Nga Ylli Demneri
Duke shfletuar gazetën «Liberation» para dy ditësh, më tërhoqi vëmendjen një shkrim me rastin e vdekjes së shkrimtarit Albert Cossery. Nuk e kisha parë dhe as kisha dëgjuar ndonjëherë për të. Dhe besoj se nuk jam i vetmi. Portreti m’u duk simpatik, i shkruar bukur, por dhe vetë personazhit nuk i mungon kripa. Duke shfletuar edhe gazetat e tjera kryesore si «Le Monde» dhe «Figaro», vura re se edhe ato kishin shkruar gjatë për këtë shkrimtar. Në artikullin e gazetes «Le Monde», autori, mes të tjerave, shkruante: «E kishin pyetur një ditë nëse mërzitej. Ai qe përgjigjur: «Nuk mund të mërzitem, sepse jam gjithmonë me zotin Cossery.»
Një personazh « jashtë kohe », siç do ta shihni edhe më poshtë në portretin që i bënte gazeta «Liberation».
Një ditë, kur takohet rastësisht me njërën nga ish-të dashurat e tij – dhe ka patur shumë - në bulevardin Saint-Germain, ajo i flet për dyzet vitet e fundit të jetës së saj: «Tre fëmijë, dy divorce, katër ndërrime shtëpish. Po ti?»
«Oh, për mua asgjë nuk ka ndryshuar, i përgjigjet Albert Cossery. Vazhdoj të bëj gjumin e drekës çdo ditë, në po atë krevat ku isha shtrirë ditën kur me le ti.»
Që sot e tutje, askush nuk do të vijë t’i prishë gjumin e drekës zotit Cossery, as gratë, as gazetarët, as botuesit, as ata që të çajnë kokën. U gjet, dje në mëngjes, në shtratin e tij, në dhomën e tij në hotelin «La Louisiane», në rue de Seine. I vdekur. Ishte 94 vjeç.
Shokët e tij kanë kohë që janë larguar: Camus, Vian, Giacometti, Mouloudji, Mastroianni, Mitrani. Nga ajo epokë ka mbetur vetem Juliette Greco. Dhe nga ai Saint Germain-des-Près, nuk kishte mbetur veçse Cossery. Një princ.
Çdo ditë ai dilte për të ngrëne drekë. Kostum, jelek, kravatë, shamizë diskrete në xhepin e vogël, këpucë të përkryera, i parfumuar, i krehur; i fundit Zazou. Pas restorantit «Lipp» apo restorantit të «l’Emporium Armani», ai ulej në kafe «Flore» për të vështruar vajzat. Por dhe ato nuk qëndronin indiferente. Fundjavave, për t’ju shmangur turistëve dhe idiotëve, fshihej në Chais de l’Abbaye.
Një jetë e tërë papunësie krijuese dhe dëfrimesh. Në këtë pikë ia kishte kaluar edhe Cioran-it. Por ai qe më gazmor dhe më pak pesimist. I biri i një rentieri dhe një analfabeteje, ai u edukua nga vëllezërit e shkollës kristiane. Libri i tij i parë më përmbledhje novelash, «Njerëzit e harruar nga Zoti » (1941), e bën të futet në rrethet letrare frankofone të Kajros: çuditërisht fijëza sociale është e pranishme në këtë libër, ashtu si edhe sensi i talljes. Henri Miller e zbulon. Meqe Parisi ishte vendi ku duhej të ishe, ai vendoset atje në 1945. Tashmë në hotel «La Luisiane». Vajzat janë të bukura, hoteli i lirë dhe festa e përhershme. Ai qëndron, kaq.
Cossery s’ka patur asnjëherë plan karriere, as tjetër ambicie përveçse të mbahet në lartësinë e asaj që ai priste nga vetja: class dhe çinteresim. E kishte kuptuar që prona nuk është vetëm vjedhje, por mbi të gjitha burg, skllavërim i atij që e ka. Ai ka jetuar pra i lirë falë bujarisë së disa miqve dhe të drejtave të autorit.
