Teatër Kukullash

11 Shtator 2025, 20:35Kulturë Ardian Vehbiu

Allan Brooks, një rekrutues për korporata, kaloi tri javë (300 orë) në bisedë me ChatGPT, për t’u bindur se kish zbuluar formula matematike të tilla që të zbërthenin enkriptimet dhe të ndërtonin makina flurimi (levitation). Gjatë këtyre bisedave, ai e pyeti mbi 50 herë chatbot-in nëse idetë e tij kishin ndonjë vlerë reale. Të gjitha herët, mori përgjigje pozitive.

Kështu raporton Benj Edwards, në Ars Technica; autor i një serie shkrimesh kohët e fundit, që çmontojnë disa nga mitet më kokëforta, shoqëruese të suksesit të ChatGPT-së dhe modeleve të tjera gjenerative të inteligjencës.

Ky është vetëm një shembull, i raportuar nga The New York Times, për njerëz bien pre e një keqkuptimi ose iluzioni, në kontakt me sisteme që, në fakt nuk janë në gjendje të dallojnë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme, përrallë a marrëzi. Janë të panumërta rastet kur përdorues dalin nga sesione me chatbot-ët të bindur se kanë revolucionarizuar këtë apo degë të shkencës, në një kohë që biseda thjesht i ka ngopur me lugë të zbrazët.

Arsyet pse ndodh kjo janë gjithfarësh, por mes tyre dua të dalloj ndërfaqen (interface) e këtyre sesioneve, mes një përdoruesi dhe modelit në fjalë – faktin që modeli komunikon në gjuhë natyrore, duke u integruar në një pragmatikë komunikimi që, deri dje, ishte ekskluzive për njeriun.

Për shembull, kur i kërkova ChatGPT-së të më përmblidhte një kapitull të një libri, më dha këtë përgjigje:

If later you’d like me to continue with the next chapters, or even prepare a full structured summary of the whole book, just let me know.

Te kjo përgjigje, modeli i referohet “vetes” në vetën e parë (If you’d like “me” - mua), duke përdorur një përemër deiktik që gjuha e rezervon për të shënjuar subjektin folës – i cili njëherazi e organizon dialogun, duke e bërë funksional (vëreni sa rrallë e përdorim pronorin e vetës së parë, kur jemi në monolog të brendshëm). Një thënie që përmban elemente të tilla (të njohura në anglishte si shifters ose në frëngjishte si embrayeurs) normalisht na njofton për praninë e agjencisë – ose të një subjekti (që thotë “unë”).

Për chatbot-in, deiktiku nuk është veçse një vegël gramatikore për të ndërtuar thënien dhe për të hyrë në dialog me përdoruesin; por pa iu referuar ndonjë subjekti, dhe aq më pak ndonjë subjekti unik. Në një kuptim, është edhe ai një skeuomorf, si një formë e dizajnit gjuhësor, që e bën një vegël më pak “aliene” për përdoruesin[1].

Gabimi që bëjnë shumë përdorues, është se fillojnë t’i atribuojnë chatbot-it karakteristika të tilla si aftësia për të dalluar të vërtetën nga trillimi, ose edhe aftësia për të pasur pikëpamje dhe opinione; dhe më në fund, aftësia për të projektuar autoritet. Këtë rrejshmëri e kanë quajtur antropomorphic approach ose personhood trap – aftësinë e AI-së për të sendërtuar personalitetin njerëzor.

Dukuria nuk ka të bëjë me mënyrën si funksionon AI, dhe as me modelin specifik të input-output-it, por me prirjen tonë për t’i kontekstualizuar thëniet. Për shembull, kur lexojmë fjalinë:

Tani nuk më mbetet edhe shumë për të jetuar.

Menjëherë përfytyrojmë një subjekt (personin që thotë “ mbetet”, duke iu referuar vetes në vetën e parë), të cilit po i afrohet vdekja, kushedi ngaqë është i sëmurë, ngaqë e kanë dënuar me vdekje, ngaqë gjendet në një situatë rreziku katastrofik (një astronaut që po i mbaron rezerva e oksigjenit), ngaqë po gatitet të vrasë veten e kështu me radhë. Të gjitha këto janë presupozime prej nesh, që përpiqemi të ndërtojmë një skenë komunikimi mbi bazën e një thënieje të vetme; duke filluar nga presupozimi se thënia vjen nga një subjekt njerëzor (këtë e përforcon edhe “fakti” se subjekti është kryefjalë e foljes jetoj), dhe se ky subjekt, me gjasë, e vuan këtë afrim të vdekjes (“nuk më mbetet edhe shumë”). Edhe ndajfolja tani, që është një shifter, meqë i referohet, deiktikisht, momentit kur “prodhohet” thënia më lart, ndihmon për të krijuar një pseudo-kontekst, të tillë që t’i katalizojë përfytyrimet tona. Përfytyrimi se thënia vjen nga dikush që po vuan a që ka frikë nga vdekja në momentin kur flet (tani) merr përparësi në interpretim, ngaqë temat e jetës, vdekjes dhe të mbijetesës na tërheqin veçanërisht.

Si rregull, nuk na shkon mendja se thënia më lart mund të jetë edhe produkt i një makine që prodhon thënie gramatikisht korrekte, në bazë të trajnimit që ka marrë, duke vendosur lidhje probabilitare mes koncepteve, brenda një rrjeti neural; në mënyrë të tillë që këto thënie t’i përgjigjen, me optimizim, një prompt-i të caktuar. Një model që do të na ndihmonte për ta kuptuar pragmatikën e thënieve të tilla është ai i teatrit – ku spektatori, që e dëgjon thënien të shqiptuar nga një aktor – nuk mendon se aktori është vërtet duke vdekur, por ia atribuon “vërtetësinë” e thënies një realiteti narrativ të virtualizuar (të simuluar), ku vepron personazhi i luajtur nga aktori. Dhe kjo ndodh ngaqë spektatori në teatër është edhe ai i trajnuar, që t’i interpretojë drejt thëniet që vijnë nga skena; duke e mbajtur subjektin e personazhit të ndarë nga subjekti i aktorit përkatës.

Siç e kanë vënë në dukje tashmë specialistët e inteligjencës artificiale, perspektiva e një shkëmbimi me chatbot-in AI është e ndryshueshme dhe e orientuar sa nga të dhënat e trajnimit, aq edhe nga materialet e futura prej teje si përdorues (user input).

Edwards thotë: LLM-të (chatbotët AI) janë “inteligjencë pa agjenci”, ose “vox sine persona” – zë pa person. Jo zëri i dikujt, as zëri kolektiv i shumë “dikujt-ëve”, por një zë që nuk del nga askush (a voice emanating from no one). Thjesht makina parashikuese (prediction machines, Edwards), që përftojnë atë ligjëratë, e cila e kënaq më mirë pyetjen tënde.

Në fakt, që dikush të ketë një pikëpamje ose opinion, nevojitet uniteti i subjektit, ose vetëdija e vijueshmërisë së subjektit në kohë – për të qenë personalitet i qëndrueshëm. Nëse ne, përdoruesve, na duket sikur chatbot-ët janë në gjendje të mendojnë a të arsyetojnë, kjo nuk duhet të na çojë deri atje, sa të përfytyrojmë një kryefjalë pas kallëzuesit “mendoj” ose “arsyetoj”. Jemi mësuar, thotë Edwards, të besojmë se inteligjenca kërkon identitet – por tani kemi në dispozicion “motorë intelektualë” që kanë aftësi arsyetuese, pa pasur gjithashtu një vete (self) që të marrë përgjegjësinë për çfarë thuhet. Me fjalë të tjera, personaliteti dhe autoriteti i një chatbot-i si ChatGPT janë simulime në mendjen e përdoruesit.

