“Kubla Khan” (titulli i plotë: “Kubla Khan; or, A Vision in a Dream; A Fragment”) është një nga poemat më të njohura, dhe kushedi më të arrira, të Samuel Taylor Coleridge-it.
Vetë autori ka rrëfyer më pas se e shkroi atë një natë sapo u zgjua nga një ëndërr opiumi; dhe ashtu i përgjumur u vu të hidhte në letër vargjet ashtu siç i vinin prej ëndrrës, derisa u detyrua ta lërë punën përgjysmë, ngaqë e lajmëruan se kish ardhur “një person nga Porlock-u” – Porlock-u duke qenë, në këtë kontekst, një fshat i vogël bregdetar, afër vilës ku jetonte poeti.
Pasi ky person u largua, më kot u përpoq Coleridge-i që ta vazhdonte poemën – i kishte firuar nga vetëdija, si “imazhet në sipërfaqen e një rrëkeje, pasi ka rënë atje një gur.”
Para se ta zinte gjumi atë natë, Coleridge-i kish qenë duke lexuar një libër të klerikut dhe gjeografit anglez Samuel Purchas, ku gjendej edhe një përshkrim i shkurtër i Xanadu-së, kryeqytetit veror të sundimtarit mongol Kublai Khan.
Dhe fjalët që përdor Purchas-i atje, për të përshkruar pallatin e Khan-it, e kanë burimin në tekstin e Marco Polo-s, i cili e vizitoi Xanadu-në dikur në 1275.
Në esenë e tij kushtuar “ëndrrës së Coleridge-it” (El sueño de Coleridge, një version në anglishte këtu, menjëherë pas poemës), Borges-i përmend një vepër historiografike të shkrimtarit persian Rashid al-Din, ku ky shkruan se Kubla Khan-i “ndërtoi një pallat sipas një plani që ai e kish parë në ëndërr dhe që pastaj e kish ruajtur në kujtesë.”
Përballë kësaj koincidence, Borges-i vëren se ajo mund edhe t’i detyrohet një arketipi, që ende nuk i është përshfaqur njeriut në plotësinë e vet; “një objekti të amshuar, që po hyn gradualisht në botë – herën e parë si pallat, herën e dytë si poemë.”
Po ç’rol i mbetet këtu të luajë atij tipit nga Porlock-u, që nuk e lejoi Coleridge-in ta mbarojë poemën?
Ky vizitor, që pa dashur la gjurmë në historinë e letërsisë angleze, madje edhe atë botërore, ka mbetur edhe ai në histori – bash për këtë arsye; duke shënjuar një aksident ose rrethanë të rastit, që ndërhyn në ecurinë e krijimit të një vepre.
Këtu do të gjeni listën – me siguri të paplotë – të përmendjeve që ia kanë bërë këtij personazhi engimatik autorë të tjerë, të intriguar, për mirë e për keq, nga kjo ndërhyrje e rastësisë në domosdoshmëri.
E gjithsesi, po të kemi parasysh se e gjithë kjo dinamikë lidhet me objektin e amshuar, ose arketipin për të cilin flet Borges-i, atëherë personi nga Porlock-u – përndryshe i paidentifikuar – do të ketë pasur për detyrë divine pikërisht të pengojë, me mënyrën e vet, përfundimin e poemës; ose transkriptimin besnik të ëndrrës.
Një ndërhyrje nga lart, pra; dhe kjo vjen e i ndërlikon punët.
Kjo anekdotë m’u kujtua menjëherë, kur nisa të lexoja një roman fantashkencor të vëllezërve Arkady dhe Boris Strugackij, me titullin origjinal За миллиард лет до конца света (“Një miliard vjet para fundit të botës”, i vitit 1974), por të përkthyer tani rishtas në anglisht si Definitely Maybe (Melville House Publishing, 2014).
Protagonisti i romanit, Maljanovi, është një astrofizicist që studion “ndërveprimin e yjeve me materjen galaktike të shpërndarë”, dhe pikërisht në momentin kur ndien se po i afrohet një zbulimi të kalibrit të çmimit Nobel, vëren se fillojnë t’i ndodhin në jetë gjëra të çuditshme, të papritura, të pashpjegueshme.
Fqinji i tij, një matematikan, i shpjegon këto aksidente me hipotezën se universi po përpiqet, me mënyrat e veta, që të mos e lejojë këtë zbulim; dhe se kjo përpjekje nuk është veçse një mënyrë e universit për t’u mbrojtur nga super-qytetërimet teknologjike.
Romani i vëllezërve Strugacki shtjellohet në një atmosferë tipike sovjetike – ku njerëzit e kalojnë kohën së bashku, të ulur në tryeza të varfra, duke gëlltitur sasi të pabesueshme alkooli dhe të përfshirë në debate filozofike dhe metafizike për kuptimin e jetës.
Mirëpo kjo ide – e njeriut që pengohet të arrijë potencialin e vet, pse ky potencial mund të jetë fatal për të ardhmen e botës, i tejkalon caqet e paranojës sovjetike, të viteve 1970.
Pesë vjet më parë, dy fizikanë të respektuar - Holger Bech Nielsen i Institutit Niels Bohr në Kopenhagen, dhe Masao Ninomiya i Institutit Yukawa për Fizikë Teorike në Kyoto, Japoni – në përgjigje të një serie defektesh që po i ndodhnin Përshpejtuesit LHC në Gjenevë, dolën me hipotezën se përshpejtuesi LHC në Gjenevë po sabotohet nga e ardhmja.
(Kam shkruar për këtë hipotezë këtu; në shkrim do të gjeni edhe linkun drejt artikullit në The New York Times.)
Sipas këtyre shkencëtarëve, është e mundur që një nga grimcat subatomike që do të përftohen në LHC, bozoni Higgs, mund të jetë kaq e padëshiruar dhe e papranueshme për natyrën, sa krijimi i saj do të pengohet vetvetiu nga e ardhmja, nëpërmjet një mekanizmi të ngjashëm me feedback-un (i njëjti mekanizëm, p.sh. që përdor termostati për të mos e lejuar furrën të tejkalojë një temperaturë të caktuar dhe ta përcëllojë kekun).
Dhe kjo teori ngjan më shumë se ç’mund të lejojë koincidenca, me teorinë e matematikanit Veçerovski në romanin e vëllezërve Strugackij, i cili flet për një “univers homeostatik.”
Të jetë edhe kjo teori, pra, një nga ato objekte të amshuara për të cilat flet Borges-i? Dhe nëse është kështu, a na lejohet ta quajmë personin nga Porlock-u si një nga levat themelore të universit, të kapur në veprim e sipër?
(c) 2014-2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Një version i këtij shkrimi është botuar në “Peizazhe të fjalës” në vitin 2014. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.
Lini një Përgjigje