Shkëlqimi dhe zbehja e heroizmit në shah

4 Mars 2025, 20:49Kulturë Ardian Vehbiu

Javën që shkoi u nda nga kjo botë ish-kampioni i botës në shah, rusi ish-sovjetik Boris Spassky, në moshën 88 vjeç.

Që do të mbahet mend më shumë për match-in epik me amerikanin Robert Fischer, në vitin 1972, në Rejkjavik të Islandës – të cilin e humbi.

Por ca si unë do ta kujtojnë edhe për stilin e tij të bukur në lojë, dhe një numër fitoresh miniatura (lojëra të shkurtra, pikante) me mjeshtër të mëdhenj që tashmë kanë hyrë në antologjitë e shahut.

Spassky pati fatin e keq të ishte bashkëkohës me Robert Fischer-in, prandaj nuk ndenji dot më shumë se tre vjet kampion.

Shumë e kujtojnë për humbjen në Islandë; siç e kujtojnë Hektorin ngaqë u mposht prej Akilit.

Megjithatë, siç e ka pohuar edhe vetë Spassky disa herë, ai nuk po e duronte dot barrën dhe përgjegjësinë e të qenit kampion bote, dhe u ndie i çliruar, kur ia dorëzoi titullin Fischer-it.

Kam qenë ende kalama në tetëvjeçare në atë vit të largët 1972, por me pasion të jashtëzakonshëm për shahun. Më kujtohet që, kur filloi match-i, ishim në plazh të Durrësit (në Shkozet) dhe informacionin për ngjarjen e merrnim nga gazeta “Sporti”, e cila jepte edhe transkriptimet e lojërave në anotacionin standard. Ashtu edhe mblidheshim te një nga çadrat, për t’i riprodhuar lojërat në tabelën tonë të shahut dhe për t’i komentuar ashtu siç dinim.

Për mua ajo që ndodhte në tabelë ishte magji e kulluar: çdo lëvizje sillte me vete thellësi mendimi dhe mundësi për kryevepra të pa-imagjinueshme; por ngaqë askush nga ne nuk e kish zotësinë e duhur për t’i parë këto zhvillime potenciale, premtime gjenialiteti dhe rrjeta mati të fshehta, loja që merrte trajtë para nesh mbetej enigmatike, si dorëshkrimi në një alfabet të padeshifruar.

Lojën e parë të match-it, atë që Fischer-i e humbi në mënyrë gati qesharake, e kisha ndjekur në Tiranë, në RTSH, me komentin gati namatisës të Zef Ashtës, që ato ditë po më dukej kolos dhe hero i llojit të vet. Ashtës i kishin vënë në dispozicion një tabelë magnetike, për të lëvizur shtremba-shtremba ushtarët dhe figurat; por komentet e tij ishin gjithnjë ndriçuese dhe lejonin ta kuptoje dhe përjetoje dramën për së largu. Por pastaj në plazh nuk kishim më TV, dhe as Zef Ashtë, prandaj na duhej të mjaftoheshim me një kod kriptik në një faqe gazete, si urdhër të shifruar për shahistët e Shkozetit anembanë.

Dhe ashtu na doli menjëherë një problem. Transkriptimi i lojës vinte me gabime shtypi – me gjasë, radhitësit e gazetës në shtypshkronjë nuk kishin punuar ndonjëherë me tekste të tilla në kod. Dhe ndryshe nga çfarë ndodh me një gabim shtypi çfarëdo, i cili korrigjohet lehtë nga lexuesi – p.sh. fjala SJAHIST do të lexohet sakaq si SHAHIST – kodi i shahut nuk i lejon gjithnjë korrigjime të tilla. Dhe aq më i pamundur bëhej deshifrimi, kur vinin e mungonin rreshta të tërë në kolonën e gazetës.

