Në Tiranë nisi punimet Kongresi Ndërkombëtar i Bioteknologjisë.
Organizatore e këtij kongresi është Shoqata Europiane e Rrjetit Tematik të Bioteknologjisë (EBTNA) me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Në këtë veprimtari marrin pjesë 200 kërkues shkencorë, lektorë, përfaqësues të industrive (ushqimore, farmaceutike, mjekësore), studentë të profileve të ndryshme nga vende të Bashkimit Europian, vende të Ballkanit Perëndimor, Kanadaja, Izraeli, Australia, Kina etj.
Kongresi Ndërkombëtar i Bioteknologjisë 2025 do të vijojë deri më 13 shtator 2025 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në sallat “Aleks Buda dhe “Libri Akademik”.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi shprehu vlerësimin për lidhjen e marrëveshjes mes ASHSH-së dhe EBTNA-s dhe foli për strategjinë e bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar shkencor në fushat e bioteknologjisë, shkencave të jetës e arsimit.
Akad. Gjinushi e vuri theksin te bashkëpunimet në fushën e bioteknologjisë, të cilat janë zgjeruar me ngritjen dhe ndërkombëtarizimin e veprimtarisë së qendrave dhe njësive të ASHSH-së, drejtimet e të cilave përputhen me ato të bioteknologjisë.
Kryetari i ASHSH-së tha se gjatë tetë vjetëve të reformimit të Akademisë së Shkencave, përvoja e organizimit të një sërë konferencave, shkollave me studentët, me doktorantët e rinj, si dhe ndërmarrja e disa projekteve të përbashkëta ka çuar në mënyrë të natyrshme në firmosjen e kësaj marrëveshjeje. Akademia e Shkencave ka shprehur vullnetin dhe dëshirën për ta çuar më para këtë bashkëpunim.
Në ditën e parë u prezantuan 30 punime shkencore, shkruan atsh.
Seancën plenare e hapi akad. Anila Hoda, Sekretare shkencore e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me prezantimin e punimit shkencor me temën: “Bioteknologjia për zhvillim të qëndrueshëm në blegtorinë dhe akuakulturën e Shqipërisë dhe të Kosovës”.
Më tej, prezantuan prof. Ariola Bacu (ASHSH) organizatore e kongresit dhe kryetare e Grupit për Bioteknologji Molekulare, Universiteti i Tiranës; prof. Bashkim Ziberi, Universiteti i Tetovës, Maqedonia e Veriut; prof. Hysen Bytyqi, zëvendësrektor, Universiteti i Prishtinës, Kosovë etj.
Lini një Përgjigje