Turistë nga Austria në Tiranë për të përjetuar magjinë e artit elitar në Teatrin e Operas dhe Baletit

14 Shtator 2025, 11:14Kulturë TEMA
Turistë nga Austria në Tiranë për të përjetuar

 Turistët e huaj po shfaqin çdo ditë e më shumë interes për trashëgiminë kulturore dhe artistike të vendit tonë. Ata duan të mësojnë më shumë për artin dhe kulturën shqiptare.

Një grup turistësh nga Austria vizituan ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, për t’u njohur nga afër me historikun 72-vjeçar të teatrit.

Turistët austriakë, të cilët udhëtuan enkas drejt Shqipërisë për të përjetuar magjinë e artit elitar në zemër të Tiranës u mikpritën nga një përfaqësi e TKOB.

Ata u njohën me historikun e zhvillimit të TKOB, produksionet skenike, prapaskenat dhe pasurinë e artit shqiptar ndër dekada, me emocionet që ky institucion përcjell brez pas brezi.

Sipas njoftimit të TKOB, vizita u mbyll me një performancë të shkurtër nga vepra “Mullixhesha e bukur” e kompozitorit austriak Franc Shubert (Franz Schubert).

Këto vizita janë dëshmi se turizmi kulturor është një formë strategjike që forcon identitetin kombëtar, hap dyer të reja bashkëpunimi dhe e vendos Shqipërinë në hartën kulturore evropiane.

Turizmi kulturor në vendin tonë, vijon të njohë zhvillim të qëndrueshëm, duke reflektuar rritje të ndjeshme të numrit të turistëve, duke e kthyer atë në një turizëm gjithëvjetor, shkruan atsh.

Lini një Përgjigje