Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale çeli ekspozitën “Vazhdimësi”

17 Qershor 2026, 13:14Kulturë TEMA
Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale çeli ekspozitën

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale çeli ekspozitën “Vazhdimësi”, ku artistët me krijimet e tyre sollën në vëmendje marrëdhënien e ngushtë ndërmjet mjeshtërisë tradicionale, artizanatit dhe shprehjes artistike bashkëkohore. 

A duhet të mbarojë mjeshtëria që të fillojë arti? Shpesh arti lind nga një nevojë e thjeshtë estetike dhe shndërrohet në një formë të shprehjes së botës shpirtërore, kujtesës dhe mendimit njerëzor.

Pikërisht këtë përqasje kishte ekspozita “Vazhdimësi”, e çelur për pesë ditë në Vila 31 Art Explora nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale, ku artistët sollën në vëmendje marrëdhënien e ngushtë mes mjeshtërisë tradicionale të artizanatit dhe shprehjes artistike bashkëkohore. 

Sipas kuratores Erilda Selaj, stilet dhe kërkesat estetike ndryshojnë, por ajo që mbetet pothuajse pa ndryshuar është mjeshtëria. 

“Ekspozita ‘Vazhdimësi’ lindi si një dëshirë e dy institucioneve tona, pra QKVT-së dhe AIK-së, Agjencisë së Industrisë Kreative, pikërisht për t’i dhënë zë një pjese të rëndësishme të artit dhe të bërjes së tij në Shqipëri. Shpesh mjeshtër të ndryshëm janë parë thjesht si mjeshtër, por jo si formë arti. Kjo ekspozitë synon ta ndryshojë këtë perceptim, duke e vendosur krijimtarinë e tyre në qendër të vlerësimit kulturor.” 

Artizanët-artistë sollën teknika shekullore të mediumeve të ndryshme, duke filluar nga arti dekorativ i qëndisjes, te peizazhi me nyje apo çantat e punuara me teknikën e krijimit të plisit.

Një shpalosje tradite, por njëkohësisht edhe volumi i teknikave për të krijuar një shprehje të re. Në këtë mozaik arti, audienca u ftua jo vetëm për të shijuar disa vepra arti, por u bë pjesë e vetë procesit të kthimit të materies në art përmes mjeshtërisë. A.K./TemA

Lini një Përgjigje