Ka përfunduar në Korçë edicioni i katërt i “Gjon Mili Video Art Festival”, aktiviteti që për tre ditë me radhë e ktheu qytetin në një pikëtakim të artistëve, kineastëve dhe krijuesve nga vende të ndryshme të botës.
Festivali solli për publikun një program të pasur me video-art, filma të shkurtër, dokumentarë, ekspozita dhe projekte të artit bashkëkohor, duke promovuar dialogun kulturor dhe shkëmbimin artistik ndërkombëtar.
Mbrëmja përmbyllëse u shoqërua edhe me një performancë të veçantë muzikore në ambientet e Teatri Andon Zako Çajupi, ku kitaristi italian Nicola Montella interpretoi pjesë nga repertori i muzikës klasike dhe bashkëkohore.
“Është hera e parë që vij këtu në Shqipëri dhe jam shumë i lumtur që po jap këtë koncert në Korçë. Qyteti është shumë i bukur. Më thanë se Korçën e quajnë “Parisi i Vogël”, ndaj jam shumë i lumtur që interpretoj edhe një vepër franceze romantike, të shkruar në nder të Parisit dhe Korçës. Pashë gjithashtu se në qendër të qytetit ka një skulpturë kitare, gjë që është shumë e bukur. Më pëlqen shumë atmosfera këtu. Tema e koncertit është dashuria. Do të nisim me një kompozitor francez, më pas do të interpretoj një pjesë nga Schubert, dhe do e mbyll me disa pjesë spanjolle”, tha Nicola Montella.
Në përfundim të këtij edicioni, në Korçë krijuesja Yllka Gjollesha tha se tashmë “Gjon Mili Video Art Festival” do të vijojë edhe në jug të vendit.
“Gjon Mili Video Art Festival” konfirmoi edhe një herë rolin e tij si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Korçë, duke sjellë në qytet artistë dhe krijimtari nga mbarë bota dhe duke e kthyer Korçën në një qendër të rëndësishme të artit bashkëkohor ndërkombëtar. A.K./TemA
Lini një Përgjigje