Herët a vonë, ia behte momenti kur nuk ishim më të sigurt nëse loja që kishim përpara në tabelë i përgjigjej apo jo asaj që kish ndodhur vërtet. Disa pozicione si ky më poshtë (i lojës së 13-të, të cilën mund ta ndiqni të komentuar këtu) na dukeshin aq absurde, sa nuk mund ta besonim se i përkisnin vërtet një ndeshjeje kampionësh.

Ndonjëherë tjetër transkriptimi na kërkonte të lëviznim një figurë e cila në tabelën tonë nuk ekzistonte më; ndonjëherë tjetër, na ftonte për një lëvizje objektivisht të pamundur.

Dhe ashtu energjitë tona filluan të shpenzoheshin jo më për të kuptuar se si po luanin kampionët, por për të korrigjuar gabimet e mundshme në transkriptimin e gazetës “Sporti”, nëpërmjet analizës retrograde dhe ri-interpretimit. Ashtu, duke parë si kish lëvizur një fil a një torre dy-tre lëvizje më pas, mund të korrigjonim edhe një lëvizje të mëparshme në dukje të pamundur; dhe njëlloj mund të deduktonim se, pas një dhënieje shah, lojtari tjetër duhej të kish lëvizur mbretin, jo mbretëreshën. Asnjë nga lëvizjet nuk ishte e sigurt, por ato që gjenin mbështetje në lëvizje të tjera, kishin më shumë gjasë të ishin kryer vërtet. Riprodhimi i çdo loje i ngjante zgjidhjes se një problemi logjik kompleks.

Jo gjithnjë ia dilnim. Por kjo pasiguri në riprodhimin e lëvizjeve vinte me një avantazh të papritur: kur nuk kuptonim fare diçka, kur një situatë në tabelë na dukej e pamundshme, kur njëri prej kampionëve luante diçka që, për ne, do ta çonte në disfatë të menjëhershme, gjithnjë mund t’ia faturonim këtë gabimit të shtypit në gazetë dhe të kërkonim, me mendje, lëvizjen e saktë – në kuptimin e lëvizjes që kish ndodhur “vërtet”. Ashtu, sa herë që nuk binim dakord me mënyrën si kish përfunduar loja – për shembull me një barazim në një pozicion që ne na dukej i fituar për njërin ose tjetrin lojtar – gjithnjë ia linim fajin punëtorit të radhitjes.

Erdhi pastaj dita kur u kthyem në Tiranë dhe filluam të ndiqnim sërish komentariatin e Zef Ashtës në TV, i cili përdorte transkriptime të sakta (me gjasë, ato të TASS-it) dhe me siguri nuk dyshonte në lëvizjet. Gazetën “Sporti” e blinim besnikërisht, sepse gjithnjë na pëlqente që, me dy-tre shokë, t’i riprodhonim lojërat në qetësinë e zhegut të gushtit; dhe ashtu gjithnjë do të përplaseshim me gabimin e parë, pastaj të dytin dhe më në fund me momentin fatal kur lojën të mos e vazhdonim dot më – madje edhe kur e mbanim mend, turbull, si e kish luajtur Zef Ashta në ekran.

Ashtu erdhëm dhe u mësuam me idenë se transkriptimi që vinte me gazetën ishte vetëm një përafrim i lojës që ish luajtur në Rejkjavik – si një dorëshkrim i kopjuar kuturu nga një analfabet pak dritëshkurtër. Filloi të na pëlqente ideja që çdo lëvizje mund të vihej në diskutim dhe të ekzekutohej ndryshe – dhe që kushedi edhe rezultati i matçit në Islandë mund të ndryshonte, falë asaj që rikrijonim ne në tabelë.

Për mua, kjo mund të përkthehej edhe si mundësi – sado kundërfaktuale – që Spassky ta ruante titullin dhe ta mposhtte arrogantin Fischer. Kish momente, në lojërat që shtjelloheshin në tabelat tona, në oborret e mëhallës tironse, kur kjo mundësi i afrohej shumë realizimit; dhe në këtë mes inkompetenca teknike e radhitjes te “Sporti” ndihmonte, pavarësisht verdikteve fatale që jepte Zef Ashta mbrëmjeve.

