Ambasada e Shqipërisë në Bernë organizoi në bibliotekën e kryeqytetit “Kornhausbibliothek” një mbrëmje kushtuar 95-vjetorit të lindjes së poetit dhe shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agollit.
Nxënës shqiptarë, mësues dhe miq të kulturës shqiptare në Zvicër u bënë pjesë e një udhëtimi artistik në jetën dhe krijimtarinë e një prej figurave më emblematike të letrave shqipe.
Ambasadori Ermal Dredha vlerësoi Agollin si një krijues që ngriti përvojën e njeriut të thjeshtë në art të madh, duke e bërë poezinë dhe prozën e tij pjesë të kujtesës sonë kolektive.
Diplomati shqiptar theksoi se veprat e Agollit do të vijojnë të mbeten aktuale sepse flasin për vlera universale: dinjitetin njerëzor, dashurinë, vendlindjen dhe marrëdhënien e njeriut me kohën e vet.
Mbrëmja u pasurua me recitime nga nxënësit e shkollave shqipe në Zvicër, interpretime muzikore nga këngëtarja e mirënjohur Mimoza Nazarko dhe vet nxënësit, materiale filmike të rralla nga jeta e shkrimtarit dhe zërin autentik të vetë Dritëro Agollit.
Ambasada falënderon Brikela Andera dhe “Kornhausbibliothek” Bernë për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e saj për çdo aktivitet si dhe Muzeun “Kadare–Agolli” që mundësoi dorëshkrimet, skicat dhe gjurmët krijuese të Agollit.
Pas Bernës, Ambasada do të vijojë aktivitetet kulturore të Vitit të Agollit dhe Kadaresë me një veprimtari kushtuar Ismail Kadaresë në Gjenevë gjatë vjeshtës së këtij viti. A.K./TemA
Lini një Përgjigje