengesë, duke shkatërruar pasuri të pazëvendësueshme kulturore. A.K./TemA

2 Komente

  1. A
    Arb

    Siguria e monumenteve arrihet nga komuniteti, inspektorët e zonës, njësitë bashkiake/bashkitë, ndërsa punonjësit e monumenteve janë të fundit në zinxhirin mbrojtës. Monumentet do jenë të sigurt kur ato të konsiderohen si aset ekonomik e kulturor nga komuniteti, pushteti lokal dhe plocia vendore.

    Përgjigjjuni
    1. M
      Mara emigrante ne Itali

      Komb hajdut , shkaterues , i pa edukat u mesuan te zaptojne tokat me urdher te saliu me vendimin levizja e lire , tani kerkojne pasurine kombetare ta grabisin , shkaterojne , vjedhin si è vodhi sali - likja floririn e Shqiperise .Komuniteti qe duhet ta mbroje e vjedh vete , njerez te babezitur .

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje