Rreth policëve vullnetarë të leksikut

13 Shtator 2025, 11:45Kulturë Ardian Vehbiu

Para disa ditësh, në komentet rreth një shkrimi të botuar në revistën “Peizazhe të fjalës”, u kritikua autorja pse kish përdorur një fjalë si religjion, në vend të fjalëve shqipe fe ose besim fetar.

Ndërhyrje të tilla i ndesh rëndom nga njerëz që e ushtrojnë patriotizmin e tyre duke qëmtuar “fjalë të huaja” në tekstet dhe duke sugjeruar zëvendësimet e tyre me “fjalë thjesht shqipe”.

Përveçse shkelje e etikës së komunikimit online, ky zell për të mirëmbajtur vullnetarisht tekstet e të tjerëve është i orientuar keq dhe, për ta thënë troç, i padurueshëm.

Niset nga presupozimi se ka fjalë që “nuk duhen përdorur”, sepse janë të huaja ose jo-shqipe; edhe pse ky presupozim kërkon një lloj autoriteti leksikor që këta njerëz nuk e kanë dhe as mund ta pretendojnë se ua jep vetvetiu dhemshuria që kanë për shqipen amtare.

Niset edhe nga presupozimi tjetër se këta policë të leksikut qenkan vërtet në gjendje të identifikojnë elementet e padëshirueshme në gjuhën e tjetrit – p.sh. të pikasin fjalët e huaja dhe të qortojnë përdoruesit e tyre.

Ky rol u mirëpritet zakonisht mësuesve të shqipes të dalë në pension ose gjuhëtarëve të vjetër të brishtë, të cilët herë pas here botojnë edhe lista të fjalëve shqipe që duhen zëvendësuar.

Natyrisht, në tekste ka gjithnjë fjalë që mund të zëvendësohen me të tjera; dhe autorët nuk e kanë gjithnjë kompetencën e duhur leksikore. E njëjta gjë vlen edhe për kompetencën leksikore të korrigjuesve.

Aq më tepër, motivimi moral i këtyre të fundit shpesh i ka rrënjët në një koncept primitiv (në mos totalitar) për leksikun si nomenklaturë – ku çdo koncepti t’i përgjigjet një fjalë e vetme dhe anasjelltas.

Në shembullin që përmenda më lart, sugjerimi ishte që në vend të religjion të përdorej fe ose besim fetar. Në fakt, religjioni dhe feja janë dy gjëra të ndryshme – i pari është një sistem kolektiv besimesh, ritualesh dhe praktikash të bashkëndara nga një grup, ndërsa feja është një eksperiencë më personale dhe individuale e marrëdhënies me Hyun.

Shpesh këto fjalë i gjen të ndërkëmbyeshme, por kjo nuk i barazon nga ana kuptimore. Përkundrazi, është shenjë e pasurisë së leksikut që folësi të ketë në dispozicion sa më shumë fjalë të tilla, me kuptime të afërta por të ndryshme, që ndihmojnë për të shprehur koncepte dhe nuanca komplekse.

Nga kjo pikëpamje, shqipja është ende gjuhë e varfër, sepse nuk ka pasur kohë ta zhvillojë sinoniminë e këtij lloji; në një kohë që ka me bollëk sinonime dialektore, ose fjalë që dallojnë mes tyre më shumë për nga gjeografia e përdorimit (çoj dhe shpie, fut dhe kall).

Krahas religjionit dhe fesë, shqipja e shkruar përdor edhe besë dhe besëlidhje, në kontekste të caktuara; teksa togfjalëshi besimi fetar e përcakton fenë si një lloj besimi. Është edhe fjala din që shqipja e përdor për fenë në kontekste të fesë islame mund të dalë në tekste po të jetë nevoja për të, dhe pa aktivizuar automatikisht alarmin e puristit.

Për antropologun gjuhësor mund të kish interes hulumtimi i marrëdhënieve kuptimore mes fe dhe besë, sa kohë që e dyta ka edhe një komponente premtimi. Për ne këtu ka rëndësi të kuptojmë që secila nga këto fjalë sjell diçka unike, e cila mund të na hyjë në punë për t’u shprehur më qartë, më mençur dhe më saktë.

Nga ana tjetër, religjion dhe fe dallojnë mes tyre edhe ngaqë e para është fjalë e regjistrit libror, e shqipes së shkruar, që nuk del në regjistrin e folur. Edhe vetëm ky dallim do të mjaftonte, për ta mirëpritur sinoniminë, sepse shqipja ka nevojë të ngutshme t’i thellojë dhe t’i pasurojë dallimet leksikore mes regjistrave.

Unë madje kam vënë re se një pjesë e madhe e zelltarëve leksikorë të shqipes, prapa preokupimit “patriotik” për prishjen e gjuhës nga fjalë të huaja, fshehin një lloj alergjie kryeneçe ndaj regjistrit libror dhe termave që ekzistojnë vetëm brenda këtij regjistri. I njëjti autor që denonconte përdorimin e fjalës religjion, e kish kapur edhe me fjalë si sakrament dhe shekullar, të cilat i ishin dukur të zëvendësueshme.

E kotë të shtoj që, ngaqë tërthorazi të sugjeron ty, lexuesit, se nuk e njeh mirë temën në fjalë, alergjia ndaj regjistrit libror është në thelb një formë anti-intelektualizmi populist, që vë në shënjestër ata që flasin “me fjalë të mëdha”.

Kjo nuk do të thotë se “fjalët e mëdha” kanë licencë të përdoren kudo; por vetëm se ka disa lloje tekstesh, ku autorët e kanë të domosdoshme të përdorin terma të vështirë për lexuesin profan.

Si ta shmangësh, për shembull, një mbiemër të tillë si shekullar, i cili shënjon cilësinë e dikujt a të diçkaje që nuk ka lidhje me religjionin? Togfjalësha të tillë si arsimi shekullar, shoqëri shekullare, muzikë shekullare janë tashmë ata vetë shënjues të regjistrit libror dhe nuk mund të zëvendësohen nga parafrazime ose improvizime shqipërimi.

Korrigjuesit e leksikut nuk duan të kuptojnë se, brenda regjistrit libror, shumë fjalë dhe shprehje jo vetëm përcjellin kuptime komplekse, por edhe u referohen përdorimeve të tyre të mëparshme, brenda regjistrit. Kur unë përdor termin postmodernizmi në një shkrim timin, i referohem edhe asaj tërësie të dijes që është akumuluar tashmë për këtë lëvizje artistike dhe filozofike, anembanë botës. Përkundrazi, po të dua ta shqipëroj dhe ta bëj pasmodernizmi, mbase lexuesi do të më kuptojë që e kam fjalën për “postmodernizmin”, por nuk do të kuptojë pse i jam shmangur termit standard, për të futur në ligjërim një neologjizëm.

Një karakteristikë e purizmit naiv, në fushë të leksikut shqip, është se ithtarët e tij – zakonisht amatorë ose profanë – gjithnjë entuziazmohen me neologjinë; madje ua konsiderojnë shkrimtarëve si meritë atdhetare krijimin e “fjalëve të reja” shqipe, sidomos kur kjo bëhet në emër të pastrimit dhe të zëvendësimit të fjalëve të huaja.

Për neologjinë kam shkruar gjatë gjetiu, dhe këtu vetëm po mjaftohem të them se e destabilizon leksikun dhe vetë komunikimin, meqë e vë bashkëfolësin para detyrimit të papritur që të marrë me mend kuptimin e një fjale. Për shembull, në një ripunim të romanit të tij “Kronikë në gur”, Kadareja e pa të udhës të zëvendësonte fjalën kalldrëm me neologjizmin fortashtrojë – duke e dëmtuar, për mua, efektin e tekstit, sa kohë që Gjirokastra e romanit ka pasur gjithnjë kalldrëm, por nuk ka pasur kurrë fortashtrojë.

Ironikisht, tek i njëjti roman, dhe pikërisht te kolazhet dos-passos-iane të kronikës së qytetit, gjejmë pasazhin e mëposhtëm, që dëfrehet me marrëzinë e gjuhë-pastruesve:

Zotërinjtë shkatërrimtarë të gjuhës po e teprojnë guximin e tyre! Pasi patën paturpësinë të zëvendësojnë fjalën e bukur shqipe “kredharak” me “nëndetëse”, tani po përdorin fjalën e huaj “avion” në vend të fjalës së bukur shqipe “ajror.” Turp. (Kadare, I, Kronikë në gur, Onufri, 2000, f. 133.)

Kështu shprehet gjuhëtari anonim i “rubrikës” së gazetës (fiksionale) të qytetit. Për t’u vënë re që ai e refuzon nëndetëse, duke parapëlqyer “fjalën e bukur shqipe” kredharak; me të njëjtën qasje që refuzon avion duke parapëlqyer sërish “fjalën e bukur shqipe” ajror. Në fakt, kredharak është një emër vepruesi (nomen agentis), “dikush ose diçka që kridhet” – dhe rezulton të jetë përdorur në shqipe për “nëndetëse” (Fjalori i 1980-ës e jep si të vjetruar, bashkë me foljen kredh, kridhem); sot, për të njëjtin mjet lundrues, shqipja parapëlqen nëndetëse, të cilën autori anonim i pasazhit më lart lë të kuptohet se nuk është “fjalë e bukur shqipe” – mbase ngaqë është kalk i sottomarino. Përkundrazi, neologjizmit ajror i vihet përballë avion, huazim teknik i mirëfilltë nga frëngjishtja (në atë gjuhë, së bashku me aviation, neologjizëm sipas temës latine avis, shpend). Ironia këtu është se edhe kredharak mund të jetë formuar, në shqipe, sipas gjedhit të italishtes sommergibile, çfarë do t’ia hiqte njëfarësoj bukurinë e supozuar.

