Rreth etiketës drejtshkrimore

5 Janar 2026, 15:15Kulturë Ardian Vehbiu

Kur u botua në vitet 1980 romani i Dritero Agollit Trëndafili në gotë, më pat bërë përshtypje që e kish redaktuar gjuhëtari Emil Lafe, një nga hartuesit e Rregullave të drejtshkrimit të shqipes dhe një emër që garantonte – të paktën – se romani do të ishte drejtshkrimisht dinjitoz.

Në atë kohë shqipja vërtet shkruhej më me kujdes se tani, veçanërisht në tekstet e shtypura, por drejtshkrimi mbetej sfidues, sepse njerëzit nuk ishin mësuar me saktësinë drejtshkrimore dhe, për më tepër, i ngatërronte famëziu “parim fonetik” që udhëzonte se fjalët e shqipes shkruhen ashtu siç shqiptohen – paçka se për shumë fjalë të shqipes gjendeshin po aq shqiptime sa edhe dialekte e të folme.1

Mbaj mend që im atë, që për ca kohë atëherë pat drejtuar revistën “Buletini i shkencave mjekësore”, e studionte manualin e rregullave të drejtshkrimit sikur do ta jepte një ditë provim, për të ndihmuar me cilësinë normative të artikujve të botuar atje.

Megjithatë, shtëpitë botuese kishin redaktorë të mirë, të sprovuar, dhe vetë daktilografistet profesioniste e zotëronin drejtshkrimin, shpesh më mirë se autorët që u shpinin dorëshkrime për të daktilografuar. Kemi pasur një të tillë, tejet të zonjën, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë – Drita quhej – dhe të gjithë donin që tekstet t’ua shtypte ajo; meqë ashtu edhe ua rregullonte nga pak.

Prandaj ne studentëve na bëri përshtypje emri i prof. Lafes në librin e Agollit; dukej sikur një epokë e re po niste në marrëdhëniet e letërsisë me drejtshkrimin; një epokë ku disiplina drejtshkrimore do t’i bashkohej disiplinës ideologjike.

Gjithsesi, redaktorët më të mirë, virtuozët e vërtetë, njerëzit që ishin edhe më vigjilentë se ushtarët në kufi dhe forcat e ndjekjes, do t’i gjeje mes atyre që kujdeseshin për veprat e Enver Hoxhës. Një gabim drejtshkrimor a gramatikor, në ato vepra, do të këqyrej menjëherë si gabim ideologjik; dhe pakujdesia më e vogël do të dyshohej si sabotim.

Nuk e di cilët ishin këta redaktorë; nëse punonin te shtëpia botuese “8 nëntori”, apo tek Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste (edhe hekurosja e shqipes së liderit ishte studim marksist-leninist, sa kohë që fillozofët e atij instituti na siguronin se forma është shprehje e përmbajtjes). Ma merr mendja që ata që u besoheshin veprat në dorëshkrim duhet të kishin qenë edhe pak specialistë dialektologë të toskërishtes jugore – paçka se shoku Enver, nga sa kemi parë në dorëshkrimet e hershme, po të donte e zotëronte edhe elbasanishten letrare.

Ku shkuan pastaj ata redaktorë? Kush përfitoi nga shërbimet e tyre, pasi u thanë penat e lidershipit totalitar?

Sa për librat e tjerë, çdo redaktor i shtëpisë botuese e dinte se një libër i korrektuar me kujdes nuk është se duhej të ishte pa gabime drejtshkrimore; rëndësi kish që atje të mungonin ato lloj gabimesh që mund t’i kapnin të tjerët. Por edhe kontrolli më i rreptë i cilësisë, vinte me kufizimet e veta.

Gabimet drejtshkrimore – dhe në përgjithësi gabimet në të shkruarit e fjalëve, përfshi edhe typot e thjeshta – kushtonin. Më kujtohet si, kur po botohej Fjalori i Shqipes së Sotme, i vitit 1984, Androkli Kostallari kapi, në momentin e fundit, një gabim quasi fatal në parathënien e fjalorit (që e kish shkruar vetë, por që ia kishin daktilografuar): në vend të shokut Enver Hoxha teksti kishte dalë shkokut Enver Hoxha.