Tani që e kujtoj, më duket e mahnitshme që jetoja atëherë në një botë, kur edhe saktësia gati aritmetike e një loje shahu mund të vihej në dyshim, në mos në diskutim, për shkak të gabimeve në transmetim. Siç më duket edhe normale, sa kohë që krejt brezi im u mësua të ëndërronte, falë gabimeve të ndryshme në transmetim – të cilat na dhanë, tek e fundit, kodin tonë gjenetik aq të papërsëritshëm. Dhe njëlloj të pazbërthyeshëm, sa edhe transkriptimi i një ndeshjeje shahu në gazetën “Sporti”.

Nuk e dinim, natyrisht, që po jetonim një epokë ende legjendare për shahun. Lojërat që zgjateshin mbi 40 lëvizje, shtyheshin për një ditë më pas – dhe lojtarët, bashkë me trajnerët dhe ndihmësit e tyre e gdhinin duke kërkuar variantet optimale të vazhdimit. Mbase edhe atëherë ka pasur ndonjë kompjuter që luante shah, në nivelin e një fillestari; por kampionët ishin kampionë të galaktikës.

Ka qenë një kohë kur edhe kampionati botëror i shahut, pa çka se ndiqej nga një grusht të apasionuarish krenarë për hobby-n e tyre të çuditshme, i ngjante një skene teatri, ku dy protagonistët performonin me mendjen e tyre, duke i habitur spektatorët me sakrificat e befasishme, lëvizjet spekulative, luftën psikologjike; për të ofruar njëkohësisht provë të epërsisë së tyre supreme.

Ka qenë një kohë, por që sot pak nga pak po harrohet.

Shahu profesionist gjithnjë bazohet në teorinë e hapjeve; ose në njohuritë që duhet të kenë lojtarët për lëvizjet më të mira, që u sigurojnë epërsi ose baraspeshë. Disa nga hapjet, si Ruy Lopez (spanjolle), Mbrojtja Siciliane ose Gambiti i Damës tashmë njihen dhe përdoren edhe nga ata që e luajnë shahun thjesht për qejf.

Softuerët që luajnë shah e kanë përsosur teorinë e hapjeve, duke i analizuar versionet në imtësi dhe duke gjetur vazhdimet më të mira. Ai shahist që mëson përmendësh sa më shumë versione, do të ketë avantazh gjatë lojës, ndaj atij tjetrit, që preferon të luajë “me vesh.”

Për pasojë, shahistët e niveleve më të larta janë të detyruar t’i mësojnë hapjet dhe ta kalojnë një pjesë të madhe të stërvitjes duke ushtruar kujtesën; çfarë jo doemos lidhet me intuitën shahistike, frymën kombinative dhe estetikën e lojës. Natyrisht, asnjë shahist në gara zyrtare nuk ka ndonjë detyrim, madje as moral, që të luajë “bukur”, aq më tepër që loja “bukur” nuk garanton ndonjë avantazh. E megjithatë, tani që 15-25 lëvizjet e para i dikton kompjuteri, çdo lloj sensi estetik është zhdukur nga loja; sepse softueri as që e merr parasysh kriterin estetik.

Nga ana tjetër, të mos e ndjekësh teorinë mund të jetë me rrezik të madh, në qoftë se kundërshtari e ka mësuar ndërkohë kundërpërgjigjen. Ndodh relativisht shpesh që një lojë, edhe në nivelin e mjeshtërve të mëdhenj, të përfundojë me fitoren e njërës palë thjesht ngaqë pala tjetër e pat harruar se çfarë duhej luajtur në një variant hapjeje të caktuar.

Dhe doemos, nuk ka asgjë interesante për publikun, të shohë si shahistët më të mëdhenj të botës rrinë dhe përsëritin, në skakierë, lëvizje që i kanë mësuar përmendësh; duke i zgjedhur mes dhjetëra mijëra varianteve që kanë depozituar në kujtesë.

Deri dje, kish vend edhe në elitën shahistike botërore për lojtarë romantikë, të shahut spekulativ dhe të sakrificës, që jo gjithnjë bënin lëvizjet më të sakta, por që arrinin megjithatë ta mahnitnin jo vetëm publikun, por edhe kundërshtarin. Për fat të keq, lojtarë të tillë sot rrezikojnë të skartohen në mënyrë preventive, ngaqë fitoret u shkojnë të tjerëve – atyre që mbajnë mend.

Falë këtij seleksioni të pashmangshëm, shahistit që krijon po ia zë kështu vendin shahisti që arrin të replikojë çfarë i ka treguar softueri.

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, edhe vetë publiku po u qaset këtyre eventeve në mënyrë tjetër. Deri dje, kur njëri prej lojtarëve mendohej gjatë midis lëvizjeve në ndonjë pozicion kritik, komentatorët dhe publiku vetë përfshiheshin në debate të zjarrta, në lidhje me lëvizjen më të saktë në një pozicion të caktuar; pa çka se jo rrallë zgjidhja që i jepte pozicionit lojtari vetë do të përshëndetej pastaj si gjeniale a si coup de théâtre.

Përkundrazi, sot të gjithë ata që e ndjekin lojën mes dy mjeshtërve të mëdhenj, mund t’i riprodhojnë lëvizjet deri edhe në telefonin celular dhe ashtu ta dinë paraprakisht se cila është lëvizja objektivisht më e fortë, për t’u bërë në pozicionin e dhënë.

Kësisoj, forca e vërtetë e lojtarit, madje edhe atij që ndeshet për titullin botëror, do të matet nga aftësia e tij për “të gjetur” lëvizjet e sugjeruara nga softueri.

Nëse ka pasur një periudhë kur shahistët më të mëdhenj dhe teoricienët e shahut debatonin mes tyre për “të vërtetën shahistike”, duke u ndarë në dy kampe, njëri prej të cilëve e gjykonte shahun si shkencë, ndërsa tjetri si art; sot kjo dilemë konsiderohet e kapërcyer. Praktikisht për çdo pozicion, softueri e përllogarit lëvizjen më të mirë, ose “të vërtetë”; dhe çdo shmangie prej kësaj lëvizjeje do të damkoset sakaq si gabim.

Gabimi ka qenë dhe mbetet pjesë e pandarë e shahut si lojë mes njerëzve; por publiku në të kaluarën shpesh nuk ishte në gjendje ta dallonte se cili lojtar gaboi dhe ku, gjatë një loje; përkundrazi, sot që pa u bërë akoma lëvizja në një pozicion kritik, të gjithë ata që e ndjekin lojën e dinë se cila nga lëvizjet e mundshme është e mirë, dhe cila është e gabuar.

Kësisoj, publiku i një eventi shahistik edhe të nivelit më të lartë nuk e shijon performancën e lojtarëve si festë të mundësive të mendjes së njeriut dhe si kombinim të artit, përllogaritjeve dhe psikologjisë; por vetëm e krahason këtë performancë me çfarë sugjeron softueri në kompjuter, në tabletë ose në telefon.

Meqë tashmë ka vite që softuerët, madje edhe ata komercialë, luajnë më mirë se kampionët dhe nuk gabojnë kurrë, disa analistë dhe komentatorë kanë shprehur dyshimin, në mos frikën, se ky efekt i padëshiruar ia ka hequr shahut elitar magjinë, në sytë e publikut.

Në fakt, e vetmja lëvizje dramatike që do të mbahet mend, nga match-i për titullin botëror mes Carlsen-it dhe ukrainasit Karjakin në vitin 2016 – sakrifica e damës nga Magnus Carlsen, (të cilën e kam rrëfyer këtu) ishte përllogaritur me kohë nga të gjithë motorët shahistikë; dhe praktikisht të gjithë ata që po e ndiqnin lojën e prisnin që të ndodhte, me përjashtim të dy lojtarëve vetë.