Cossery ka publikuar një përmbledhje me novela dhe shtatë romane në pesëdhjetë vjet, pra, nuk ishte edhe aq përtac. Çdo frazë ishte e punuar, e lëmuar, e punuar për aq kohë sa duhej që ai të ndihej i kënaqur. Shqetësimi kryesor i Albert Cossery-t ishte dëgjimi i arabishtes egjyptiane në gjuhën franceze. Cossery ishte një shkrimtar i çuditshëm, që mendonte në arabisht dhe shkruante në frëngjisht. Nga ana tjetër, Egjypti nuk e ka lënë asnjëherë, me të marrët, mistikët, pushtët dhe të mjerët që ai ka patur rastin t’i vëzhgojë përgjatë viteve të kaluara në Fishawi, në «kafen me pasqyra» në Kajron e vjetër që i shërbente si pikë orientimi shkrimtarëve egjyptianë, si dhe Mahfuzit.
Kryevepra e Albert Cossery-t mbetet «Lypës dhe krenarë» (1955), ku titulli është një përkufizim i përkryer i egjiptianëve. Ashtu si «Dhuna dhe Tallja» (1964) që është manuali më i mire i rebelimit politik. Duke mos bërë gjë tjetër veç ëndërrimit e ruajtjes nga poterja e botës, Cossery–t i kishin kaluar ndër mendje parandjenja të çuditshme. Do kish qenë në interes të rinisë së viteve 68 që të lexonin librin «Dhuna dhe Tallja» dhe Sadam Hussein-i nuk do të kishte humbur asgjë po të kishte shfletuar «Një ambicje në shkretëtirë» (1984), ku lufta e Golfit duket si e paralajmëruar. Po të kishin patur të paktën sensin e humorit…
Veprat e Cossery-t ishin bërë pothuajse të pagjetshme në fillimin e viteve 80. Derisa një gazetare e re, Joelle Losfeld, merr në intervistë shkrimtarin për të përjavshmen «Jeune Afrique». Në 1986, ajo trashëgon shtëpinë botuese të babait të cilën e pagëzon me emrin e saj. Autori sapo ka rimarre të drejtat e dy prej romanet e tij. Ajo i riboton. Pak nga pak, ajo merr të gjitha librat e tij, por jo pa vështirësi, disa shtëpi të mëdha botimi preferonin që të linin stokun e librave të mykej në bodrum, sesa t’i jepnin të drejtën e botimit. Me 2005, ajo publikon më në fund veprat e plota në dy vëllime dhe riboton «Bashkëbisedimin e Albert Cossery-se» nga Michel Mitrani, që mbetet parathënia më e mirë për sa i përket jetës dhe vepres së tij. Puna e Joelle Losfeld-it e rivlerëson Cossery-n. Ai është nderuar nga Akademia franceze me cmimin «Mesdheu dhe shoqeria e letrarëve». Para dhjetë vjetësh kishte humbur zërin pas një operacioni të laring. Kjo nuk e shqetësonte dhe aq shumë. Dhe kur nuk arrinin të kuptonin vërshëllimat e tij, ai kapte stilolapsin për të shkruar përgjigjet, gjithmonë lakonike dhe fishkëlluese.
Por mbrapa ironisë, ai ishte i dashur me miqte dhe fëmijët. «Jeta është e bukur» thoshte gjithmonë me një fishkëllimë të ngjirur. Ata që e njihnin kishin filluar të harronin që Albert Cossery mund të vdiste. Të tjerët nuk kanë patur fatin ta dinin që ai ishte akoma gjallë.
23 qershor 2008
Eshte mrekulli, te lexosh shkrime te tilla te rralla, vecanerisht nga nje njeri m,e shpirt te madh sic eshte Ylli Demneri.