Përtej karshillëqeve në rrjetet sociale dhe dëshirës për të rënë në sy, si “shërbyes të shqipes”, nuk mund t’u mohohet të paktën disa zelltarëve virtyti metalinguistik – si gatishmëri për të analizuar fjalët e Tjetrit. Por edhe vetë operacioni i “arrestimit”[1] të një fjale të huaj në publik nuk ka ndonjë bazë gjuhësore: cili autoritet e përcakton nëse një fjalë e huaj është apo jo e nevojshme për shqipen? Shqipja e sotme, veçanërisht në nivelin libror, përdor një numër shumë të madh fjalësh të huaja, të cilat i ka bërë të vetat dhe që tani funksionojnë pa dallim nga fjalët “vendëse”. Si mund ta denoncosh si “fjalë të huaj” sakrament, teksa kjo zë vend lehtësisht në leksik dhe në gramatikë, duke u përfshirë në të njëjtën klasë morfologjike me monument, koment, moment, testament, amendament, parlament, ferment, regjiment e plot të tjera të ngjashme?

Një gjuhë e standardizuar, si shqipja, e kërkon zbatimin e rregullave gjuhësore, duke filluar nga drejtshkrimi e duke vazhduar pastaj me morfologjinë, sintaksën dhe leksikun. Por leksiku është gjithnjë më pak i rregulluar se sferat e tjera – ngaqë në të paktën disa nivele e regjistra është i hapur ndaj prurjeve të reja. Këtë e ndesh shpesh në terminologji – ku shpejtësinë e evoluimit teknologjik nuk e përballojnë dot institucionet publike që merren me mbarështimin e teknologjisë. Aq e vërtetë është kjo, sa sot shumë përdorues preferojnë fjalën e huaj, përballë orvatjeve dëshirë-mira, por individuale, të pakoordinuara dhe amatoreske, për ta zëvendësuar me një fjalë shqipe të ngjitur me pështymë – të gjithë e dinë se çfarë është firmueri, por shumë do të ngatërroheshin me shqipërimet tentative të këtij termi, që në fakt nuk i duhen kujt. Mbase ndonjëri ka provuar ndërkohë të shqipërojë edhe laptop!

Gjithsesi terminologjia nuk e pranon sinoniminë – për mjekun do të ishte e papranueshme që duodeni të quhej edhe dymbëdhjetëgishtor (si një një fjalor famëkeq të anatomisë) dhe pankreasi të quhej gjithmish. Por jashtë terminologjisë, shqipja ka nevojë më pak për disiplinë puriste (totalitare) dhe më shumë për larmi leksikore. Çfarë duhet dëbuar nga mendësia para-linguistike e folësve është ideja fikse se një sendi a një koncepti duhet t’i përgjigjet një fjalë e vetme.

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është krijuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.

Shënim: Të interesuarve për temën dhe argumentin u kujtoj se mund t’i gjejë të trajtuara më gjerë dhe më thellë në librin tim Kundër purizmit (Dudaj, 2012).

[1] Meqë edhe mua më janë ngjitur tashmë ca reflekse puriste, u tundova këtu për ta zëvendësuar fjalën “arrestim” me “ndalim” – sepse gjedhi ekziston, në shprehje si “policia ndaloi dy vetë që po largoheshin me biçikletë nga vendi i ngjarjes.” Ma merr mendja që, edhe në terminologjinë e ruajtjes së rendit, ndaloj dhe arrestoj kanë kuptime të ndryshme ( si në “urdhër arresti” krahasuar me “urdhër ndalimi”). Por në kontekstin tim, ndaloj mund të krijojë keqkuptim, sa kohë që folja në shqip përdoret me disa kuptime: “ndërpres”, “pengoj”, “lë përgjysmë” etj., ndërsa arrestoj është më e qartë, dhe i referohet drejtpërdrejt një ndërhyrjeje nga forcat e ruajtjes së rendit, duke iu referuar metaforës sime me policinë.

1 Komente

  1. G
    Gjuhetari amator

    Ardian turku Vehbiu, ju etimologeve popullore ju vjen hakut z.Andi Zeneli

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje