VIDEO/ Kush i zotëron vërtet trupat tanë? Antropologu Olsi Lelaj mbi pushtetin, identitetin dhe ‘politikat e mishit’

16 Nëntor 2025, 17:00Kulturë TEMA
VIDEO/ Kush i zotëron vërtet trupat tanë? Antropologu Olsi Lelaj

Trupi njerëzor nuk është asnjëherë vetëm një strukturë biologjike. Ai është më së pari një fushëbetejë ku pushteti, identiteti dhe kuptimësia përplasen me njëra-tjetrën. Ai është subjekt i interpretimit dhe disiplinës nga bota përreth shumë më parë se sa të mësojmë të flasim apo kuptojmë veten.

Në episodin e radhës të Apostrof Podcast na bashkohet antropologu Olsi Lelaj – autor i librit “Mish dhe Kocka” – për të eksploruar se si trupi në kontekstin shqiptar ka lëvzur mes regjimesh të ndyrshme kontrolli. Në komunizëm, ai duhej të ishte asketik, i kalitur për punë e luftë dhe pjesë e një identiteti të përbashkët. Sot, duket se trupi është pjesë e performancës. I kuruar dhe I optimizuar, por vazhdimisht i detyruar të shfaqë sukses dhe të jetë sa më i dëshirueshëm. Ndërsa ideologjitë kanë ndryshuar, trysnia ndaj trupit mbetet e njëjtë.

Përmes katër linjave studimore që variojnë nga tatuazhet tradicionale, tek ato të kryera gjatë komunizmit; nga klasifikimet racore te historia e antropologjisë fizike në Shqipëri, Lelaj në librin e tij gjurmon mënyrën se si shoqëria shqiptare ka shenjuar kuptimin mbi trupin në epoka të ndryshme. Liri “Mish dhe Kocka” tregon se si trupat kthehen në bartës të historisë, ideologjisë dhe identitetit, por edhe mënyrat se si ata disiplinohen, idealizohen dhe kategorizohen, e madje ndonjëherë edhe shfrytëzohen si armë politike.

A mund të ekzisotjë trupi njerëzor jashtë strukturave pushtetare, apo jemi të destinuar të jetojmë përgjithmonë brenda formave të imagjinuara, rregulluara dhe gjykuara nga të tjerët, kohë përpara se vetë ne të vinim në këtë botë?