Ç'është filozofia?

16 Nëntor 2025, 18:52Kulturë Adri Kalaja

Ç'është filozofia?

Një prej librave më të rëndësishëm për rikonceptimin e filozofisë është dhe “Ç’është filozofia? “nga filozofi i madh francez Gilles Deleuze dhe Felix Guattari. Libri është botuar nga e mirënjohura Zenit dhe ka ardhur në shqip nga Elvis Hoxha.

Filozofia, sipas Deleuze, nuk është komunikim dhe as shkencë, ajo merret me prodhimin e koncepteve dhe riformatimin e tyre, duke nxjerr ndonjëherë në punishten e mendimit, edhe koncepte të vjetra, dhe duke i dhënë atyre një formë moderne.

Libri është një udhëtim në filozofi pa trajektore të gjatë, filozofia tradicionale aty bëhet e padukshme, deri diku armiqësore, çdo fjali, për t’i kapur thelbin duhet lexuar dy herë, njëlloj si Kanti me shënimet e gjata në fund të faqeve, apo “Origjinat e totalitarizmit” e Hannah Arendt, edhe Deleuze është autor i vështirë.

Ai i përket një brezi të artë të filozofisë franceze, me kolegë të tij si Lyotard, Foucault e Badiou me të cilët shpesh kishte përplasje për angazhimin e tyre në politikë, politikën e majtë veçanërisht dhe maoizmin në përgjithësi.

Deleuze zgjedh të bashkëpunojë në këtë libër me një mendje të dytë të rrallë: Felix Guattari. Pse pra? Thjesht për t’i dhënë librit një dukje më komunikative, autoritet psikanalitik, apo si një sprovë e të shkruarit dyshe.

Në fakt metoda e punës ishte e thjeshtë, shkëndijat gjeniale të Guattari, Deleuze dinte mjaft mirë t’i kthente në traktate filozofike, por jo në traktate të mërzitshme, në traktate lakaniane, megjithëse Deleuze nuk ishte ithtar i Lakanit.

Guattari ishte një psikanalist i madh dhe dishepull i gjigandit Lakan me të cilin i ndau rrugët pas një sërë mosdakordësish më vonë,

Për këdo do një eksperiencë tjetër filozofike: ju sugjerojmë librin “Ç’është filozofia?”.

Lini një Përgjigje