Tolstoi vjen në shqip/ David Hudhri: është libër ekzistencial

16 Nëntor 2025, 10:26Kulturë TEMA
Tolstoi vjen në shqip/ David Hudhri: është libër

Libri i censuruar për një shekull i shkrimtarit rus Leon Tolstoi, “Kalendari i urtësisë”, është botuar tashmë edhe në shqip, te shtëpia prestigjioze botuese Onufri.

Botuesi David Hudhri, në një intervistë me Andri Xhahun në emisionin “Në Radio”, shprehet se ky është një libër atipik për shkrimtarin, ndryshe nga rrëfimet e tij të mëdha "Lufta dhe paqja" dhe "Ana Karenina".

“Tolstoin e njohim si një shkrimtar shumë të madh të letërsisë ruse, por ky libër nuk ka të bëjë fare me letërsinë. Ky libër është një përmbledhje pasazhesh të shkruara nga filozofë të mëdhenj e udhëheqës fetarë, të cilat Tolstoi i ka mbledhur gjatë jetës së tij”.

“Kalendari i urtësisë” është puna gati 15-vjeçare e shprehjeve që kanë formuar mendësinë dhe e kanë ngritur shpirtërisht shkrimtarin e madh.

“Tolstoi e ka shkruar këtë libër gjatë një krize ekzistenciale”, shprehet Hudhri duke shtuar se shkrimtari ka një lidhje shumë personale me këtë libër.  

Ky është libri që vetë shkrimtari e konsideronte si kontributin e tij më të çmuar për njerëzimin dhe që është njëkohësisht dhe vepra e viteve të fundit të jetës së tij.

“Tolstoi e vlerësonte leximin e librave sepse i quante si komunikime me mendjet më të ndritura që kanë jetuar përgjatë shekujve.”

“Qëllimi i vërtetë i ekzistencës sonë është ta kuptojmë këtë jetë të pakufishme që ekziston në këtë botë. Çdo qenie e gjallë ka organe shqisore që zbulojnë vendin që kanë në botë, për njeriun është intelekti…”

“Nëse e dini vendin tuaj në botë dhe kuptimin e jetës, duhet të dini se ka kush fajësohet. Nuk është sistemi shoqëror apo intelekti yt por mënyra se si e përdor intelektin…”

Libri është një udhëzues i përditshëm që ndriçon rrugën drejt një jete të vlefshme e të virtytshme me një dritë që as koha nuk e zbeh dot.

“Çdo faqe e librit ka një datë me një tematikë të caktuar që nga vdekshmëria, gjetja e kuptimit në jetë, me pasazhe nga figura të shquara të historisë së njerëzimit”.

I lexuar gjerësisht në Rusinë e para revolucionit, i ndaluar dhe i harruar gjatë komunizmit dhe i rizbuluar e i pritur me entuziazëm të madh.

“Regjimit komunist nuk i leverdiste që Tolstoi të promovonte mendësinë individuale, të përhapte ngritjen spirituale. Ata u detyruan ta ndalojnë këtë libër që të qarkullonte. Edhe në ditët e sotme ky libër mbetet përgjithësiht i panjohur. Kjo e bën më interesante”. 

A.K./TemA

Lini një Përgjigje