Ul siparin "International Student Film Festival në Tiranë"

25 Prill 2026, 17:27Kulturë TEMA
Ul siparin "International Student Film Festival në Tiranë"

 Mbrëmjen e djeshme u kurorëzua me sukses festivali i parë ndërkombëtar për studentët në Shqipëri, International Student Film Festival në Tiranë (ISFFT).

Edicioni i parë solli risi, shumë talent rinor dhe zëra të kinemasë ndërkombëtare.

Ceremonia e mbylljes u shenjua nga ndarja e çmimeve në disa kategori të ndryshme, ku spikatën kineastë të rinj nga e gjithë bota.

Nga data 21 deri më 24 prill, Tirana “u pushtua” nga dhjetëra artistë të kinemasë ende studentë, por që në katër ditët e festivalit treguan pjekuri artistike mbresëlënëse. Festivali mundësoi shfaqjen e qindra filmave të të gjitha zhanreve dhe një sër masterclass-esh me figura të spikatura të kinemasë shqiptare, si Fatos Berisha, Saimir Bajo, Thomas Logoreci dhe Rovena Lule Kuka.

Gati 30 studentë patën fatin të ndjekin edhe një punëtori me mjeshtrin e kinemasë botërore, Umberto Contarello, skenarist i kryeveprave si “La Grande Bellezza”, “Il Divo”, “This must be the place” apo “Il Toro”.

Në natën finale u dhanë edhe çmimet e festivalit, ku trofeun “Filmi më i mirë” e rrëmbeu studenti Adem Tutic nga Serbia, me filmin “Tarik”. Në kategorinë e dokumentarëve, ISFFT shpalli fitues Alvin Çyço nga Shqipëria, me dokumentarin “We play with all our heart”. Filmi më i mirë i animuar u shpall “Absorta”, nga studentja braziliane Luiza Pugliesi Villaça.

Gjatë natës finale u dha edhe një çmim i veçantë që mban emrin e Gjergj Xhuvanit, iniciator i degës së filmit në Universitetin e Arteve dhe një nga figurat themelore të kinemasë shqiptare bashkëkohore. Trofeu “Gjergj Xhuvani” iu dha Mert Erez nga Turqia, me “The Contract”.

“Ky festival ndërton një urë të qëndrueshme midis universitetit dhe industrisë, duke krijuar një hapësirë ku talenti i ri prezantohet, zhvillohet dhe gjeneron vlerë reale për të ardhmen e kinemasë”, u shpreh drejtori i festivalit, Elis Mataj.

Ndërsa producenti i ISFFT, Regis Canameri e vuri theksin te përqasja novatore e formatit të festivalit.

“Ky festival është një hapësirë ku idetë e reja takojnë realitetin e industrisë – një pikënisje konkrete për bashkëpunime, zhvillim projektesh dhe ndërtimin e brezit të ardhshëm të kinemasë”, u shpreh ai.

“Kam ndjesinë se mora pjesë në një ngjarje mjaft të rrallë dhe shumë interesante. Është një periudhë në të cilën pak a shumë të gjithë në Evropë, të gjithë ata që mendojnë, imagjinojnë dhe duan të bëjnë kinema, po kalojnë një kohë ndryshimesh të mëdha dhe vështirësish të mëdha ekonomike për të gjithë; prandaj është shumë e rëndësishme të krijohen lidhje mes studentëve dhe profesionistëve të rinj, që mes tyre të mund të shpikin mënyra të reja krijuese dhe fantazioze për të realizuar projektet e tyre personale brenda mundësive ekonomike”, deklaroi mjeshti i kinemasë Umberto Contarello.

International Student Film Festival in Tirana (ISFFT) shënoi interes të gjerë ndërkombëtar, me gjithsej 2294 aplikime të ardhura nga mbi 90 vende të botës. Ky diversitet gjeografik konfirmon pozicionimin e festivalit si një platformë e hapur dhe gjithëpërfshirëse për zëra të rinj dhe perspektiva të ndryshme kinematografike.

Nga ky volum i lartë aplikimesh, u përzgjodhën 70 filma për programin zyrtar, duke reflektuar një proces kuratorial të kujdesshëm dhe një standard të lartë artistik. Përzgjedhja përfshin prodhime nga kontekste të ndryshme kulturore, duke krijuar një panoramë të pasur të kinemasë bashkëkohore studentore dhe të autorëve të rinj.

Ky interes i lartë jo vetëm që tregon përmasën ndërkombëtare të festivalit në edicionin e tij të parë, por edhe thekson rolin e ISFFT si një pikë takimi mes formimit akademik dhe industrisë së filmit, ku konkurrenca është e fortë dhe përfaqësimi i përzgjedhur mban një peshë të veçantë. A.K./TemA

Lini një Përgjigje