Pastaj, se edhe sa kohë mund të vazhdohet kështu, këtë as softuerët shahistikë (akoma) nuk janë në gjendje ta llogaritin.

Na mbetet megjithatë historia e lojës vetë, e pasur me përplasje titanësh, drama, gjeni dhe lojëra të mrekullueshme, në papërsosmërinë e tyre.

Spassky ishte mes atyre që historinë e shkruan, të shahut dhe tjetrën; një protagonist edhe për ata që e ndoqën dhe ia admiruan mendjen.

Loja e 13-të e match-it të vitit 1972, ajo që e ilustrova më sipër, ka mbetur në mendje të shumë shah-dashësve, siç e shoh nga kujtimet që lënë njerëzit edhe sot dhe nga komentet që bëjnë online; ka ende ndonjë komentues që e vë në dyshim transkriptimin e lëvizjeve, sepse i duket kundër-intuitiv.

Kësaj loje i kam kushtuar një kapitull nga seria NË ATË VEND; të cilin kapitull e kam nxjerrë edhe në faqen time në Facebook dhe tani po e sjell më poshtë, për ta plotësuar këtë eulogji të Spassky-t:

Prej vitesh ushqejnë NË ATË VEND pasionin dhe respektin për shahun, duke rivënë në skenë çdo javë – në teatrin qendror Kaissa – lojën e 13-të të match-it Spassky-Fischer për titullin botëror, lojë që u pat zhvilluar në Rejkjavik të Islandës më datën 10 gusht të vitit 1972. Një riprodhim i çiltër dhe besnik i tryezës së dikurshme, karrigeve dhe sahatit të posaçëm, por edhe i mjedisit retro në pallatin e sportit Laugardalshöll ku u mbajt eventi origjinal – përfshi këtu arbitrin Lothar Schmid, operatorët e kamerave dhe rojet – ku ndeshen dy titanët e lojës mbretërore të viteve më parë, sipas një skenari që rreket t’i rrijë sa më afër ngjarjeve të asaj dite, por i pasuron ato me mizanskenën dhe lojën aktoriale. Që prej mesit të viteve 1980 kur zuri fill kjo shfaqje, Fischer-in dhe Spassky-n i kanë personifikuar aktorë të ndryshëm, të brezave të ndryshëm, me performanca sa të spikatura aq edhe të individualizuara. Duke qenë lëvizjet e asaj loje tashmë të njohura, të komentuara dendur dhe hollësishëm në revistat dhe botimet shahistike por edhe në qindra e qindra sajte online dhe video në YouTube, pritet prej publikut që të jetë i familjarizuar me dinamikën, frymën dhe aq më tepër me ecurinë e lojës vetë – të cilën lojë e fitoi, siç dihet, Fischer-i, pas një konflagracioni kaotik dhe, shpesh herë, të pakuptueshëm; prandaj, në atë masë që kushdo e di se çfarë lëvizje do të bëhet, vëmendja e të pranishmëve në sallë përqendrohet te drama njerëzore e të dy lojtarëve, që – si heronjtë e tragjedive greke– ende nuk e dinë se çfarë rezultati do të japin përpjekjet e tyre; dhe ashtu i sinkronizojnë reagimet e tyre, lëvizjet e kokës dhe të duarve, tiket dhe gëlltitjet nervoze, ngritjet dhe uljet nga tavolina dhe shëtitjet e shkurtra në paraskenë me lojën vetë, e cila shtjellohet për publikun në një mega-ekran të vendosur në sfond. Ashtu teksti i lojës, produkt i vendimeve dhe i zgjedhjeve, ndonjëherë të çastit, të dy super-mendjeve mbërthyer në duelin e atëhershëm pa kthim, shërben tani si partitura e një shfaqjeje multimediale, ku aktorët e dinë si do të përfundojë loja, por bëjnë të pamundurën për t’ua fshehur këtë rezultat personazheve të tyre dhe, në përpjekje e sipër, krijojnë art. Për shkak të interesit të madh NË ATË VEND jo vetëm për shahun si lojë, por edhe për spektaklin tashmë tradicional në teatrin Kaissa, kureshtarët nga bota mbarë, amatorët e shahut, turistët dhe vizitorët e kanë gjithnjë të vështirë të gjejnë bileta; këto duhen prenotuar herët, edhe pse shpesh me çmime më të larta edhe se ato të Koncertit të Vjenës a të një premiere të Verdit në “La Scala”. Kampionë bote si Kasparovi, Kramniku dhe indiani Vishy Anand e kanë nderuar eventin me praninë e tyre; madje edhe vetë Boris Spassky ka vizituar dy herë dhe ka komentuar me afsh gabimet që pat bërë tek ajo lojë dhe që, siç ka thënë, “do t’i ribënte”. Thuhet se edhe Fischer-i ka hyrë dikur në sallë vjedhurazi dhe incognito, për t’u larguar pastaj pa mbaruar shfaqja; i pyetur për këtë nga gazetarët, sa kohë që ishte ende gjallë, është përgjigjur rregullisht se nuk i pëlqen teatri.

