Në stendën e UET Press/ Nga Leo Strauss te Hannah Arendt: 5 titujt e rinj të Kolanës së Filozofisë Politike

15 Nëntor 2025, 18:21Kulturë TEMA
Në stendën e UET Press/ Nga Leo Strauss te Hannah Arendt: 5 titujt e

Sa kohë shoqëria njerëzore jeton, ajo ka fatin e “keq” të mos i shpëtojë dot filozofisë dhe mendimit politik. Edhe pse duket sikur janë çështje që iu përkasin teoricienëve, studuiesve apo filozofëve, divulgimi i tyre i shërben çdo njeriu që do të kuptojë më mirë sistemin politik, organizimin shoqëror, liritë dhe drejtat individuale. Këto çështje dhe trajtime nuk mund t’i bëjë, ende, Inteligjenca Artificiale, me të njëjtin autencitet dhe thellësi arsyetimi që i kanë bërë mendimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Libri mbetet aseti i vyer për të përthithur përsiatjet e disa prej studiuesve dhe autorëve të njohur të shekullit XX dhe XXI. Shtëpia botuese UET Press, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike vijon botimin e librave të Kolanës së Filozofisë Politike, duke synuar sjellin në shqip të 100 titujve.

Në Panairin e 28 të Librit, i cili zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në datat 12-16 nëntor, në stendën e UET Press vijnë pesë botime të reja të kësaj kolane filozofike, me autorë si: Hannah Arendt, Giorgo Agamben, Judith N. Shklar, Leo Strauss dhe Richard Rorty.

NJË HYRJE NË FILOZOFINË POLITIKE – Leo Strauss

Hyrje në filozofinë politike përmbledh dhjetë ese të Shtrauss-it që e paraqesin gjerësisht mendimin e tij për natyrën e filozofisë politike, dallimin mes formës klasike dhe moderne të kësaj, si dhe se çfarë do të duhet të jetë ajo, për natyrën e dallimit e të bashkëjetesës mes arsyes dhe zbulesës – ndryshe, Athinës dhe Jeruzalemit – në rrënjë të qytetërimit perëndimor; po ashtu libri sjell kritikën shtrausiane për pozitivizmin e historicizmin. Vepra është një përpjekje për të gjetur e rivendosur rolin e filozofisë politike dhe raportin e saj me politikën.

GJENDJE E JASHTËZAKONSHME – Giorgo Agamben

Gjendje e jashtëzakonshme bën pjesë në trilogjinë “Homo Sacer” dhe vijon shqyrtimin e raportit mes së drejtës dhe jetës. Në horizontin tematik të veprës qëndrojnë Shmitt, Focault, Benjamin, dhe ky raport elaborohet nëpërmjet konceptit të autoritetit sovran që vendos kalimin në gjendjen e jashtëzakonshme. Kjo gjendje – një prag mes drejtësisë dhe dhunës, gjendjes natyrore dhe asaj të së drejtës, një ndërprerje dhe vakum i legalizuar i drejtësisë – të cilën e mendojmë si të përkohshme, po shndërrohet në rregull e normalitet, antidemokratik. Dhe jeta bëhet e shenjtë – lat. sacer d.m.th. e asgjësueshme por jo e sakrifikueshme – veç në kushtin e përjashtimit të së drejtës. Kurse “sovran është ai, për të cilin të gjithë njerëzit potencialisht janë homines sacri...”

KONTINGJENCA, IRONIA DHE SOLIDARITETI – Richard Rorty

Kontingjenca, ironia dhe solidariteti, 1989, paraqet dhe ilustron një kulturë intelektuale post-epistemologjike. Projekti postmodern i Rorty-t ndryshon nga ai i së majtës së vjetër. Çlirimi marksist i shoqërisë nëpërmjet arsyes, metanarrativë universale e iluministe, përkatësisht moderne, bëhet çlirim i individit nga arsyeja nëpërmjet ripërshkrimit kontingjent dhe idiosinkratik në post-modernen; por që të dy janë çlirim nga e kaluara. Të dy produkte të imagjinatës: utopia ku e vërteta e zbuluar nga arsyeja bëhet universale zëvendësohet nga utopia ku sundon ironizmi i individit. E para supozon një natyrë njerëzore të caktuar që mandej duhet imponuar, tjetri supozon se diçka e tillë si natyra njerëzore nuk ekziston, ose së paku njohja e saj nuk sjell dobi.

LIBERALIZMI I FRIKËS – Judith N. Shklar

Eseja “Liberalizmi i frikës”, 1989, i përmbahet idesë bazë të liberalizmit për lirinë e individit në raport me shtetin. Përkufizimi i Shklar-it për liberalizmin është një përkufizim minimalist i liberalizmit sepse është produkt i vetëdijes se asgjë nuk është e garantuar, asgjë nuk mund dhe nuk duhet marrë si e mirëqenë. Një kuptim minimalist i liberalizmit nuk synon më të mirën por shmangjen e më të keqes, kërkon truallin bazë e të palëvizshëm të një rendi liberal: kushtin e jetës publike jashtë frikës dhe mizorisë.

LEKSIONE MBI FILOZOFINË POLITIKE TË KANTIT – Hannah Arendt

Libri “Leksione mbi filozofinë politike të Kantit” i publikuar post mortum në 1982, bazohet në seminaret e Hannah Arendt-it mbi filozofinë kantiane të gjykimit në Neë School gjatë vitit 1970. Ai tregon se Kant-i kishte një filozofi politike të tij, e cila mund të zbërthehet në Kritikën e Gjykimit. Përmes këtyre leksioneve, lexuesi njihen jo vetëm me Kant-in, por edhe me Arendt-in, e cila përdor mësimet e tij për të analizuar krizat e shekullit XX dhe për të sugjeruar mënyra për t’i kapërcyer ato, duke theksuar nevojën për një botë të përbashkët.

Hannah Arendt (1906–1975) është një nga filozofet dhe teoricienet politike më të shquara të shekullit XX, e njohur për trajtimin e çështjeve si totalitarizmi, revolucionet, dhuna, natyra e lirisë dhe historisë së mendimit politik. Libri është përgatitur për botim nga Ronald Beiner dhe i përket Kolanës së Filozofisë Politike, duke e bërë një udhëzues të rëndësishëm për studimin e filozofisë politike kantiane dhe ndikimin e saj në teorinë moderne.

Lini një Përgjigje