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është krijuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.

[1] Sipas një përkufizimi të pranuar, skeuomorf është çdo objekt ose karakteristikë që imiton dizajnin e një artifakti të ngjashëm, të prodhuar nga një material tjetër.

I formuluar nga një H. Colley March në 1998, nga dy tema të greqishtes së vjetër, skéuos (enë ose vegël) dhe morphḗ (formë), ky term u referohet para së gjithash anakronizmave të qëllimshme në dizajn – nga qirinjtë elektrikë dhe veturat me panele vinili që simulojnë teksturën e drurit, lëkura artificiale (pleather), frutat plastike dhe lulet prej letre a prej pëlhure, linoleumi që duket si parket dërrase, etj. janë skeuomorfe. Ndryshe nga objektet fake, skeumorfet nuk synojnë ta gënjejnë përdoruesin, por vetëm t’i japin një “aromë” të shtuar objektit.

Skeuomorfet zakonisht lulëzojnë në periudha ndërrimesh të paradigmës teknologjike – siç është kjo e sotmja, sa i përket teknologjisë kompjuterike dhe virtualizimit. Për shembull, ndërfaqja grafike e një aplikacioni për të mbajtur shënime në telefon mund të ketë pamjen e një blloku shënimesh me vija; ose një aplikacion për radio mund të duket si një aparat radio i viteve 1950. Edhe vetë butoni, si element i ndërfaqes, është skeuomorf. Shumë ikona kompjuterike janë skeuomorfe gjithashtu: për shembull ajo e emailit, që shpesh ka trajtën e një zarfi; ose ajo e regjistrimit të zërit, që ka trajtën e një mikrofoni; ajo e thirrjes telefonike, që ka trajtën e një telefoni me disk; e kështu me radhë. Skeuomorf është zhurma klikuese që lëshon telefoni celular, sa herë që shkrepet një fotografi, në imitim të kamerave tradicionale, ku shkrepja kërkonte lëvizjen e pjesëve mekanike dhe sustave. Pena magnetike (digitizer), që unë përdor ndonjëherë për të mbajtur shënime me dorë në tabletë, ka formën, ngjyrat dhe dizajnin e një lapsi tradicional Staedtler.

Këto marifete të dizajnit nuk janë thjesht për estetikë dhe as për kënaqësinë e përdoruesit: roli i tyre kryesor është të ndërmjetësojnë për të futur, në jetën e përditshme, një teknologji relativisht të panjohur, si ajo kompjuterike (dixhitale); ose virtualitetin.

Lexuesit elektronikë të librit – si Amazon Kindle, por jo vetëm – dhe që janë kombinim i një hardueri dhe i një softueri të specializuar, vijnë të ngarkuara me skeuomorfe; meqë marketuesit e tyre duan t’i kujtojnë lexuesit librin tradicional në çdo aspekt. Ato jo vetëm kanë formën dhe peshën e një libri të vogël; por edhe tregojnë imazhin e kopertinës së librit. App-i Kindle për Android ka një efekt vizual të shfletimit që i ngjan shumë shfletimit të një libri real (nëpërmjet animacionit, faqja virtuale përthyhet dhe lakohet kur gishti yt prek ekranin, si të ishte faqe reale). Nëse kërkon që ta mbash mend një faqe për çfarëdo arsyeje, mund të përdorësh një “faqeshënjues” (bookmark) që ka trajtën e një fiongoje të vogël, me dhëmbëzim. App-i gjithashtu të lejon ta shfletosh librin me gisht, nëpërmjet një gjesti të njëjtë me atë të shfletimit të një libri real.

Kësisoj, skeuomorfet duan t’ia ngrohin librin eletronik përdoruesit, duke ia referuar librit real; dhe duke shpresuar se kësisoj do ta bëjnë lexuesin të harrojë se çfarë dallimesh dramatike ka midis këtyre dy teknologjive.

Lini një Përgjigje