
Traditat e tatuazheve në veri të Shqëipërisë përbëjnë një nga treguesit më surprizues rreth kulturës sonë të dikurshme. Shumë kohë para përhapjes së feve monoteiste, njerëzit përdornin lëkurën e tyre si një shtresë që mbartte simbole. Nga kryqet, tek yjet dhe gjysmëhëna – motive që sot asociohen me dy besimet monoteiste dominante: Krishtërimin dhe Islamin. Por, siç shpjegon antropologu Olsi Lelaj në Apostrof Podcast, këto simbole janë shumë më të vjetra se sa besimet fetare që i adoptuan më pas. Ato i përkasin një shtresëzimi edhe më të vjetër: një bote ku vetë trupi, shpesh shërbente si një object rituali, ndërsa lëkura lunate rolin e një kanavace ku ‘shkruheshin’ këto simbole të lidhura me mbrojtjen, përkatësinë dhe kuptimësinë.
Por, ajo që e bën praktikën e tatuazhbërjes në Shqipëri akoma më interesante është rezistenca e saj. Ato i rezistuan ardhjes së feve monoteiste, por edhe transformimeve të thella politike e shoqërore, siç ishte ndalimi i çdo lloj besimi fetar gjatë diktaturës. Megjithatë, rreth viteve 1960-të, tatuazhet tradicionale filluan të humbasin, si rezultat i ndryshimit të botës rreth tyre. Ndërhyrja shtetërore, modernizimi dhe idealet e reja kulturore duket se i zëvendësuan ato. Megjithatë, siç shprehet Lelaj, gjatë kësaj periudhe forma të reja të tatuazheve bëhen më të dukshme dhe më të shpeshta në dy nga institucionet më disiplinuese të regjimit, siç ishin burgu dhe ushtria.
Ajo çfarë mbetet sot është një trashëgimi e rrallë antropologjike dhe një kujtesë se trupi mund të mbartë histori që tejkalojnë në kohë edhe institucionet, ideologjitë, apo besimet që pretendojnë se përkufizojnë jetët dhe identitetin tonë.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Trupi nuk është kurrë neutral: pushteti, identiteti dhe ‘politikat e mishit’ | Olsi Lelaj