Tonin Shiroka - shkrimtari, piktori dhe skenografi i talentuar i Teatrit të Kukullave

30 Janar 2025, 20:06Kulturë TEMA
Tonin Shiroka - shkrimtari, piktori dhe skenografi i talentuar i Teatrit të

nga Xhahid Bushati 

Tonini lindi në Tiranë, më 13 maj 1932. Shkollën 7-vjeçare dhe të mesme i kreu në Liceun Artistik "Jordan Misja" (dega pikturë). Nisi të shkruaj krijimtari letrare që i ri. Botonte në revistat letrare për fëmijë përralla, vjersha etj. Një pjesë të tyre i ilustronte vetë me shumë dashuri. Punoi skenograf i Teatrit të Kukullave (Tiranë), derisa doli në pension. Ishte dhe piktor-ilustrues librash për fëmijë dhe në revista të ndryshme.

Gjithashtu, autor i më se 40 pjesëve për Teatrin e Kukullave. (Ndonëse mungon një studim i tillë për këtë kontribut të vyer). Tonini ishte dhe autor i shumë emisioneve dramatike për 'Orën e Fëmijëve' në radio dhe TV. E dashuronte përrallën, ndaj e kishte për zemër aq sa dhe skenën e fëmijëve.

Ka botuar këto libra për fëmijë: "Tre kecat dhe ujku" (përralla, 1964); "Shokët besnikë" (përralla, 1965); "Kujdes, këndez" (përrallë në vargje, 1972); "Fëmijët e rrugicës sime" (roman, 1973); "Këndej erdhën dhe këtej ikën" (roman, 1979); "Burreci mëndjemadh" (përralla, 1982); botoi edhe këto Metoda, si: "Skena e vogël e kukullave", "Skenografia" dhe "Kultura dhe jeta"; "Ngjyros" (Sh. B. Uegen); "Përralla" 1, 2, 3, (Sh. B. Uegen, Tiranë 2009).

Vdiq në Tiranë, në vitin 2006, në moshën 74-vjeçare.

Pak fjalë për romanin "Këndej erdhën dhe këtej ikën" (roman, 1979)

Tonin Shiroka hyn në grupin e shkrimtarëve që trajtuan figurën e Skënderbeut dhe të epokës së tij në letërsinë për fëmijë. Pati shkrimtarë që e trajtuan këtë figurë përmes legjendave dhe përrallave, të tjerë përmes romanit, novelës, dramës... etj. Autori në veprën e tij preferoi subjektin ta zhvillonte në disa linja. Disa i zhvilloi në mënyrë interesante, por pati disa të tjera (më pak) që mbeten të parealizuara artistikisht. Ecurinë e subjektit, autori e pranoi dhe e vizatoi pvrmes veprimeve të figurave të vërteta historike ashtu edhe të trilluara, si: Skënderbeu, Sulltan Murati i dytë së bashku me të birin, princ Mehmeti, Vrana Konti, etj., ndërsa të trilluara: Marini, Leka, Bardhi, Sokoli, Gjeta, Tanushi... etj.

Në qendër të romanit janë dy fëmijë Fatosi dhe Rezari. Përgjithësisht, dy personazhe që nuk frymojnë sa duhet artistikisht. Shkrimtari, në romanin e tij përdor si mjet artistik, kundërvënien, antitezën. Një fenomen të tillë e përdori, vite më vonë (2007) dhe shkrimtari Skënder Hasko në romanin "Dardanët janë aty" (sigurisht me temë trajtimi tjetër).

Në veprën e tij shkrimtari Hasko e realizoi me shumë emocion e vlera artistike këtë kundërthënie; ndërsa Tonini vende-vende lë për të dëshiruar artistikisht, mbase për përdorim edhe të një gjuhë të zakonshme, ndonëse, në përgjithësi romani i Toninit mbart vlera të caktuara ideoartistike.

Pak fjalë për "Përralla" 1, 2, 3.

Në faqet e këtij seriali janë këto përralla: - Përralla 1 ("Dy arushët e vegjël dhe dhelpra", "Tre kecat dhe ujku", "Lepuri dhe breshka", "Rrepa e madhe", "Fjala magjike"); - Përralla 2 ("Luani dhe miu", "Korbi dhe dhelpra", "Bariu rrenacak", "Dhelpra me ngjyra", "Vilja e rrushit", "Qeni dhe hija e tij në lumë", "Tregtari zemërgur").; - Përralla 3 ("Dreri brirë-fortë dhe ujku", "Pulat, qeni dhe dhelpra", "Milingonat dhe gjinkalla", "Mbreti i kafshëve"; vjershat: "Pranvera", "Vera", "Vjeshta", "Dimri").

Shkrimtari Tonin Shiroka e dashuroi përrallën, ndaj dhe e rrëfeu bukur. I njihte mirë "sekretet" e saj. Po cilat ishin veçoritë e përrallës që shkroi Shiroka?

Së pari, motivet e përrallave bazohen në traditën e hershme popullore, por duke mbetur jo në atë kohësi, por duke u dhënë frymëmarrje aktuale. (Duhet thënë se shfaqen aty-këtu ndikime nga letërsia ruse e natyra e përrallave të kësaj letërsie për fëmijë).

Së dyti, mund të jetë nga të rrallët krijues në fushën e përrallës, që këtë krijim e shihte që më parë në parafytyrimin e tij të inskenuar në një shfaqje.

Së treti, pothuajse në të gjitha përrallat, theksin e vinte te dialogu, i cili përmes tij personazhet shfaqnin vetitë e tyre, botën dhe ndeshjen mes së mirës dhe së keqes, ku triumfonte e para.
Së katërti, shkrimtari i shpirtëzoi aq bukur përrallat, sa zgjodhi një frazeologji të mençur e të kulturuar artistikisht.


Shkodër, më, 29.01.2025 

Lini një Përgjigje