Në Shkodër u promovua libri më i ri me poezi i autorit Mikel Podja, me titullin “Pranvera po afron”, i dyti në krijimtarinë e tij letrare.
Ky botim sjell për lexuesin ndjeshmëri të veçanta poetike, duke reflektuar mbi stinët e jetës e në mënyrë të veçantë ndjenjën e dashurisë.
Zija Vukaj, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës, vlerësoi stilin e autorit dhe mesazhet që përcjell ky libër, duke theksuar se krijimtaria e Podjes sjell një frymë të re në poezinë bashkëkohore.
“Ka veçori, origjinalitet dhe mbi të gjitha dashuri për vargun, rimën, ritmin, motivet e jetës së përditshme, të cilat pastaj i konverton në mesazhe, në emocione, me një gjuhë që dora-dorës po vjen duke e përsosur gjithnjë e më shumë,” tha z. Vukaj.
Nga ana e tij, autori Podja u shpreh se “Pranvera po afron” është një reflektim i udhëtimit të tij poetik dhe një ftesë për lexuesit që të shohin jetën me një këndvështrim tjetër.
“Mbas çdo të keqeje që na ka ndodhur, vjen një e mirë. E shohim si një anë pozitive të jetës ose si një dritë jeshile. Pra, mbas çdo gjëje ka lindur dielli dhe vjen pranvera,” u shpreh z. Podja.
Në aktivitet morën pjesë shkrimtarë, poetë dhe dashamirës të artit të fjalës së bukur.
Ky promovim u shoqërua me interpretime poetike dhe diskutime mbi vlerat e poezisë si një urë shpirtërore mes autorit dhe lexuesit.
- RTSH -
Lini një Përgjigje