Selma Lagerlöf, shkrimtarja që i tregoi botës se letërsia është edhe për gra! Në vitin 1909, u bë e para grua që fitoi Çmimin Nobel

9 Korrik 2025, 15:35Kulturë TEMA
Selma Lagerlöf, shkrimtarja që i tregoi botës se letërsia

Selma Lagerlöf është një nga figurat më të ndritura të letërsisë suedeze dhe botërore. Ajo ishte gruaja e parë që fitoi Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1909, duke shënuar një moment historik jo vetëm për Suedinë, por për të gjitha gratë shkrimtare në një kohë kur letërsia dominohej nga burrat.

Vepra e saj është një përzierje unike e realizmit, romantizmit dhe legjendës popullore. Lagerlöf lindi më 20 nëntor 1858 në Marbacka, në provincën Värmland të Suedisë. Që në fëmijëri, ajo ishte e apasionuar pas historive që i tregonte gjyshja. Këto tregime popullore, të pasura me figura mitike dhe atmosferë magjike, do të ndikojnë thellë në stilin e saj të mëvonshëm letrar. Pavarësisht një sëmundjeje që e la të çalë në moshë të vogël, ajo nuk u dorëzua kurrë ndaj vështirësive. Pasi përfundoi studimet për mësuese, filloi të punonte në një shkollë për vajza në Landskrona. Gjatë kësaj kohe, nisi të shkruajë në mënyrë intensive. Debutimi i saj letrar erdhi me romanin “Saga e Gösta Berling” (1891), një vepër që u prit me kureshtje, por edhe me kritika fillimisht.

Pas mbështetjes që mori nga kritiku dhe shkrimtari e famshëm Georg Brandes, vepra fitoi një reputacion të gjerë në Skandinavi. “Saga e Gösta Berling” është një roman që ndërthur legjendën me jetën reale, me një stil të rrjedhshëm e poetik. Ai paraqet një prift të rrëzuar nga pozita, që udhëhiqet nga pasioni, mëkati dhe shpëtimi. Ky libër u bë themelues i stilit letrar që Lagerlöf do të vazhdonte të përvetësonte me mjeshtëri. Një nga veprat më të njohura të saj, sidomos për fëmijët, është “Udhëtimi i Nils Holgersson” përmes Suedisë. I shkruar fillimisht si një libër gjeografie për shkollat, ky roman është një aventurë e jashtëzakonshme ku një djalë i vogël, i shndërruar në xhuxh nga një shtrigë, udhëton mbi kurrizin e një pate të egër. Ai zbulon bukurinë e vendit të tij, por edhe mëson për përgjegjësinë, dhembshurinë dhe rëndësinë e natyrës. Letërsia e Lagerlöf-it është thellësisht e ndikuar nga besimi i saj tek mirësia njerëzore, tek forcat shpirtërore dhe fuqia e ndjeshmërisë, shkruan panorama.

Ajo përdor elementë fantastikë dhe legjendarë, por gjithmonë për të nxjerrë në pah të vërtetat morale dhe psikologjike të njeriut. Në veprat e saj shfaqet shpesh një përballje midis së kaluarës tradicionale dhe ndryshimeve moderne. Në vitin 1909, Akademia Suedeze i dha asaj Çmimin Nobel me motivacionin: “për idealizmin e lartë, imagjinatën e ndritur dhe ndjeshmërinë shpirtërore që karakterizon shkrimet e saj”. Ajo ishte jo vetëm gruaja e parë që e fitoi këtë çmim, por, gjithashtu, e para që hyri në Akademinë Suedeze të Letërsisë si anëtare në vitin 1914. Lagerlöf nuk ishte vetëm shkrimtare, por edhe një figurë me ndikim publik. Gjatë Luftës së Parë Botërore, ajo mbështeti përpjekjet humanitare dhe më vonë ndihmoi me para për të shpëtuar shkrimtarë hebrenj nga Gjermania naziste.

Në jetën private, kishte lidhje të forta emocionale dhe intelektuale me disa gra të afërta me të, por e mbajti gjithmonë jetën personale larg syve të publikut. Ajo ishte një zë i rrallë që i dha dinjitet fshatit, legjendës, dhe shpirtit të thjeshtë njerëzor në një botë që ndryshonte me shpejtësi. Stili i saj mbeti i veçantë, ndërmjet ëndrrës dhe realitetit. Gjuha e saj ishte e pasur, e ndjeshme dhe ndonjëherë e dhimbshme në thjeshtësinë e saj. Selma Lagerlöf vdiq më 16 mars 1940, në vendlindjen e saj Mårbacka, që ishte kthyer tashmë në një simbol të letërsisë suedeze. Shtëpia e saj është sot një muze dhe vend pelegrinazhi për lexuesit dhe studiuesit nga e gjithë bota. Ajo mbetet një figurë që frymëzon shkrimtaret dhe shkrimtarët modernë për guximin, pasionin dhe ndjeshmërinë që mund të ngërthejë fjala e shkruar. Trashëgimia e saj letrare është e përjetshme.

Lini një Përgjigje