Pas gjashtë ditësh aktivitetesh letrare, edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë mbyllet sot. Një ditë më parë u ndanë çmimet tradicionale të panairit, me të cilat u vlerësuan autorë, përkthyes, studiues dhe vepra të spikatura të vitit.
Ceremonia u konsiderua një nga momentet kulmore të panairit, duke dëshmuar edhe një herë hapësirën e përbashkët të letrave shqipe.
Çmimi Special për Vepër Jetësore iu nda shkrimtarit Nazmi Rrahmani, i cili kujtoi edicionin e parë të panairit pas luftës, kur libri shqip u bashkua për herë të parë në Prishtinë. Ndërkaq, shkrimtari Ben Blushi u nderua me çmimin special për romanin “Jam mysliman”, vepër që sipas tij ka nxitur debate, por mbetet një krijim letrar dhe fiksional.
Çmimi Special për Autorin më të Mirë të Huaj iu nda shkrimtarit italiano-francez Francesco Rapazzini. Në kategorinë e letërsisë për fëmijë u vlerësua Valbona Banka me librin “Arratisje pa plan”, ndërsa çmimin për poezi e fitoi Naime Beqiraj për përmbledhjen “Mos i kallxo harrimit”.
Ja kush janë fituesit e Çmimeve të Panairit të Librit :
Juria në përbërje të: Behar Gjoka, kryetar, Alketa Gashi, anëtare, Gani Bytyqi, anëtar, Majlinda Nana Rama, anëtare, Marigona Krasniqi, anëtar ndau keto çmime:
1. Letërsi për fëmijë: Valbona Banka, “Arratisje pa plan” (Botimet Dita).
2. Poezi: Naime Beqiraj, “Mos i kallxo harrimit” (Botime Koliqi).
3. Përkthim: Albana Nexhipi Lekaj, për përkthimin e romanit “Bija italiane” të Soraya Lane (Dituria).
4. Prozë: Andreas Dushi, “Droja” (Onufri).
5. Prozë: Gazmend Krasniqi, “Si shkruhet një roman dashurie” (Albas).
6. Studime, kritikë dhe ese: Ben Andoni, “Shqipëria prej letrave” (Papirus).
7. Çmim special – Autori shqiptar i Panairit të Librit 2026: Ben Blushi, “Jam mysliman” (Onufri).
8. Çmim special – Autori më i mirë i huaj i Panairit të Librit 2026: Francesco Rapazzini, “Një verë veneciane” (Buzuku)
9 - Çmim special - Per vepër jetësore: Nazmi Rrahmani, kryetar i parë i SHBK-së dhe botues i ShB “Faik Konica”
A.K./TemA
Lini një Përgjigje