Sot, të gjithë përpiqemi të jemi histori më vete—të dallojmë, të krijojmë një imazh unik, të bëhemi një markë personale. Por a jemi vërtet kaq të pavarur si individë, apo forcat kolektive na formësojnë më shumë nga sa duam të pranojmë?
Në romanin "Dy Javë Nën Balonë", Dionis Prifiti krijon një botë ku personazhet shpesh shfaqen jo si individë, por si një zë kolektiv. Banorët e qytetit imagjinar të Morpia se vëzhgojnë një balonë të pazakontë dhe përpiqen t’i japin kuptim. Fillimisht, ata reagojnë si një grup i vetëm, por me kalimin e kohës, disa fillojnë të ndihen ndryshe, të dalin mbi të tjerët, të formojnë teori të veçanta. Ky proces është një pasqyrim i tensionit mes nevojës për të qenë pjesë e diçkaje më të madhe dhe dëshirës për t’u veçuar, për t’u dalluar nga turma.
Dionis Prifiti, autor i romanit "Dy Javë Nën Balonë", shprehet në Apostrof se, "Nevoja e njeriut për t'u individualizuar, për të qenë ndryshe nga të gjithë të tjerët, nga një anë më duket – patjetër – në qendër të egos njerëzore, por nga ana tjetër bëhet pak e lodhshme, qesharake... Kështu që doja të luaja me diçka të tillë. Në fillim kemi grupime, të cilat bëhen bashkë dhe përpiqen të shpjegojnë balonën, pastaj kemi disa persona, të cilët individualiteti apo egoja e tyre ngre krye dhe padyshim ata duhet të ishin ndryshe, ose duhet të ndiheshin ndryshe nga të tjerët. Kështu që, kjo është edhe rrjedha dhe besoj se i përmbledh të dyja pikat: edhe faktin që duhet të bëhemi bashkë, por edhe faktin që ndonjëherë duhet të individualizohemi."
Ndiqni episodin e plotë të Apostrof sot në orën 17:00: Apostrof Podcast, Episodi 9
Kështu u kalua nga komuniteti primitiv - të tërë pjesëtarë uniform të një bashkësie ku gjithçka është e përbashkët e ndahet (përdoret) në barazi të plotë - te fillimi i shfaqjes së të përveveçmëve që fillojnë të mendojnë për vete, vënë pasuri mënjanë dhe krijohet shtresa e të pasurve. Vijimi më tej dihet. Ata që veçohen nga turma nuk janë aspak qesharakë - të mirë ose tē ligj, po. Megjithatë gjithçka mund të ironizohet e të përdoret si lëndë humori, mjafton krahasimi me të kundërtën. Individualiteti e individualizmi janë të pashmangshme për sa kohë njeriu do të jetë egoist. Pra individualiteti nuk është aspak iluzion, pavarësisht sfondit të përgjithshëm (turmat e pafundme) që duket sikur e pengon.