“Shumë më kishte ashpërsue internimi, e ç’ka kishin me më ba ma keq?"/ Përkujtohet Drane Jakja

13 Maj 2025, 15:37Kulturë TEMA
“Shumë më kishte ashpërsue internimi, e ç’ka

Drane Jakja lindi në Fierzë të Pukës, më 29 qershor 1910. Pas arratisjes së të shoqit, Vuksan Prekës nga Nikaj-Mërturi për në Jugosllavi, më 5 tetor 1948, Dranen e internuan me 4 fëmijët e saj në Kampin e Tepelenës.


“Doruntina e kohëve moderne”, e ka quajtur Pjetër Meta, autori i disa teksteve që flasin për historinë e Nikaj-Mërturit. Drane Jakja është konsideruar simbol i qëndresës mbinjerëzore; gruaja që sfidoi fatin.

Si mjëra të tjerë e dënuar në kamp, Dranja punonte duke ngarkuar në kurriz lëndë drusore nga malet e Turanit, Bënçes e Dragotit. Vetë ajo dëshmon për Fatbardha Saraçin se veç kësaj bënin edhe punë të tjera të detyruara, transportonin gurë me karroca dore me rrota hekuri e me tezga, apo tërhiqnin gurë në vend të kuajve.


Me epideminë e tifos së morrave të gushtit 1949, që mori jetën e 33 fëmijëve të kampit brenda një nate, edhe Dranja humbi djalin e vogël, 2-vjeçar, pas krizash shumë të rënda.


Urdhri për lirim i erdhi pas 3 muajsh. Para largimit nga kampi, e shoqëruar nga Zoja, vajza e saj 11-vjeçare, Dranja u drejtua drejt vendvarrimit të djalit dhe e zhvarrosi me kujdes. “Vajza, Zoja...e mora me vedi. Ishte mesnatë. Hana si ditë m’drekë, e morëm rrugën për në Turan, te vorri i djalit. Gërmova e gërmova...Duart mu bënë dru e gishtat më kullonin gjak”.


Rrëfimin rreth kësaj historie të rrallë e vijon me të tjera detaje Pjetër Meta: “Shtatë javë e ka mbajt Nanëmadhja Drane Jakja djalin e saj në kampin e Tepelenës...Çohet e merr lejen e largimit, e në një makinë rasti ngarkue me pambuk niset nga Tepelena për në Shkodër. Doruntina reale, Dranja tamam si nëpër legjenda, pasi kapërceu lumenj, vargmale, pas 7 ditëve rrugëtim me makinë e në këmbë, nga kampi i internimit në Fierzë e në Btoshë, e varrosi djalin e vogël pranë gjyshit të tij, Prekë Ndout, në trollin e Zeqir Demës, në fshatin e tij të lindjes”.

Me nismën e AIDSSH, në kampin e Tepelenës, ku u zhvillua drama jetësore dhe u farkëtua mbijetesa, në ceremoninë e dhënies së titullit për “Merita të veçanta civile”, djali i saj Nikë Vuksani tërhoqi titullin kushtuar nënës së tij, Dranes, në emër të sakrificës dhe forcës së pashoqe.

/autoriteti/

Lini një Përgjigje