Çelet Panairi i Librit në Kosovë "Prishtina 2026"

18 Qershor 2026, 11:38Kulturë TEMA
Çelet Panairi i Librit në Kosovë "Prishtina 2026"

U çel dje në Kosovë panairi i librit “Prishtina 2026”, i cili do të qëndrojë i hapur për publikun deri më 21 qershor.

“Prishtina 2026” bëri bashkë botues, autorë dhe lexues nga Kosova dhe rajoni. Panairi vjen me moton “Libri hap botën” dhe është organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës etj.

Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, tha se organizimi i panairit ka rëndësi të veçantë për promovimin e kulturës së leximit.

“Një fëmijë që lexon me vëmendje, mëson ta ndjekë mendimin deri në fund dhe ta dallojë të vërtetën. Mëson të bëjë pyetje, të krahasojë, të mos ngutet për përfundim. Mëson se jo çdo fjalë që tingëllon e sigurt është e vërtetë. Një qytetar që lexon e kupton më mirë lajmin, e kupton më mirë ligjin, premtimin politik, kontratën, historinë, dokumentin zyrtar dhe të drejtën e vet”, tha Albulena Haxhiu.

Ky është edicioni i 26-të i këtij panairi, i hapur për vizitorët nga ora 9:00 e mëngjesit deri në 19:00 të mbrëmjes. “Prishtina 2026” mikpret 60 botues shqiptarë me rreth 2000 tituj të rinj. Gjatë ditëve që panairi do të qëndrojë i hapur, do të zhvillohen mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në panair etj.

Pritet që panairin ta vizitojnë rreth 30.000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se çdo libër i blerë sot nuk është vetëm një investim për një individ, por një investim për një shoqëri më të lirë, më të arsimuar dhe më të fortë.

A.K./TemA

Lini një Përgjigje