Fundjava do të jetë e mbushur me aktivitete argëtuese. Nga festivalet, koncertet dhe panairet tradicionale, deri tek aktivitetet për të gjitha moshat, datat dhe oraret e të cilave gjenden në aplikacionin TEA.
Një nga aktivitet me interesante ku fton TEA, është “Festa e grurit” në Fier.
Festa e Grurit zhvillohet sot në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, në 19:30. Ky është edicioni i 8-të i kësaj feste, ku pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ndjekin Elita 5, Ansamblin “Myzeqeja” dhe shumë këngëtarë të tjerë të mirënjohur. Përveç muzikës aktiviteti përmban edhe paradën me veshje tradicionale, si edhe paradën e automjeteve bujqësore.
Në Berat, sot nis festa “Xixëllonja”, e cila do të vijojë edhe nesër (20 qershor). Qytetarët e Beratit dhe vizitorët do të argëtohen me muzikë, aktivitete kulturore dhe program për të gjitha grupmoshat.
Në datën 20 qershor, në Kavajë do të zhvillohet Kavaja Code Fest, me panairin e inovacionit, nga ora 10:00-14:00, ndërsa në orën 19:00 në Kinoteatrin e qytetit do të zhvillohet një mbrëmje gala.
Të shtunën, në qytetin e Durrësit, te “Sfinksi”, do të zhvillohet koncerti “Triangle – From stone to concrete”, i Olen Cesarit dhe DJ Charles B.
Po të shtunën do të zhvillohet një koncert me këngë e serenata pogradecare në qytetin e Pogradecit, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzikës. Aktivitetet në Pogradec do të vijojnë dhe të dielën, në vendin e quajtur “Plazhi i uçkave”, ku do të zhvillohen ekspozitë fotografike, lundrim me kanoe, si dhe do të pastrohet bregu i liqenit. Njëkohësisht me këto, në qytetin e Pogradecit do të zhvillohet Illyrian Triathlon, kampionati kombëtar i triathlonit.
Këtë të diel do të ketë edhe një koncert në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, organizuar nga Teatri Kombëtar i Operës e Baletit, në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës. A.K./TemA
Lini një Përgjigje