Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë vijoi në ditën e tretë me shfaqjen e disa filmave, mes të cilëve spikat “Luna Park”, i regjisorit shqiptar Florenc Papas.
Filmi prej 101 minutash, është një bashkëprodhim i Shqipërisë, Italisë, Greqisë, Kroacisë dhe Kosovës, i vitit 2024.
Florenc Papas solli historinë e një nëne dhe djalit të saj adoleshent në një peizazh të Shqipërisë post-komuniste. Në film interpretojnë Nik Xhelilaj, Flonja Kodheli, Adriana Matoshi, Suela Bako, Milto Kutali, Eno Milkani etj. Filmi u shfaq si pjesë e kategorisë “Special Screening”, në Kinema Millennium.
Një tjetër projeksion me rëndësi ishte ai i kategorisë FOKUS, si një homazh kushtuar të mirënjohurit Runar Runarsson. Filmi “When the light breaks”, prej 90 minutash është bashkëprodhim mes Islandës, Francës, Holandës dhe Kroacisë i vitit 2024.
Një veçanti e festivalit të këtij viti, është hapësira që i dedikon kategorisë Video Art, shkruan atsh.
Nesër, në seksionin RetrospecTIFF, shfaqet “Obsession”, videot që artisti Fani Zguro ka realizuar në periudhën 2006-2025 dhe “The Anarchist” punime nga disa artistë që do të prezantohen tek qendra e artit “Agimi” në Tiranë. “Obsession” ky program solo nga artisti konceptual Fani Zguro sjell një kolazh të videove të tij të krijuara gjatë gati dy dekadave.
Ndërkohë, në orën 21:30, te Kinema Millennium, sot do të shfaqet fituesi i Luanit të Artë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Venecias 2025, “Father Mother Sister Brother”, nga Jim Jarmusch. Filmi është ndërtuar në formën e një triptiku. Tregimet lidhen mes tyre përmes marrëdhënieve midis fëmijëve të rritur, prindërve të tyre disi të largët dhe lidhjeve që ata kanë me njëri-tjetrin.
Lini një Përgjigje