Stop the presses! Ndaleni makinerinë! Nuk di sa letër u çua për karton – natyrisht jo gjithë fjalori mijërafaqesh, por vetëm fashikulli i parë. Kostallari, të cilit ai gabim i kish shpëtuar gjatë leximeve të ethshme më parë, vuri një ekip të posaçëm për të rilexuar; dhe nuk kishte faj. Shkoku Enver Hoxha nuk do t’ia kish falur!

Shumë pak shqiptarë e zotëronin aftësinë për të shkruar pa gabime; aq sa mund të thoje se gabimi e shoqëronte pashmangshëm çdo tekst të shkruar. Korrektorët kampionë numëroheshin me gishtat e dorës dhe virtytet e tyre krahasoheshin me ato të radistëve të kundërzbulimit, kampionëve të radioamatorizmit dhe të qitësve olimpikë. Më të mirët ishin të dënuar me anonimitet, sepse i ruanin për tekstet aq prolifike të Enverit, që pas Kongresit të Drejtshkrimit erdhën duke u shtuar në progresion gjeometrik.

Duke qenë situata e tillë, edhe sot habitem që kontrolli kompjuterik i drejtshkrimit nuk u shpik në Shqipëri, nga halli jo nga malli.

Kur shkova të studioj për gjuhë-letërsi, në vitin 1978, auditorët i kish pllakosur një ankth drejtshkrimor ngjethës. Disa pak pedagogë thuhej se e zotëronin tashmë normën gjuhësore – madje për ndonjërin edhe se atë normë e kish kodifikuar. Mbaj mend mirë një kurs të posaçëm për lëndën drejtshkrimore, që e drejtonte R. Memushaj; e admironim për zotësinë me të cilën i kish përvetësuar jo vetëm rregullat (se me rregullat disi çaprashiteshim edhe ne), por edhe përjashtimet! Sepse përjashtimet në fushën e drejtshkrimit nuk ishin nga ato që vërtetonin rregullat. Përkundrazi. Ishin lëshime që, me gjasë, u detyroheshin negociatave të mundimshme në tryeza sekrete, përplasjeve të idhta gjeolinguistike dhe gjeopolitike, inercisë së shqipes së traditës dhe kokëfortësisë së atyre zërave që ngulnin këmbë se “ne kështu e kemi shkruar gjithnjë”...

Sot, nga një analizë e kujdesshme e përjashtimeve në rregullat, mund të rindërtosh krejt dramën që shoqëroi, në prapaskenë, festën popullore të diskutimit dhe të miratimit të rregullave të drejtshkrimit. Megjithatë, për ne përjashtimet nuk ishin veçse një torturë që na bënte arbitrariteti, në mos edhe erudicioni i patriarkëve të normës.

E megjithatë, sot e kësaj dite unë stepem, kur më duhet të shkruaj foljen vjetroj – mos duhet ta bëj vjetëroj? Po lojtar, mos duhet shkruar me ë, si gojëtar? E ngushëlloj veten me mendimin se është më lehtë të hartosh rregullat, se të biesh dakord për përjashtimet; dhe se përjashtimet, njëlloj si arbitrariteti në përgjithësi, janë privilegj i të pushtetshmit dhe ndër-akademikut.

Shumë kohë ka rrjedhur që atëherë, dhe e pranoj se fakti që e zotëroj relativisht mirë drejtshkrimin e shqipes më ka ndihmuar gjithnjë; qoftë edhe vetëm ngaqë tekstet e shkruara prej meje kanë qenë të veshura me kujdes, me flokë të krehur, rroba të hekurosura mirë dhe këpucë të lustruara. Paçka se sot një tekst online, i shkruar me gabime, gjithnjë e më shpesh po lë të kuptohet, për masën e përdoruesve, se autori është njeri prej mishi e gjaku, jo një inteligjencë artificiale, si ChatGPT apo Copilot.

Ndonjëri – përfshi këtu edhe mua – do ta shohë këtë edhe si dëshmi se kush (apo duhet të them çfarë) e ka sot pushtetin normativ-gjuhësor.

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA

1 Komente

  1. S
    Shkrim pa lidhje

    Etiketës apo etikës?! Që këtu fillon gabimi

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje