Vazhdojnë punimet për restaurimin e Teqesë së Koshtanit!

18 Qershor 2026, 15:43Kulturë TEMA
Vazhdojnë punimet për restaurimin e Teqesë së Koshtanit!

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përcolli në rrjetet sociale, pamje nga punimet për restaurimin dhe konservimin e Teqesë së Koshtanit, Monument Kulture, Kategoria I, dhe një nga qendrat më të rëndësishme të bektashizmit në jug të vendit.

Teqeja e Koshtanit, e themeluar në vitin 1807, ka një rëndësi të veçantë historike dhe shpirtërore. Në vitin 1908 aty u hap edhe shkolla e parë shqipe për krahinën e Tepelenës.

Projekti, i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, parashikon konsolidimin strukturor të objektit, restaurimin e çatisë me rrasa guri, rikuperimin e elementeve drusore origjinale, restaurimin e dyshemeve dhe tavaneve, si dhe trajtimin e fasadave për mbrojtjen afatgjatë të monumentit.

Punimet realizohen me financimin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. A.K./TemA

Lini një Përgjigje