Një prej eksperimenteve narrative më të mëdha të shekullit të kaluar (shek.XX) ishte (dhe është) “Uliksi” i James Joyce- it.
Në dukje historia, nëse nuk është krejt e thjeshtë, të paktën e kemi dëgjuar me mijëra e në mos miliona herë. Bëhet fjalë për një rishkrim të ndoshta veprës më të madhe letrare të shkruar ndonjëherë. “Odisesë” së Homerit.
Epika historike i shërben Joyce-it për të thënë se nëqoftëse gjuhët janë të gjitha njëlloj (narrative biblike e Babelit) atëherë të gjitha ato mund të rrëfejnë të njëjtën histori. Gjetja qëndron në faktin se gjuhët nuk duhet ta rrëfejnë historinë me mënyrën dhe mjetet e tyre, por në të njëjtën mënyrë dhe me mjetet më të thjeshta të mundshme. Me gërmat latine. Kemi të bëjmë pra me një karbonizim të historisë vetëm për të ndërtuar me të të njëjtin objekt që ishte më përpara.
Uliksi i Xhojsit nuk ka gjuhë të botës që nuk përdor, deri dhe shqipen tonë të vogël. Ngjarja përmbyllet brenda një dite (16 qershori) që sot akoma festohet si « Bloomsday”. Ngjarjet sigurisht që zhvillohen në Dublinin irlandez, një qytet sa i urryer dhe i dashur nga Xhojsi. Është interesante në fakt marrëdhënia e shkrimtarëve të mëdhenj me qytetet e tyre. Nëse kemi shkrimtarë “pa shtëpi” si Hemingueji apo Remarku, kemi shkrimtarë që nuk bëjnë dot pa qytetet e tyre si Balzaku apo Dostojevski.
Personazhi i librit është Leopold Blumi, një hebre që i pëlqejnë qoftet e pulës me djathë dhe është më normal se unë dhe ti. Personazhi tjetër qendror është Stiven Dedalus, mishërimi i poezisë dhe anti-autoritarizmit. Thuhet se te Stiveni Xhojsi ka fshehur veten. Blumi ka frikë (dhe e di, madje dhe e shtyn drejt veprimit) se gruaja (Moli) e tradhton dhe do ta tradhtojë. Mesazhi i Xhojsit me këtë vepër është se poligamia është komedi, jo tragjedi, po ashtu dhe tradhtia dhe çdo kategori tjetër e moralit tradicional.
Pa ditur ç’të bëjë dhe nga frika e asaj që duhet të bëjë Blumi sillet nëpër Dublin sikur të ishte hera e parë që shkelte në qytet. Blumi është njëkohësisht “i huaji”, “hebre”, “kolonizator”, “brinar”, “jevg”, “i pafe”. Por Blumi është mishërimi i një personazhi të së drejtës romake: “Homo Sacer”!
Dhe pikërisht me këtë emër filozofi italian, dishepull i Pazolinit dhe Hajdegerit, Giorgio Agamben do e titullonte “magnum opusin” e tij. Pjesë të të cilit kemi dhe në shqip te botimet Zenit nën përkthimin e shkëlqyer të Orgest Azizajt.
Për t’u kthyer te Blumi jonë. Ai e merr vesh në fund të librit (që mund ta quajmë mirëfilli dhe antiroman) se çfarë ndodh me të shoqen por kjo nuk është ndonjë e re për Blumin. As për ne.
Asgjë e re nën diell!
Ndoshta këtë donte të thoshte Xhojsi me formim prej jezuiti por me zemër libertine. Moli Blum është mishërimi i “fshatares” alla Ema Bovari por ajo dhe Blumi nuk janë e fshehta themelore e romanit. E fshehta themelore e romanit është “dolce far niente". Xhojsi “well versed” në psikologji dhe në veprat e Niçes do të diagnostikonte te civilizimi europian dekadent atë që Frojdi pas tij e ktheu në shkencë. Tek “Studime rreth histerisë” Frojdi ngre tezën se histerikët, skizofrenët, psikopatët dhe të tjerë “krijesa magjike” alla Borges “nuk dinë çfarë të bëjnë me kohën e tyre” ose nuk e kanë fare konceptin e kohës. Ndoshta, vetëm ndoshta, ndihen të braktisur në një shkretëtirë të pafund si Ishmaeli biblik, ndoshta ndihen sikur deti nuk mbaron kurrë, si Uliksi drejt Itakës, ndoshta ndihen sikur në Dublin s’ka gjë të hajrit për të bërë. Mërzi e madhe!
Një aspekt tjetër i Uliksit është dhe loja. Një përballjen mes të thjeshtës dhe komplekses. E thjeshta është ajo që bën Blumi. Kompleksja është mënyra sesi e rrëfen Xhojsi me muzikalitet dhe me lojë. Uliksi, nëse nuk je lexues i sprovuar, të deh! Si shumë të tjerë përpara teje fundja!
Uliksi është nga librat që duhet lexuar disa herë por që nuk të mërzit sa herë ta lexosh, madje nuk mund ta heqësh nga dora. Ndoshta, me mënyrë fenomenologjike, mund të themi se “Uliksi” i Xhojsit imiton trurin njerëzor, vetë mënyrën tonë të të menduarit. Humori ngacmon membranat, seksi shuan urinë, qyteti “është i palëvizshëm” si e pandërgjegjshmja. Një “pasqyrë e lëndës” si me thënë.
Për këdo që nuk e ka lexuar akoma e gjeni fatmirësisht dhe në shqip nën përkthimin e shkëlqyer të Idlir Azizajt te Botimet “Zenit”.
Lini një Përgjigje