Redaksitë e gjuhësisë, letërsisë dhe arsimit bashkëvendosin për njësitë enciklopedike në kufi të njëra-tjetrës!

25 Korrik 2024, 08:50Kulturë TEMA
Redaksitë e gjuhësisë, letërsisë dhe arsimit

Procesi i njësimit sipas kritereve themelore kërkon kalimin nga puna e pavarur në redaksi në një disiplinë të përbashkët në redaksitë e grupfushave, si hap i ndërmjetëm për një enciklopedi kombëtare, për një enciklopedi të botës shqiptare.

Në takim morën pjesë drejtuesit e këtyre tri redaksive, gjegjësisht prof. dr. Anila Omari, prof. asoc. dr. Evalda Paci dhe dr. Geron Kamberi. Dy nga këto redaksi (gjuhësia dhe arsimi) kanë rënë dakord me të njëjtat e tyre në Kosovë për fjalësin e përbashkët. Redaksitë e letërsisë në Tiranë e në Prishtinë kanë këmbyer fjalësit e tyre dhe janë në fazën e diskutimit për njësimin e tyre.
Të pranishëm në takim edhe dr. Arian Leka (QBEA) dhe Shaban Sinani (redaksia vendore).
Me përfundimin e fjalësve të fushave dhe këmbimin e njësimin e tyre vendimmarrja në grupfusha nuk është më një çështje vullneti të mirë, por e vetmja mënyrë për të realizuar detyrën e stabilizimit të tyre si fjalës themelor. Prandaj detyra kryesore e anëtarëve të redaksisë vendore sot është koordinimi i punës së redaksive të fushave të afërta (grupfushave) me iniciativën e tyre.
Në takim u këshilluan një për një listat e njësive të tri redaksive dhe u bënë 28 riadresime njësish në redaksinë adekuate referuar parimit që ajo të përfaqësojë dominanten e veprimtarisë. Po ashtu u vendos se cilës redaksi do t'i takojnë disa njësi të propozuara dy apo tri herë.
U theksua nevoja e vijimit të punës për seleksionimin, duke qenë se shifrat flasin për tejkalim përpjesëtimor referuar projeksioneve kundrejt numrit të përgjithshëm të njësive (10 mijë) të "Enciklopedisë" sipas marrëveshjes ndërqeveritare; për ruajtjen e raporteve midis emërtimeve të përveçme (personalitete, vende, male, lumenj; subjekte, ente, institucione) dhe emërtimeve të përgjithshme (ngjarje, dukuri, zhvillime, pasuri të tokës e nëntokës, terma), duke marrë vendime që një varg personalitesh që mund të cilësohen "të diskutueshëm" të trajtohen tek njësia tematike, tek institucioni apo në një artikull të përbashkët.
Duke krahasuar listat e redaksive të Shqipërisë e të Kosovës u vërejt se ka ende disa probleme të mosrespektimit të pragjeve të njëjtë qoftë në pranimin e lëndës enciklopedike, qoftë në shkallëzimin e saj në madhësi artikujsh. Për këtë do të komunikohet me redaksitë gjegjëse në Prishtinë duke diskutuar e rekomanduar zgjidhje. A.K./TemA

 

 

Lini një Përgjigje