Për shkak të atij match-i në Islandë, Spassky kaloi nga realiteti në mit, duke u ngrirë në lakun e një rrëfimi të pambarim. Çdo ditë në imagjinatën e mijëra e mijëra njerëzve, ai ulet përballë Fischer-it, për t’u përballur me të, në të njëjtat lojëra, me të njëjtat rezultate. Kodi i këtyre lojërave tashmë është në dispozicion të së gjithëve, si një skript a skenar minimal por preciz, që nuk mund të preket më.

Si në ato historitë fantashkencore, ku personazhet mbeten të kapur pas një dite të jetës së tyre, të cilën janë pastaj të detyruar ta rijetojnë në amshim, edhe dy kampionët, hije të një Lufte të Ftohtë e cila edhe ajo i ka lënë botës hijen, vazhdojnë të ndeshen dhe t’i shenjtërojnë atë grusht lojërash që, kur po luheshin në krye, nuk ishin veçse produkt i zgjedhjeve subjektive, ndonjëherë gabimeve, iluzioneve dhe lodhjes.

Kur shkova në Islandë, e pata mundësinë të shkoja dhe të vizitoja sallën ku ishte zhvilluar match-i, me tryezën e ruajtur në trajtat e një pllake varri të një eventi të madh, por tashmë të largët në kohë.

Nuk shkova dot. Ndryshe nga një event tjetër sportiv, për shembull një ndeshje futbolli, të cilën mund ta “riprodhosh” nga një film ose nga një video, lojën e shahut mund ta rikrijosh si esencë, nga një transkript çfarëdo. Edhe pse ajo konsiston në një numër të kufizuar lëvizjesh të njëpasnjëshme, që ndjekin një numër të kufizuar rregullash, duke u shtjelluar e gjitha në kohë madje në mënyrë të tillë që materialiteti i gurëve dhe i tabelës të mos jetë asfare esencial, ka diçka të tejkohshme te sekuenca e lëvizjeve, që nuk i ngjan njëpasnjëshmërisë së ditëve të jetës.

Në gjendje të riprodhohet saktë, pavarësisht nga vendi, kalendari, tabela, moti dhe natyra e gurëve, loja e shahut është një ritual që e sfidon historinë ndryshe nga arkivi ose memorja. Kjo veti e lojës i bën dyfish mitike ngjarje si match-i i atëhershëm, siç i bën Fischer-in dhe Spassky-n personazhe të mitit, paçka se ka pasur një kohë – në këtë botë – kur ato lojëra ende nuk ishin luajtur.

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Pjesë të esesë më lart janë botuar si statuse në rrjetet sociale ose si shkrime në revistën “Peizazhe të fjalës”. Imazhi ilustrues më poshtë është përfytyruar me Midjourney. Botohet me leje te "TemA".

1 Komente

  1. J
    Jorgo

    nuk krahasohej mongoli me gjgandin Fischer

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje