Ish-kampionia kombëtare e shahut në SHBA Jennifer Shahade, që është edhe popullarizuese, mësuese dhe autore librash shahu dhe jo vetëm, ka shkruar këto ditë në substack për ngjashmërinë mes përdorimit të inteligjencës artificiale në shkrimin e teksteve për botim (libra dhe artikuj) dhe të ashtuquajturit Chess Cheating që krijoi probleme të mëdha në administrimin e turneve dhe të aktiviteteve të tjera shahistike anembanë botës (Chess Cheating was an Omen for All of Us).
Dhe kjo sepse mashtrimi në shah, veçanërisht në shahun e paguar, filloi të shfaqej që herët, kur disa lojtarë filluan të kapen në flagrancë, duke përdorur softuer shahu, për të gjetur lëvizje të mira dhe mundësisht fitimtare. Programet që luajnë mirë shah kanë qenë në dispozicion që në vitet 1980 e mbase edhe më herët, por vetëm në vitet 1990 arritën atë lloj sofistikimi, sa të mund të konkurronin me sukses me mjeshtrit e mëdhenj ndërkombëtarë (super-kompjuteri Deep Blue mposhti, në 1997, kampionin e botës Garry Kasparov). Në të njëjtën kohë, softueri shahistik përfitoi edhe nga fuqia e procesorëve të rinj më parë në PC dhe pastaj në pajisje më të vogla; aq sa sot një program i instaluar në një smartfone (p.sh. Stockfish) mund të fitojë me lehtësi dhe siguri kundër çdo lloj mjeshtri të madh.
Edhe pse kur dy vetë ulen të luajnë shah jo-kompetitiv zakonisht e bëjnë këtë me një marrëveshje të heshtur se nuk do të përdorin softuer gjatë lojës, ky lloj besimi nuk vjen i garantuar në shahun kompetitiv, ku fituesit shpërblehen ndonjëherë me shuma të mëdha. Programet shahistike nga njëra anë ndihmuan shumë në trajnimin e shahistëve të rinj, por nga ana tjetër i nxorën “jashtë loje” disa forma kompetitive, si shahu me korrespondencë, që dikur praktikohej anembanë botës.
Akuzat për “hile” nuk ua kanë kursyer dhe shahistëve të niveleve më të larta: gjatë matchit për titullin botëror të vitit 2006 mes Kramnikut dhe Topalovit, ekipi i këtij të fundit e akuzoi Kramnikun se po shkonte pak si tepër shpesh në banjë, gjatë lojës, me dyshimin se ashtu po konsultonte lëvizjet me një palë të tretë elektronike. Këto akuza nuk u provuan. Në 2022 kampioni i botës Magnus Carlsen e akuzoi kolegun e vet Hans Niemann se kish përdorur ndihmë nga një softuer shahu, për të fituar lojën. Sipas Magnus-it, lëvizjet e Niemann-it nuk ishin mjaftueshëm “njerëzore”. Niemann-i, që ishte kapur duke mashtruar gjatë një turneu shahistik online, e mohoi që të kish marrë ndihmë nga ndonjë AI shahistike gjatë lojës me Carlsen-in. Konflikti përfundoi në gjyq, por pastaj u zgjidh me marrëveshje.
Gjithsesi, mundësia e mashtrimit me softuer e ka kushtëzuar rëndë shahun online, i cili mbështetet – në analizë të fundit – te mirëbesimi (besa) e pjesëmarrësve. Kjo ka bërë edhe që adoptohen, gjithnjë e më shpesh, formate të tilla si shahu shumë i shpejtë (“bullet chess”) ose edhe pozicione fillestare alternative, si ato të Chess960. Ndërkohë, në turnetë konvencionalë pjesëmarrësit kontrollohen si të ishin duke hyrë në ndonjë avion.
Dalja në skenë e motorëve shahistikë që luajnë më mirë se njeriu e ka transformuar shahun, sidomos në nivelet kompetitive. Jo vetëm që tani organizatorët duhet të kujdesen për të shmangur çdo mundësi hilesh, por edhe vetë lojtarët e bazojnë përgatitjen e tyre në memorizimin e linjave të verifikuara nga softueri, që ndonjëherë i kalojnë 20-25 lëvizjet. Njëlloj është transformuar edhe përvoja e publikut, me shahun e nivelit të lartë – dikur të gjithë prisnin se çfarë lëvizjeje do të pillte mendja e kampionit gjeni, ndërsa tani të gjithë e dinë se cila është lëvizja më e mirë, sepse ua tregon softueri që kanë në kompjuter; të gjithë, me përjashtim të lojtarëve vetë.
Analogjia që bën Shahade dhe që me siguri e kanë menduar edhe të tjerë para saj të bën të mendosh se edhe rekrutimi i shërbimeve të një LLM-je si ChatGPT-ja ose Claude, për të hartuar tekste, do ta transformojë rrënjësisht botën e botimeve – në shkencë, në publicistikë dhe në fiction, nga librat tek artikujt shkencorë dhe publikimet online; siç do ta transformojë edhe procesin e vlerësimit të nxënësve dhe të studentëve në shkollë dhe në universitet.
Edhe pse sot ka në dispozicion shërbime që ndihmojnë për të pikasur tekste të shkruara me LLM (si Pangram, ende jo i përdorshëm për shqipen), këto shërbime punojnë më mirë në anglishte dhe, gjithsesi, nuk janë të imunizuara ndaj aftësive përshtatëse të LLM-ve vetë. Tekstet e shkruara me AI sot i ndesh edhe në publicistikën shqip; çfarë ka krijuar një backlash ndaj autorëve, të cilët tani kur shkruajnë mirë lehtësisht mund të akuzohen se kanë përdorur një AI. Në të njëjtën kohë, shpejtësia me të cilën mund të hartohen tekste me AI nuk ka krahasim me të shkruarit tradicional; dhe në këtë garë njeriu del që tani i humbur. Veçanërisht sfiduese është kjo për autorët e rinj, të cilëve u duhet të provojnë ndonjëherë të pamundurën – se nuk kanë përdorur LLM.
Si do t’i vejë filli kësaj pune? Mos do të nisim, tash e tutje, që të lexojmë vetëm tekste të shkruara para viteve 2020, nëse duam të jemi të sigurt se nuk po na mashtron kush? Apo duhet t’i besojmë një autori që deklaron, me përgjegjësi ligjore, se nuk ka përdorur AI gjatë hartimit të tekstit? Tek e fundit, ç’dallim të madh ka midis një teksti të shkruar nga një ghost writer çfarëdo, dhe një teksti të shkruar nga Claude? A është më morale që t’i kërkosh Gemini-t të ta hartojë artikullin shkencor, apo ta marrësh të gatshëm nga puna e një studenti? Dhe e kundërta – kur një autor i ri shkëlqen, sa morale është të dyshosh, a priori, se teksti i tij vjen nga një AI?
Këto dilema morale janë të njëjta me ato të botës shahistike, përballë sfidës së motorëve shahistikë. Siç e përmend edhe Shahade, një nga shahistët më të mirë të viteve 2020, iraniani Alireza Firouzja, doli në skenë duke luajtur një shah kaq të përsosur, sa menjëherë e akuzuan për hile. Edhe vetëm prania e një mendjeje digjitale në horizontin e pritjeve mjafton, për të përftuar një lloj sheshimi ose mesatarizimi në vlerat.
Të shpresosh në mirëbesimin e çdo autori do të ishte tepër naive; sidomos në ato situata kur botimi është i nevojshëm për të bërë përpara në karrierë. Ndoshta kjo do të shënojë – edhe për ne në Shqipëri – fundin e formatit të tanishëm të kualifikimit shkencor, veçanërisht në humanitetet. Por ky format ka vuajtur keq edhe më parë nga përfituesit dhe parazitët, siç e tregojnë rastet e shumta dhe të konfirmuara të plagjiaturës ose të botimeve me pagesë në revista të rreme ose pa reputacion.
Paradoksalisht, efekti më afatgjatë i këtij zhvillimi teknologjik dhe mediatik mund të jetë fundi i masivizimit të dijes dhe alfabetizimit. Që në vitin 1949, te romani 1984, Orëell-i e pat parashikuar daljen në skenë të AI-së gjenerative, duke folur për makina automatike që shkruanin romane ose poema, të cilat ishin nën vartësinë e Departamentit të Fiksionit. Këto makina prodhonin tekste sensacionale dhe pornografi me çmim fare të lirë, për të kënaqur shijet e masave punonjëse të pa-arsimuara. Ky sistem i trajtonte librat dhe gazetat si komoditete, të ngjashme me reçelin ose lidhësat e këpucëve; të cilat priteshin që t’u jepnin masave atë që këto kishin nevojë, për ta hequr mendjen nga hallet e përditshme. E dashura e protagonistit, Julia, punonte si mekanike në shërbim të këtyre makinave.
Ka të dhëna të besueshme se sot, vetëm në Amazon, janë me mijëra tituj në shitje që janë shkruar me AI, tërësisht ose pjesërisht. Modeli është treguar veçanërisht i efektshëm në hartimin e vazhdimeve (sequels), në prozë ose në TV, në seriale të animuara dhe, eventualisht, në film. Kjo prirje vështirë të ndalet, në rrethanat kur AI-të gjenerative vijnë duke u rafinuar.
Efekti totalizues i LLM-ve si gjeneruese tekstesh publike, edhe të llojit fiction është në harmoni me totalizimin e induktuar nga mediat digjitale në përgjithësi. Shto këtu edhe që mediat sociale, rrjetet sociale dhe tekstimi, si formë orale dytësore e ligjërimit të shkruar, e kishin dobësuar prej kohësh statusin kulturore të produkteve të shkruara tradicionale, të destinuara për lexim vetmitar. Inteligjenca artificiale e ka gjetur rrugën të shkruar; dhe gjasat janë që “letërsia” e gjeneruar me LLM do t’u përgjigjet më mirë nevojave letrare dhe artistike të një brezi të rritur dhe të kultivuar online.
Sugjerimin për një zgjidhje të mundshme ndaj këtij kolapsi të botës as ëe knoë it mund të na e japë sërish shahu. Dy vetë që luajnë shah për kënaqësinë e tyre as duan t’ia dinë për motorët shahistikë dhe fuqinë e tyre procesuale; ngjashëm me çiklistin malor, që e ngjit maloren pa u shqetësuar se këtë mund ta kish bërë me makinë. Mediat, përfshi këtu edhe ato inteligjente, mund të dëmtojnë kompetitivitetin, por jo kënaqësinë estetike dhe thjesht intelektuale të lojës – ose të artit. Gjasat janë që nesër, gjithnjë e më shpesh, njeriu do ta kultivojë letërsinë dhe, në përgjithësi, artin brenda komunitetesh të vogla dhe ekskluzive, pa kërkuar që vepra t’u riprodhohet në mijëra (a miliona) kopje dhe t’u shitet në libraritë. Këto komunitete mund të mbajnë gjallë edhe vetë praktikën e të shkruarit të teksteve me dorë dhe të leximit në heshtje të teksteve të gjata, siç do të mbajë gjallë këngën dhe pikturën dhe artizanatin, teksa vallja dhe joga do baraspeshojnë palestrën si kishë të trupit. Nëse adoptimi masiv i AI-ve në ekonomi dhe në dije do të sjellë atë bollëk material që shpresohet, bollëku veç do ta ndihmojë mbijetesën e komuniteteve të tilla artistike.
(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.
Lini një Përgjigje