Projekti “NovaTale” rikthehet me edicionin e tij të dytë.
Qendra “FusionACT” ka nisur zbatimin e këtij projekti që interpreton ndryshe mitet dhe legjendat shqiptare përmes tregimtarisë vizuale, animacionit dhe formave bashkëkohore të shprehjes artistike.
Edicioni i dytë nisi me një seri workshop-esh me nxënës të talentuar nga Liceu Artistik i Tiranës, të cilët u përfshinë në procesin kreativ të zhvillimit të ideve dhe reflektuan mbi mënyrën se si një legjendë e vjetër shqiptare mund të kthehet në një rrëfim më koherent, aktual dhe të afërt me problematikat e sotme.
Përmes punës në grup, diskutimeve dhe imagjinatës së tyre, të rinjtë kontribuuan në ndërtimin e një bote të re narrative, ku trashëgimia kulturore takohet me të ardhmen, teknologjinë dhe ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit.
“FusionACT” bëri të ditur se ky edicion i NovaTale synon të sjellë një qasje të re ndaj legjendave shqiptare, duke i kthyer ato në histori që flasin me gjuhën e brezit të ri.
Ky projekt i “FusionACT” Centre ka gjetur mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit. A.K./TemA
Lini një Përgjigje