Cate Blanchett do japë mësim në Oxford!

19 Qershor 2026, 16:35Kulturë TEMA
Cate Blanchett do japë mësim në Oxford!

Aktorja australiane fituese e dy çmimeve Oscar, Cate Blanchett, do t’i bashkohet University of Oxford si profesoreshë vizitore e Teatrit Bashkëkohor në St Catherine’s College, me synimin për të frymëzuar studentët që të angazhohen më shumë në artin skenik.

Blanchett do të nisë detyrën e saj këtë vjeshtë, duke marrë pjesë në një program njëvjeçar me ligjërata, diskutime dhe takime me studentët dhe komunitetin akademik. Ajo tha se pret me padurim të zhvillojë një dialog krijues me brezin e ri të artistëve dhe mendimtarëve.

“Arti rrëzon kufijtë dhe barrierat e imagjinatës sonë. Kjo është një mundësi jashtëzakonisht frymëzuese për të qenë në një dialog krijues të drejtpërdrejtë me brezin e ardhshëm të krijuesve”, është shprehur aktorja.

Posti prestigjioz i profesorit vizitor të Teatrit Bashkëkohor “Cameron Mackintosh” u krijua në vitin 1990 dhe më parë është mbajtur nga emra të njohur të skenës britanike si Ian McKellen, Meera Syal dhe Diana Rigg.

E njohur për rolet e saj në filmat Elizabeth, The Aviator, Blue Jasmine, Carol dhe Tár, si dhe për interpretimin e Galadriel në trilogjinë The Lord of the Rings, Blanchett konsiderohet një nga figurat më të vlerësuara të kinemasë dhe teatrit bashkëkohor.

Emërimi i saj pritet të sjellë përvoja të reja artistike dhe frymëzim për studentët e universitetit prestigjioz britanik.

A.K./TemA

Lini një Përgjigje