Prishtina përjetoi një nga netët më të veçanta të verës mbrëmë, teksa Shawn Mendes, një nga emrat më të mëdhenj të muzikës pop botërore, ngjiti për herë të parë skenën në Kosovë. Sunny Hill Festival, në natën e dytë të edicionit të tij, mori formën e një spektakli të vërtetë falë një performance të mbushur me emocione, energji dhe mesazhe të ndjera.
Skena e ndriçuar me drita të ngrohta dhe atmosfera intime krijuan një lidhje të afërt mes artistit dhe audiencës. Shawn Mendes, i shoqëruar nga një bend dinamik dhe vokalistë mbështetës që përforcuan çdo moment, solli një repertor të pasur me hitet e tij më të njohura. Nga “There’s Nothing Holding Me Back” e deri te “Treat You Better”, çdo këngë u përjetua si një kapitull i veçantë nga mijëra fansa që kënduan bashkë me të në kor.
Interpretimet e “Never Be Alone”, “Wonder”, “Stitches”, “Mercy” dhe “Lost in Japan” sollën një luhatje emocionesh që ndërlidhte nostalgjinë, gëzimin dhe ndjeshmërinë. Por më shumë se thjesht një koncert, ajo që ndodhi në Prishtinë ishte një përvojë muzikore e rrallë që preku zemrat e të pranishmëve.
“Ai jo vetëm këndoi. Ai e zotëroi natën. Shawn Mendes u sigurua që do ta kujtojmë gjithmonë” – shkroi festivali Sunny Hill, në një postim në Instagram.
Kjo natë shënoi jo vetëm një sukses artistik, por edhe një moment historik për skenën muzikore në Kosovë, duke e vendosur Prishtinën gjithnjë e më shumë në hartën ndërkombëtare të festivaleve të mëdha. /AP/
Lini një Përgjigje