Zgjedhja e Shqipërisë në UNESCO - Gonxhja: përgjegjësi e madhe!

18 Qershor 2026, 09:44Kulturë TEMA
Zgjedhja e Shqipërisë në UNESCO - Gonxhja: përgjegjësi

Shqipëria është zgjedhur anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s për mandatin 2026-2030, duke marrë 73 vota pro në procesin e votimit të zhvilluar në Paris.

Ky zhvillim përbën një arritje të rëndësishme në fushën e diplomacisë kulturore dhe angazhimit ndërkombëtar të vendit në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore jomateriale.

Si anëtare e këtij komiteti, Shqipëria do të ketë një rol aktiv në proceset vendimmarrëse globale që lidhen me zbatimin e Konventës së UNESCO-s të vitit 2003 për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale, duke kontribuar në forcimin e politikave për ruajtjen e traditave, praktikave dhe shprehjeve kulturore.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili e cilësoi këtë një moment krenarie për vendin dhe një vlerësim për punën e institucioneve, ekspertëve dhe komuniteteve bartëse të trashëgimisë kulturore.

Sipas tij, mbështetja e marrë nga shtetet anëtare për kandidaturën shqiptare përbën një përgjegjësi të re për vendin, e cila do të ushtrohet me profesionalizëm dhe në frymë bashkëpunimi ndërkombëtar.

Shqipëria pritet të angazhohet në mënyrë aktive në nismat dhe politikat globale për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore jomateriale, në kuadër të platformave të UNESCO-s.

“Ky besim është një përgjegjësi e madhe, të cilën do ta ushtrojmë me përkushtim, profesionalizëm dhe në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar. Si anëtare e Komitetit Ndërqeveritar, Shqipëria do të kontribuojë aktivisht në mbrojtjen dhe promovimin e parimeve të Konventës 2003 të UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale”, deklaroi ministri. A.K./TemA

Lini një Përgjigje