Vjelja e Natës në Kodrat e UNESCO-s, nga traditë në model ekonomik

13 Shtator 2025, 17:03Kulturë TEMA
Vjelja e Natës në Kodrat e UNESCO-s, nga traditë në model

Nga Alba Kepi

Në zemër të kodrave të Conegliano dhe Valdobbiadene, aty ku dielli e hëna rrokullisen mbi rreshta të përkryer vreshtash dhe çdo copëz toke mban gjurmët e historisë, trashëgimisë dhe përkushtimit brez pas brezi, ka lindur një praktikë që po e tejkalon kufirin e zakonit lokal për t’u shndërruar në standard kombëtar.

Vjelja e Natës, një metodë e vjetër e korrjes së rrushit në orët e freskëta të natës, është tashmë e njohur zyrtarisht përmes certifikimit të parë kombëtar në Itali për këtë proces unik.

Kjo nismë nuk është më një përjashtim i rrallë, por një model që po hap rrugë të reja për të gjithë bujqësinë italiane, me një theks të veçantë mbi cilësinë, qëndrueshmërinë dhe respektin ndaj ritmit të natyrës.

La Vigna di Sarah, ferma që e konceptoi dhe e implementoi këtë certifikim, ka vendosur një precedent: çdo fermë apo vreshtar tjetër që dëshiron të adoptojë Vjeljen e Natës do të udhëhiqet nga ky protokoll i ndërtuar mbi përvojë konkrete, kujdes ndaj detajeve teknike dhe një vizion të qartë për bujqësinë si akt kulturor dhe ekonomik.

Themeluesja e këtij modeli, një sipërmarrëse e re grua Sarah Dei Tos, nuk ka thjesht ruajtur një traditë familjare, por ka strukturuar një sistem që e shndërron përkushtimin bujqësor në standard profesional të eksportueshëm.

Ajo ka ndërtuar një filozofi pune që ndërthur etikën ekologjike me identitetin territorial dhe vizionin e së ardhmes.

Në këtë qasje, Vjelja e Natës është më shumë se një veprim bujqësor – është një akt etik dhe një zgjedhje e vetëdijshme teknologjike: rrushi i korrur në freskinë e natës ruan më mirë aromat, strukturën dhe përbërësit e tij natyralë, duke shmangur nevojën për ftohje artificiale dhe duke mbrojtur bimët nga stresi termik.

Ky proces është i ndërgjegjshëm ndaj tokës, natyrës dhe njerëzve që punojnë me të.

Kjo ide nuk ka kaluar pa vëmendje nga autoritetet. Presidenti i Rajonit të Venetos, Luca Zaia, i pranishëm në edicionin e 11-të të ngjarjes “Grappoli di Luna”, e cilësoi këtë iniciativë si simbol të gjallë të harmonisë mes traditës dhe inovacionit.

Në fjalën e tij Zaia vlerësoi jo vetëm vlerën bujqësore të kësaj praktike, por edhe rolin e saj në ndërtimin e një ekonomie më të ndjeshme dhe më të qëndrueshme.

Për të, kjo është mënyra sesi ruhet një territor dhe njëkohësisht rilind e ardhmja e tij.

Këto kodra janë më shumë se bukuri natyrore: më 7 korrik 2019, zonat e prodhimit të Prosecco-s në Conegliano-Valdobbiadene u shpallën Pasuri Botërore e UNESCO-s, për harmoninë e jashtëzakonshme mes njeriut dhe natyrës.

Peizazhi është i formësuar me kujdes përmes terracimeve dhe “pragjeve të gjelbra”, që mbrojnë tokën nga erozioni, ndërsa ruajtja e biodiversitetit dhe ndërveprimi afatgjatë i njeriut me mjedisin janë vlerat që e bëjnë këtë vend një model për zhvillimin e qëndrueshëm.

Ky është një laborator i hapur ku tradita bujqësore bashkëjeton me inovacionin dhe ku toka nuk shfrytëzohet, por kultivohet me dashuri dhe respekt.

Nga ana ekonomike, ndikimi i kësaj zone është thelbësor.

Në vitin 2024, vetëm Prosecco DOC prodhoi mbi 660 milionë shishe, duke arritur një vlerë tregu prej 3.6 miliardë euro.

E gjithë struktura e markës Prosecco, përfshirë edhe DOCG e Conegliano-Valdobbiadene, tejkaloi 780 milionë shishe dhe 4.4 miliardë euro xhiro.

Prosecco është sot produkti më i suksesshëm italian që del nga rrushi vendas dhe një ambasador global i bujqësisë italiane.

Vetëm zona e mbrojtur nga UNESCO prodhon mbi 90 milionë shishe në vit, me një vlerë tregu mbi 560 milionë euro, ndërsa enoturizmi sjell mbi 450 mijë vizitorë dhe gjeneron mbi 30 milionë euro në vit.

Ky sukses nuk do të ishte i plotë pa kontributin e komuniteteve të huaja që jetojnë e punojnë në Veneto.

Më shumë se 31 mijë shqiptarë jetojnë në këtë rajon, rreth 7 mijë prej tyre në Treviso – në zemër të zonës së rrushit për Prosecco-s.

Ata janë pjesë e pandashme e zinxhirit të prodhimit: nga puna sezonale në vreshta deri te sipërmarrja dhe përfshirja në sektorin agro-industrial, shqiptarët kanë sjellë jo vetëm krah pune, por edhe energji të re, ide, integrim dhe zhvillim.

Për shumë prej tyre, Vjelja e Natës është një moment për të ndjerë përkatësi dhe pjesëmarrje në një proces që i përket edhe atyre.

Kur nata zbret mbi kodrat e UNESCO-s dhe hëna ndriçon mbi gjethnajën e vreshtave, ajo që ndodh nuk është vetëm një vjelje.

Është një rit i heshtur, një akt përkushtim midis tokës dhe njeriut.

Kjo është historia e një territori që prodhon jo vetëm verë, por kulturë, bashkëjetesë dhe modele të qëndrueshme zhvillimi – një histori që sapo ka nisur të shkruhet nën dritën e hënës.

Produkti vendas është pena e toka lënda e parë që trashëgon dashurinë e duhur për të sjell prodhime ekselente.

Lini një Përgjigje