
Një prej risive të këtij panairi të pasur të librit (Tirana 2025) ka qenë dhe libri titulluar “Këmbana e gëzhojave” me autor Fatbardh Amursin, një emër i njohur ky për studiuesit shqiptarë anëkënd trevave shqipfolëse.
Libri sapo “ka dalë nga furra” dhe bën fjalë për publicistikën e gazetarit Mero Baze të trajtuar dhe në kontekstin historik të Shqipërisë së tranzicionit.
Ai shpesh njihet për opinionet e tij të pavarura dhe jo-politikisht korrekte dhe asnjëherë të përputhshëm me tabutë e një shoqërie që ka shumë për të përmirësuar si ajo shqiptare, dhe pikërisht këtë aspekt të penës së Bazes studiues Amursi është përpjekur të vërë në dukje.
Lexojmë mes rreshtave të librit:
Sipas Shpëtim Nazarkos, njeriu kyç që mund ta shpëtonte Fatos Nanon ishte Driteroi. “-Hiq Tritanin dhe vërë Ilirin dhe e shtyn pesëdhjetë vjet kështu, Saliu. Nuk bëhet Shqipëria me kaptera, o babam! Lexoje, lexoje Driteron. Është njeri i madh ai!” Eurosocialisti me shallë të kuq mbante si rezervë dhe një fjongo blu. I futet mik Mero Bazes, që të botohet në “Albanien” e Rakipit një shkrim anonim për të ngjallur panik tek militantët socialistë, tek ata të vërteti për të cilët i qan shpirti. “Futja që mocioni i Nanos është teza e hedhur nga Berisha në fjalimin që ka mbajtur në Tepelenë...M`u duk gati sikur tha me cinizëm se Fatos Nanoja e ka dëgjuar nga qendra e zërit në Tepelenë fjalimin e Berishës dhe ka shkruar mocionin...Përherë të parë dyshova se SHIK-u kishte filluar të ishte lojtari kryesor në këtë histori.” Bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, sikurse u akuzua apo i SHIK-ut? Ngaqë ua ka punuar të tjerëve pas shpine, ua pati me të pabesë, zoti i dha si hakmarrje një grua, që të luante pas kurrizit të tij, sikundër ai ankohet?! Dikush i thotë gazetarit pa shumë takt se Bashkim Gazidede i kishte dhënë ca lekë për Ilir Metën. “Ishin 2.800 dollarë për biletën, që ai të shkonte në Internacionalen Socialiste. I vetmi që aderonte në të ishte Gjinushi. Një shtet I tërë ishte në dispozicion të Ilir Metës.”-shkruan në libër autori, për intriga që s`kish nga t`i dinim dhe i mësojmë prej tij. (Një ditë shqiptarët do shohin në ekrane Nanon si shofer të Ilir Metës, duke hedhur batuta, ku i pari që qeshte me to, ishte vetë Fatosi. A i dinte kryesocialisti se çfarë kishte kurdisur eurosocialiste pas shpinës së tij? Meta u ankohet gazetarëve demokratë: “Keni filluar t`i shërbeni atij plehrës, atij burgaxhiut?!” Tani është vetë një burgaxhi. Rama vuan nga një sëmundje e keqe, u thoshte Monika shqiptarëve dhe pas ca kohësh rrëfente operacionet nga një sëmundje e keqe, që ajo vetë kishte kaluar?! Mos të zëntë me të tillët?!) Pikërisht kur Nano i shpall luftë kënetës politike, shfaqet “Forumi për Demokraci” i kryesuar nga Kurt Kola-Fatos Lubonja dhe Daut Gumeni, të cilët tentuan të mbanin të ndezur protestën: “Ne lule, ata gurë”. Për fat të keq demokracia tek ne erdhi duke thyer me gurë xhama, sikurse i thyenin ngelësit xhamat e shkollave gjatë pushimeve të verës. Persekutorët po i quanin heronj tre të përndjekurit?! Pikërisht një drejtues i sigurimit dhe i burgjeve përqafonte Fatos Lubonjën, ironizon Mero Baze.
Nepërmjet këtij fragmenti për kohët e turbullta të viteve të tranzicionit shqiptar ne kuptojmë shumë çfarë e bën Bazen të veçantë : ironia dhe pena e tij e hollë, një njeri i pakorruptueshëm dhe gjithmonë në anën e së drejtës, një njeri që e ka përdorur satirën si një armë politike për t’i treguar vendin atyre që nuk dinin të mendonin, nga të dy krahët e politikës dhe as për të mirën e tij e as për të mirën e vendit. Zgjodhëm edhe këtë fragment pasi vetëm para disa kohësh u shua kryetari historik i partisë socialiste Fatos Nano dhe, pikërisht, ky kapitull në libër titullohet « Qypi me guralecë i Nanos si atraksion turistik ».
Por mund të kishim zgjedhur dhe një kapitull tjetër, sepse ky libër është një dëshmi e paçmuar historike dhe arkivistike për historinë e gazetarisë « që i bën të gëlltisin fjalët e veta », si preferon ta thotë Mero te editoriali apo shkrimet, të gjithë kritikët dhe fyesit e përçmuesit.
Kush do, mund ta gjejë këtë libër në stendën e UET Press në Panairin e Librit që përfundon ditën e diel, nesër. A.K./TemA
Shumë e vërtetë!Mero Baze është publicisti më i mirë shqiptar i pas viteve 90.