Nga libraria “Albania” te shembja e “Rozafës”, Suad Arilla apelon për më shumë investim në kulturë dhe lexim

18 Qershor 2026, 15:19Kulturë TEMA
Nga libraria “Albania” te shembja e “Rozafës”, Suad

Shembja e objektit të ish-librarisë “Rozafa” në qendër të Shkodrës, në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike dhe ndërtimin e një strukture të re në funksion të turizmit, ka ngjallur reagime dhe diskutime në qytet.

Mes zërave që kanë komentuar zhvillimin është edhe shkrimtari Suad Arilla, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale nuk është ndalur drejtpërdrejt te godina e “Rozafës”, por ka sjellë në kujtesë historinë e një tjetër librarie tashmë të zhdukur nga harta e qytetit, shkruan shkodrazone.

Arilla kujton librarinë “Albania” në lagjen Parrucë, një hapësirë që dikur frekuentohej nga lexuesit dhe dashamirësit e librit. Sipas tij, mbyllja e saj vite më parë ishte një humbje për jetën kulturore të Shkodrës, ndërsa sot vendin e saj e ka zënë një aktivitet tregtar.

Në reagimin e tij, ai shpreh keqardhjen për zhdukjen e librarive dhe thekson se një qytet pa hapësira të dedikuara për librin rrezikon të humbasë një pjesë të rëndësishme të identitetit kulturor. Arilla shprehet se do të dëshironte që çdo ndërhyrje urbanistike të shoqërohej edhe me investime konkrete për kulturën dhe promovimin e leximit.

Reagimi i plotë i shkrimtarit Suad Arilla në rrjetet sociale:

Po hamendësoj që pas kësaj "shembjeje" fshihet një "ngritje" për librin dhe kulturën...

Para disa vitesh, kisha të dashtun një librari me emrin "Albania". E gjendur në Parrucë, qendër dhe njëkohësisht kryqëzim kalimesh, zonja që punonte më thoshte që shiste pak, saqë mua që ndalesha dhe shihja librat më shtoi në listën e të njohurve. Kur u mbyll, aty u bë një dyqan këpucës, bisnes kalimtaresh siç e do hapësira. Më pikonte në zemër fakti që kisha lënë të marr disa libra për më vonë...

Mbyllja e një librarie është gjithmonë një fatkeqësi. Ka një hije të lartë mbi "shembjen" e kësaj të fundit. Por do doja që me shembjen, të vinte premtimi që këtu do investohet për kulturën dhe librin.

Shkodra tashmë i ka dy librari, edhe disa tjera që mbijetojnë mes librit dhe kancelarisë apo shumë artikujve ekstra. Sepse libri nuk shet, por një qytet që s'ka as librari, nuk merr frymë.

Shkodra e librit, kulturës dhe artit mbetet e tillë për aq kohë sa ushqehet.

A.K./TemA

Lini një Përgjigje