Udhëtari i humbur që fiton veten

18 Nëntor 2025, 09:05Kulturë Nga Namir Lapardhaja

(Shënime për romanin ‘I dështuari’ të autorit Alban Bala)

Romani ‘I dështuari’ i shkrimtarit dhe poetit Alban Bala është një refleksion jo vetëm për fëmijërinë, por për jetën e njeriut, për të shkuarën dhe të ardhmen. Është një udhëtim në kohë, ku rrëfimtari e sheh veten përherë në lëvizje dhe shpreson të gjejë momente refleksioni dhe shpjegimi për atë se çfarë ndodh. E shkuara i shërben shkrimtarit për të ndërtuar ura komunikimi me veten dhe ndërgjegjen e tij; ai është i përmallur për të, ndërsa e ardhmja është një pritje që merr përgjigje.

Bindja e tij është se dështimi nuk ekziston, ndërsa përpjekja e njeriut jeton më gjatë sesa ai vetë. Siç thotë edhe autori midis rreshtave, dështimi nuk ekziston, por ekziston frika prej tij. Është hutimi ndaj së panjohurës që mund të ndodhë në çdo çast, hutim i cili është më tragjik sesa ajo që ndodh në të vërtetë. “Njeriu lind si një provë dështimi. Jeta e tij vlen vetëm për të provuar të kundërtën.” - mbyllet romani në faqen e tij të fundit, si një refleksion për natyrën njerëzore dhe sprovat e saj të pandashme.

I ardhur nga poezia, romani ‘I dështuari’ i Alban Balës është i mbushur me një figuracion të pasur, me përshkrime që alternohen mjaft bukur me rrëfimin, ndërkohë që çdo faqe e tij është e mbushur me metafora dhe similituda të magjishme, saqë të duket sikur po noton në ujërat e poezisë dhe jo të prozës. Ky stil i ngarkuar me imazhëri i jep prozës së Balës një dimension të thellë estetik.

Romani është i mbushur me përsiatje filozofike që vijnë natyrshëm dhe i ofrohen lexuesit me sigurinë e atij që e zotëron plotësisht atë për të cilën zgjedh të flasë dhe të shkruajë. Në ditët e një debati mes asaj që është profane dhe të shenjtës, romani i Alban Balës mund të lexohet edhe si një përgjigje ndaj koncepteve niçeane për njeriun. “Nuk mund ta besoja Niçen. Këtu ku unë jam sot mbi-njeriu vritet i pari; njeriu jo-historik e shkruan paprerë jetën e tij anonime mbi një kujtesë që nuk i duhet askujt. E shkruan dhe e flak si marinari dëshërimin brenda një shisheje, në detin që veshtullon Përtej, poshtë një Hëne që shkëlqen Përtej, nën një qiell që s’është askund veçse në Përjetësinë tonë. Subjektiviteti ynë është këtu. Përtej është Objektivja.”

Këtu Bala duket se e çliron njeriun nga tirania e ideve totalizuese, duke e vendosur atë përballë vetes dhe dritëhijeve të tij, përballë përpjekjes së përjetshme për t’u justifikuar dhe për t’u gjetur.

‘I dështuari’ i Alban Balës është edhe një refleksion për dashurinë dhe për kërkimin e lumturisë, ngase, sipas tij, të jesh i lumtur do të thotë të jesh i motivuar për të punuar më shumë, për të dashur më shumë, për të jetuar më shumë dhe për të kërkuar më shumë. Për Balën, lumturia është një lloj energjie krijuese që ushqen lëvizjen e njeriut.

Nëpërmjet monologut të rrëfimtarit në vetë të parë dhe dialogjeve të personazheve, fjalëve që vendos në gojën e tyre, Bala na jep idetë e tij për jetën dhe botën, duke e parë njeriun si një udhëtar, i cili kërkon të kthehet në zanafillë. “Udhëtari zgjedh vetëm drejtimin, jo destinacionin. Ai është i dhënë njëherë e përgjithmonë.” Kjo filozofi i jep romanit një qasje ekzistencialiste, duke e lidhur atë me traditën e autorëve që kanë trajtuar njeriun si qenie në kërkim të kuptimeve.

Duke qenë se një pjesë të madhe të romanit e zënë përsiatjet e një rrëfimi në moshën fëminore, si duket autori ka dashur të tregojë se ajo është mosha më e pafajshme e njeriut, në të cilën edhe rrëfimi është i zhveshur nga “hipokrizia” dhe është i veshur me pastërtinë dhe dëlirësinë e moshës. Në këtë kthim te fëmijëria, Bala gjen jo vetëm sensin e origjinës, por edhe një gjuhë të pastër, të ndershme, që i flet lexuesit drejtpërdrejt, pa ndërmjetësime.

Në fund, ‘I dështuari’ mbetet një roman për njeriun që kërkon veten nëpërmjet kujtesës, të tashmes dhe ëndrrave të së ardhmes. Një udhëtim i brendshëm, ku “dështimi” shndërrohet në një metaforë të përpjekjes së vazhdueshme për të jetuar, për të kuptuar dhe për të dashur.

 

1 Komente

  1. L
    Labi

    Ky Bala islamiku,ish berishiani.Per namazgjane u flliqen

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje